Nga Neritan Sejamini
Ditmir Bushati—disident i ri, lojë e vjetër?

Ndërsa mbështetësit e opozitës protestonin të mërkurën jashtë ndërtesës së Kuvendit, brenda saj deputeti socialist Ditmir Bushati po mbante një fjalim, i cili me vonë mbushi faqet dhe ekranet e mediave dhe u bë objekt diskutimi publik.

Me elokuencë dhe vetësiguri, Bushati kritikoi shkatërrimin e demokracisë në Shqipëri, denoncoi grumbullimin e pasurisë së vendit te një grusht njerëzish pranë Kryeministrit, denoncoi faktin se politikanët nuk justifikojnë pasurit që kanë. Ai foli për nevojën për një sistem zgjedhor që garanton vullnetin e njerëzve, për një sistem të vërtetë demokratik, për një shoqëri të drejtë dhe më të mirë.

Bushati foli për trashëgiminë politike socialiste, fajësoi tërthorazi Kryeministrin për gjendjen ku ndodhej PS sot, dhe iu drejtua socialistëve të vjetër, të vërtetë si Ulqini, Majko, Ruçi, por jo Ramës, të ndalnin rrëshqitjen e Partisë së tyre të madhe socialiste.

Në të vërtetë, Bushati foli si opozitar, ose të paktën si asnjë socialist tjetër.

Që prej shkarkimit të tij në dhjetor 2018, Bushati është goditur nga një sërë masash “reformuese” të Ministrisë së Jashtme të ndërmarra nga Gent Cakaj, zëvendësi i Ministrit të Jashtëm Edi Rama. Në mënyrë demonstrative, Cakaj ka akuzuar publikisht se në Ministrinë e Jashtme ishin bërë emërime kushërinjsh në ambasada, kishte parregullsi në emërimet e konsujve, ishin dhënë në mënyrë të dyshimtë pasaporta diplomatike, apo targa diplomatike për konsujt e nderit në Shqipëri, etj.

Ndaj përgjigja nga Kuvendi e Ditmir Bushatit për Kryeministrin Rama duke përdorur krizën politike duket e natyrshme. “Nëse më sulmon, prit që të të sulmoj.”

Por kjo është vetëm një arsye që mund të shpjegojë reagimin e Bushatit. Ka edhe një tjetër: Edi Rama po rilind ish-bashkëpunëtorin e tij të afërt me një staturë tjetër, për një mision tjetër.

Le të shohim historinë. Fillimisht Bushati shprehu në takime me përfaqësues të huaj, por edhe në disa intervista në media rezerva apo mospajtim me ndryshmin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, një ide që në mos ka lindur fillimisht nga shefi i tij, mbështetet krejtësisht nga ky i fundit. Ndërsa “disidenca” e Bushatit filloi të komentohet gjithnjë e më shumë në rrethet e zakonshme të elitës së Tiranës, erdhi shkarkimi i i tij më 28 dhjetor 2018, si pjesë e ndryshimit të thuajse gjysmës së qeverisë, pas protestës befasisht efektive të studentëve.

Shkarkimi u perceptua gjerësisht në publik si konfirmim i prishjes midis Ramës dhe Bushatit, duke fuqizuar teorinë se Bushati ishte hequr për patriotizmin e tij për të mos pranuar asnjë lloj ndryshimi territori të Kosovës. Kjo bindje u përforcua nga konfirmimi i Kryeministrit të Kosovës Haradinaj dhe ish-Ministrit të Jashtëm grek Kocias, të cilët u shprehën të sigurt publikisht se ky ishte shkaku i shkarkimit.

Kjo ide u përforcua edhe më shumë nga fakti që Rama emëroi në vend të Bushatit një djalosh të panjohur 28-vjeçar nga Kosova, Gent Cakajn, i cili kishte pohuar hapur se mbështeste ndryshimin e kufijve të Kosovës.

Presidenti Meta nuk e dekretoi Cakajn si ministër dhe, për rrjedhojë, nuk dekretoi as shkarkimin e Bushatit, por Bushati nuk u dorëhoq, që të mund të zgjidhte përplasjen President-Kryeministër. Edhe kjo u interpretua si një tjetër provë se prishja Bushati-Rama ishte përfundimtare.

Rama e zgjidhi krizën duke emëruar veten Ministër të Jashtëm dhe duke ia ngarkuar kompetencat e veta Zëvendës Ministrit Cakaj. Ky i fundit nisi menjëherë të ndërmerrte masa sipërfaqësore “reformuese”, që ndonëse nuk përbëjnë asnjë interes publik, u propaganduan me forcë në publik nga Cakaj. Këto veprime dhe ky zell për denononcime publike u intepretuan gjerësisht si përpjekje për zbehjen e punës dhe diskreditimin e Bushatit, nga autori i vërtetë i tyre, Kryeministri Edi Rama.

Nga ana tjetër, këto kohë kanë qarkulluar lajme se Bushati ka filluar të kritikojë hapur në rrethe të ngushta Kryeministrin Rama, përfshi edhe me diplomatë dhe përfaqësues të huaj, por ato nuk janë konfirmuar asnjëherë me siguri.

Më në fund erdhi reagimi publik i Bushatit, i cili mjaftoi për shumëkënd për t’u bindur se ftohja, që kishte filluar me kohë mes Ramës dhe Bushatit, tashmë ishte prishje përfundimtare.

Në këtë gjendje, dhe duke patur parasysh kushtin e panegociushëm të opozitës për largimin e Ramës për t’i hapur rrugë një qeverie kalimtare socialiste, filloi hamendësimi se Bushati mund të ishte zgjedhje e përsosur për kryeministër për të vazhduar mandatin qeverisës socialist deri në zgjedhjet e ardhshme. Ky hamendësim i thënë jo publikisht, mori më shumë besueshmëri pasi një politikane e opozitës së bashkuar tha se Bushati mund të ishte vërtet një kryeministër i mirë për qeverinë kalimtare.

Çdo gjë duket e thjeshtë e logjike, një zgjidhje që mund të kënaqte shumëkënd nga të tëra anët politike. Madje edhe ata që mendojnë se është absurde që me ca kritika nën zë dhe me një fjalim të konsiderohesh udhëheqës i mundshëm i vendit, pranojnë se, megjithatë, Bushati është më mirë për këtë punë se çdo njeri tjetër i rrethit të ngushtë të Ramës.

Pikërisht këtu fillon edhe dyshimi: kjo duket zgjedhje shumë e mirë, e ardhur nga hiçi, në mënyrë të menjëhershme, në momentin e duhur. Nga një njeri që nuk kishte treguar asnjë shenjë dyshimi, disidence apo mospajtimi me Edi Ramën në të shkuarën. Madje një njeri që nuk reagoi kurrë, veçse me servilizëm dhe besnikëri të plotë, edhe kur Kryeministri Rama e sulmonte në mënyrë përçmuese publikisht.

Në të vërtetë, Bushati ka qenë një nga njerëzit më të afërt të Ramës, pjesë e rrethit shumë të ngushtë të tij për të paktën një dekadë. Gjatë qeverisjes Bushati ka qenë një nga personat kryesorë që ka përcjellë dhe mbrojtur tek të huajt pretendimin se në Shqipëri çdo gjë shkon shumë mirë, se nuk ka drogë, nuk ka krim, nuk ka korrupsion, se i vetmi problem është opozita shkatërruese që minon arritjet e qeverisë për të marrë pushtetin.

Befas, Bushati po shfaq një tjetër qëndrim për krimin, korrupsionin, madje edhe për opozitën dhe trajtimin e saj nga Edi Rama.

Dhe ky transformim i beftë i tij vjen në një moment kritik për Edi Ramën. Tani që Rama ndien se mund të ketë një mundësi, sado të vogël, që atij do t’i duhet të largohet, qoftë përkohësisht, nga posti i kryeministrit. Në këtë rast atij i intereson t’ia lëshojë vendin një pasuesi që do t’i shërbejë atij me besnikëri, sikur të ishte vetë, pa e rrezikuar apo vështirësuar rikthimin e tij në krye të qeverisë. Natyrisht, ai e di se kandidatura pasuese duhet të jetë e pranueshme edhe për opozitën, që të funksionojë si “zgjidhje” e krizës, dhe për këtë arsye duhet të shihet nga opozita si dikush që do të shkëputet tërësisht nga politikat dhe klani i Edi Ramës.

Pra, Ramës i duhet një njeri besnik i tij, por për të cilin të gjithë janë të bindur se është kundërshtar i tij. Person i tillë mund të jetë dikush që ka garancinë e besnikërisë në vite ndaj Ramës, por që të duket se nuk është i tiji, duhet të jetë dikush që është kthyer në kundërshtar të tij.

Pra duhet të jetë një njeri që ka tiparet që ka marrë këto javë Bushati. Fare mirë mund të jetë Bushati.

Vërtetësia e këtij hamendësimi do të merret vesh në javët e ardhshme, nëse Bushati do të ashpërsojë sulmet ndaj Ramës, do të flasë për gjendjen e popullit, do të flasë për vlerat demokratike, do të flasë kundër kulturës politike dhe kundër elitës politike 30-vjeçare, do të flasë për integrimin europian të Shqipërisë….

Pra, do të vertetohet nëse Bushati do të përsërisë skenarin e zakonshëm që Rama u jep të interpretojnë “disidentëve” që ai rilind sa herë i duhet të fabrikojë “opozitë” brenda Partisë Socialiste, apo brenda Partisë Demokratike, apo kur i duhet të krijojë kandidatë të pavarur apo parti të reja.