Grabiten miliona euro në Rinas, një grabitës mbetet i vrarë

Disa persona kanë grabitur sot në mesditë një sasi parash nga makina që po i transportonte ato për në aeroportin e Rinasit. Një prej grabitësve mbeti i vrarë gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë.

Ngjarja ka ndodhur në pistën e fluturimit, teksa punonjësit ishin duke transportuar valixhet në avionin e kompanisë Austrian Airlines, që do të fluturonte drejt Vienës në orën 15:05. Ngjarja ndodhi pak minuta përpara se avioni të nisej.

Sipas policisë, disa persona ende të paidentifikuar, me maska dhe armë, pasi kanë thyer derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse, janë futur në pistën e avionit dhe kanë grabitur një sasi lekësh nga makina e blinduar, që priste të kalonte paratë në avion për t’i transportuar drejt Vienës.

Pasi u larguan nga aeroporti, pak kilometra më tutje grabitësit kanë hapur zjarr ndaj një makine policie, e cila, sipas raportimeve të mediave, ishte në një patrullim të zakonshëm në zonë. Gjatë shkëmbimit të zjarrit që pasoi, policët vranë njërin nga grabitësit. Megjithatë, grabitësit arritën të largoheshin dhe trupi i të vrarit u gjend i hedhur në rrugë.

Nuk dihet me saktësi se sa është shuma e parave të grabitura apo se cilës bankë të nivelit të dytë i përkasin. Pas raportimeve fillestare për 2 milionë euro, disa media raportuan se janë grabitur 10 milionë euro, si dhe se kompania e sigurisë fizike që bënte shoqërimin e parave ishte “Nazeri 2000.”

Tre vjet më parë, në pistën e Rinasit u grabitën rreth 3 milionë euro të cilat po shoqëroheshin nga e njëjta kompani sigurimi.

Në vijim pritet të mësohen detaje të tjera.