Vendimi për refuzimin e lejeqendrimit të Alice Taylor është antikushtetues dhe i paligjshëm

Vendimi për refuzimin e lejeqendrimit të Alice Taylor është antikushtetues dhe i paligjshëm

Para dy ditësh autoritetet e migracionit të Ministrisë së Brendëshme refuzuan t’i ripërtërijnë lejeqendrimin në Shqipëri gazetares britanike Alice Taylor, e cila jeton thuajse prej dy vjetësh në Tiranë me partnerin e saj shqiptar, me të cilin pret një fëmijë. Por ky refuzim bie ndesh me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, dhe shkel të drejtat themelore të gazetares.

Taylor e njoftoi refuzimin dje nëpërmjet një mesazhi në Twitter duke u shprehur:

“Qeveria shqiptare, pasi më sulmoi mua dhe partnerin tim për shkak të punës si gazetare dhe të kritikave të mia ndaj tyre, tani më kanë anuluar rinovimin e lejes së qëndrimit.

Kështu tani jam në Shqipëri në mënyrë të paligjshme dhe më kërkojnë të largohem, pavarësisht se kam një certifikatë mjekësore, sipas së cilës nuk mund të udhëtoj për shkak të ndërlikimeve që mund të kem, pasi jam pothuajse 6-muajshe shtatzënë. Me një fëmijë shqiptar.”

Por Ligji Për të Huajt, në nenin 35, përcakton rastet dhe rrethanat kur leja e qëndrimit nuk përtërihet si më poshtë:

 a) i huaji nuk ka arritur ta dorëzojë kërkesën apo të plotësojë dokumentacionin e nevojshëm brenda afatit të përcaktuar;

 b) i huaji nuk është në gjendje të vërtetojë se plotëson ose nuk plotëson më kushtet e kërkuara për qëndrim;

 c) i huaji është bërë subjekt i largimit nga territori i Republikës së Shqipërisë;

 ç) është zgjidhur martesa, në rast se i huaji ka përfituar lejen e qëndrimit për shkak të bashkimit familjar;

 d) arsyet për të cilat është lëshuar leja e qëndrimit nuk ekzistojnë më, me përjashtim të dispozitave të përcaktuara në pikën 2 të këtij neni.

Taylor nuk ndodhet në asnjë nga këto situata. Ajo ka ka dorëzuar të gjithë dokumentacionin e plotë pranë zyrave dhe kishte paguar tarifën e kërkuar nga shteti shqiptar. Drejtoria e Migracionit ja ka aprovuar dokumentacionin, duke i kërkuar Taylor-it të kthehej pas dy javë, pranë zyrave për ta tërhequr lejen e qendrimit. Pra, qartësisht, Taylor nuk ndodhet në rastin që parashikon pika a dhe b e nenit 35.

Nuk ka asnjë vendim dëbimi për Taylor-in nga Shqipëria ose të paktën ajo nuk është njoftuar për një gjë të tillë, ndaj gazetarja nuk ndodhet as në rastin që parashikohet në pikën c) të nenit 35.

Leja e qëndrimit të saj është dhënë për arsye të bashkimit civil (pika d), i cili njihet nga ligji shqiptar me të njejtin status si martesa, dhe ajo vazhdon të jetojë me partnerin e saj. Për të vertetuar këtë bashkim, Taylor ka paraqiturm si në aplikimin fillestar ashtu edhe atë për ripërtëritje  deklarimin përkatës noterial, sipas përcaktimeve ligjore.

Pika d) i referohet rasteve kur arsyeja për të cilën është kërkuar leja e qëndrimit nuk ekziston më dhe sikurse shpjegohet më sipër, Alice nuk është as në këto kushte.

Për më tepër, gazetarja Taylor është në muajin e gjashtë të shtatzanisë dhe për shkak të komplikimeve të shtatzanisë, të mbështetura me raporte mjekësore, ajo duhet të jetë në regjim shtrati për shkak se ka rrezik të humbasë fëmijën.

Për këto raste, pika 2 e nenit 35 të të njejti ligj parashikon se leja e qëndrimit mund të ripërtërihet, nëse qëllimi i qëndrimit nuk ekziston më ose ka ndryshuar për shkak të trajtimit mjekësor, ndërprerja e të cilit kërcënon humbjen e jetës.

Kështu institucionet përgjegjëse për migracionin kanë vepruar në shkelje të ligjit dhe duhej që t’ja kishin ripërtëritur zonjës Taylor lejen e qëndrimit për të paktën dy arsye:

— E para, sepse zonja Taylor nuk është në asnjë nga rastet e parashikuar për refuzim.

— E dyta, edhe sikur të ndodhej në njërën prej kushteve të mësipërme, pika dy e nenit 35 të ligjit bën përjashtim për arsye shëndetësore. Që në aplikimin për ripërtëritje Taylor ka paraqitur edhe raportin mjekësor, me qëllim që procedurat e mëtejshme të ndiqen nga partneri i saj për shkak të pamundësisë së saj fizike.

E drejta e jetës dhe shëndetit është një e drejtë themelore e njeriut e cila duhet të respektohet dhe garantohet nga insitucionet e shtetit shqiptar pavarësisht shtetësisë. Kështu parashikon edhe Kushtetuta jonë:

Të drejtat e liritë themelore, si dhe detyrimet e parashikuara në Kushtetutë për shtetasit shqiptarë vlejnë njëlloj edhe për të huajt e për personat pa shtetësi në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Autoritetet e migracionit nuk i kanë dhënë ende gazetares dokumentin zyrtar të refuzimit dhe arsyen zyrtare të refuzimit, por duket se ato nuk kanë të bëjnë me përcaktime ligjore. Sikurse Taylor ka dëshmuar në një artikull të mëparshëm, urdhëri kundër saj mund të jetë dhënë vërtet “nga lart”.

1 koment

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme