“Standardet” e Bashkisë Tiranë…

Nga Erblin Vukaj
“Standardet” e Bashkisë Tiranë…

Pas 8 muajsh Bashkia Tiranë shtroi me asfalt të kuq korsitë e biçikletave përgjatë Lanës dhe zonës së njohur si “21 Dhjetori”. Projekti i nisur në korrik të vitit të kaluar në bulevardin “Gjergj Fishta” dhe rrugën “Muhamet Gjollesha” u zvarrit deri në marsin e këtij viti duke konfirmuar edhe njëherë se standardi i Bashkisë Tiranë është vetëm ai i propagandës filmike, pasi nëse shohim në tërësi punimet publike do të kuptojmë se ato janë pa standard, nuk respektojnë plan-projektet që vetë Bashkia ka miratuar dhe në përgjithësi punimet abuzojnë me durimin, qetësinë dhe shëndetin e qytetarëve.

Nisim fillimisht të analizojmë “standardin” te korsitë e biçikletave. Në qendër, në të ashtuquajturën “Unazë të Vogël” korsitë janë me pllaka të kuqe me gjerësi nga 1.4 m deri në 1.6 m. Nuk ka piketa apo caqe betoni si kufizime dhe po kështu as sinjalistikë.

Në “rrugën Qemal Stafa” korsia është me një kah dhe me asfalt të bojatisur. Ajo bëhet 1.1m dhe kufizohet me caqe betoni. Në një pjesë edhe me parmakë hekuri që pengojnë këmbësorët.

Në “rrugën e Dibrës” ka dy korsi me kahe të ndryshme dhe me asfalt të kuq. Banorët e zonës vuajtën disa muaj me radhë shqetësimin e punimeve të zvarritura. Heqja e asfaltit ekzistues nga Medreseja te Selvia, dhe sistemimi i kanaleve kulluese zgjati më shumë se 6 muaj. Në fund riasfaltimi solli si rezultat dy korsi biçikletash me gjerësi rreth 1m të kufizuar vetëm me caqe betoni ndërsa rruga e makinave u ngushtua. Pas kryqëzimit me rrugën “Bardhyl” korsia e biçikletave përfshihet vetëm në një kah të trotuarit dhe nuk ka kufizime, gjerësia në këtë pjesë shkon deri në 1.5m, ndërkohë në asnjë vend në “rrugën e Dibrës” nuk është parashikuar stacion i ndonjë linje urbane. Autobusët ndalojnë dhe udhëtarët presin, hipin dhe zbresin në korsi.

“Rruga e Barrikadave” që dikur kishte korsi të kushtuar linjave urbane, tashmë ka korsi biçikletash, por me asfalt të bojatisur. Gjërësia deri në rrugën “Reshit Petrela” (Unaza) është rreth 2.4m. Në këtë segment ka kufizim me piketa plastike të cilat mund të përkulen. Sinjalistika është e dukshme, por edhe këtu ka problem me stacionet e linjave të shërbimit të transportit urban.

Në “Bulevardin Gjergj Fishta” trotuaret buzë lumit Lana së fundmi janë shndërruar në korsi biçikletash. Kjo korsi është rreth 2.1m dhe është me asfalt të kuq. Nuk ka piketa kufizuese apo parmakë hekuri.

Korsia në rrugën “Muhamet Gjollesha” është bërë gjithashtu me asfalt të kuq dhe pa piketa kufizuese, por në këtë rrugë korsia është përkrah trotuarit dhe ka gjerësi 1.35m.

Në zonën e ish-Bllokut apo në “Tiranën e Re” projekti i korsive merr tjetër “standard”. Korsitë janë më të gjera dhe kryesisht të bojatisura me të gjelbër. Gjerësia shkon te 2.4m. Piketat kufizuese të korsive të kësaj zone u ndryshuan dy herë, fillimisht u vunë piketa plastike të fiksuara, më pas piketa plastike të përkulshme. Bojatisja e shpeshtë e korsive krijoi shqetësime te qytetarët e kësaj zone, kjo prej aromave të rënda që lëshojnë bojërat. Ka pretendime se ekspozimi ndaj këtyre aromave mund të ndikojë me pasoja në shëndet. Situata ripërsëritet sa here bojëra zbehet dhe rilyhet.

Kjo është ana vizive që mund t’i kuptohet “standardit” të Bashkisë Tiranë me korsitë e biçikletave. Standardi është ndryshe në periferi, ndryshe në qendër e ndryshe në “Bllok”. Diku pllaka, diku asfalt, diku bojak. Diku piketa të fiksuara betoni, diku tjetër plastike. Diku piketa të përkulshme, diku tjetër pa piketa fare. Korsi 1 metroshe në periferi, korsi 2 metroshe në “Bllok”. Ndërkohë ka plot zona periferike ku korsitë të “përplasin” në ndonjë “city-light”, stacion autobusi, apo ndonjë pus sikurse ndodh për shembull në Laprakë apo Kombinat.

Nëse kërkojmë standardin përtej anës vizive do të kuptojmë se ai është vetëm në letër. Në vitin 2017 Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi planin e përgjithshëm të Tiranës, të hartuar nga Bashkia. Në këtë plan, përveç ndërtimeve të reja, parashikohet edhe standardi i çdo rruge të kryeqytetit. Sipas hartës rrugore të miratuar më 14 prill 2017, çdo rrugë ekzistuese dhe e re kategorizohet sipas një standardi. Për shembull, harta rrugore parashikon se në “Bulevardin Bajram Curri” dhe “Gjergj Fishta” krahas korsive të biçikletave duhet të bëheshin edhe trotuare për këmbësorët.

Por “standardi” i Bashkisë në punimet publike di të jetë edhe i gënjeshtërt ndaj qytetarëve. Kjo vihet re sidomos në rikonstruksione rrugësh, trotuaresh apo dhe objektesh publike. Le të flasim tani për standardin e kësaj veprimtarie.

Në tabelat që shoqërojnë punimet nuk saktësohet kurrë data e nisjes së tyre. Për shembull janarin e vitit 2017 në Laprakë u nisën punimet për rikonstruksionin e një kinemaje publike. Në tabelë edhe pse nuk u fiksua data e nisjes së punimeve, u tha se do të zgjasnin 6 muaj. Kryetari i Bashkisë e premtoi kinemanë e re brenda verës së atij viti (2017), por ja që jemi në vitin 2019 dhe kinemaja nuk është mbaruar.

I njëjti “standard” aplikohet edhe për rrugët. Tabela nuk thotë kurrë datën e nisjes së punimeve duke ua lejuar kompanive zvarritjen e projekteve pa e pasur hiç problem reagimin e qytetarëve, reagim që në fakt nuk vjen pasi bëhet e vështirë të kuptohet afati kohor. Për shembull, projekti i ashtuquajtur “rikualifikues i unazës lindore” që kulmoi në shtator 2017 me prishjen e shtëpive në Shkozë, ka në tabelë vetëm afatin 24 muaj punime. Në dukje projekti ka bërë përparime, por ende nuk janë përmbyllur së punuari dy rrethrrotullimet.

E njëjta gjë shihet edhe në rikonstruksionin e rrugëve dhe trotuareve në “Rrugën Hoxha Tasim” dhe “Xhanfize Keko”. Tabela atje thotë vetëm 6 muaj, por punimet nuk janë ende në gjysmë edhe pse kanë nisur që në nëntor.

Pikërisht në nëntor “u zhveshën” pllakat e trotuarit edhe në “Rrugën Bardhyl” dhe ende nuk janë rregulluar tërësisht. Ndërkohë sipas “standardit” të Bashkisë në zonën e “Shallvareve” trotuari u rregullua brenda disa javëve.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme