Vetingu, KPK shkarkon prokurorin Arqile Koça

Vetingu, KPK shkarkon prokurorin Arqile Koça

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi sot nga detyra Prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme, Arqile Koça. Sipas trupës gjykuese të përbërë nga Elteda Çiftja, Roland Ilia dhe Firdes Shuli, prokurori kishte probleme me justifikimin e pasurisë.

Megjithëse gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar disa ditë më parë KPK deklaroi se nuk i kishte gjetur probleme në kriterin e aftësive profesionale dhe as në atë të pastërtisë së figurës, si dhe se ai kishte të ardhura të ligjshme për pasurinë e tij, prokurorit iu kërkua të jepte shpjegime për marrjen e një kredie të butë në vitin 2000.

Kredia, e përfituar si i pastrehë, kishte vlerën e 5 milionë lekëve. Katër muaj pas marrjes së kredisë, prokurori kishte përfituar me anë të privatizimit një pjesë në një godinë të një ish-ndërmarrjeje në Korçë.

Sipas KPK-së, prokurori Koça duhet të sqaronte se përse nuk kishte hequr dorë nga privatizimi në Korçë në kohën që kishte marrë dhe kredinë e butë në Tiranë si i pastrehë.

Prej 15 vitesh Arqile Koça punonte në Prokurorinë e Përgjithshme. Që prej dhjetorit 2018, ai zëvendësonte ish-prokuroren Rovena Gashi në drejtimin e Zyrës së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme