Grabitja Rinas — rrjedha e ngjarjeve dhe pikëpyetjet

Një bandë e armatosur grabiti dje në Rinas të paktën 2 milionë euro, të cilat po ngarkoheshin në një avion të kompanisë Austian Airlines për t’u dërgur në Austri. Pas largimit nga aeroporti, banda u ndesh rastësisht me një patrullë policisë dhe nga shkëbimi i zjarrit mbeti i vdekur një nga grabitësit.

Exit.al sjell më poshtë hollësitë e grabitjes, dhe pikëpyetjet ende të paditura.

Si rrodhën ngjarjet

Avioni i linjës Austrian Airlines do të fluturonte dje drejt Vjenës në orën 15:05.

Avioni ndodhej në pistën e fluturimit, pasagjerët ishin futur brenda, dhe punonjësit e ngarkim-shkarkimit po fusnin bagazhet në avion. Ngjitur me avionin ishte makina e transportit të thasëve me para të katër bankave të nivelit të dytë që do të transportoheshin për në Vjenë. Paratë u transportuan deri në aeroport nga kompania e sigurisë fizike “Nazeri 2000”.

Në këtë kohë, kur punonjësit po transportonin nga makina brenda avionit paratë, një furgon i bardhë me mbishkrimin “Hetimi Tatimor” hyri me shpejtësi në pistë dhe ndaloi afër avionit.

Nga furgoni dolën katër grabitës të maskuar dhe të armatosur. Ata kërcënuan me armë punonjësit e ngarkim-shkarkimit.

Siç duket dhe në foto, grabitësit ishin maskuar për të fshehur identitetin dhe mbanin jelek anti-plumb.

Pasi kanë marrë thasët me para nga barku i avionit dhe nga makina transportuese, grabitësit kanë ecur me furgon përgjatë gjithë pistës pa u penguar nga askush dhe janë larguar nga porta e zjarrëfikëses në pistë në drejtimin Rinas- Fushë Krujë. Pasi grabitësit dolën nga rrethimi i aeroportit, u ndeshën me policinë.

Pasi kanë ecur rreth 800 metra në rrugë dytësore, grabitësit kanë vendosur të ndërrojnë makinën.

Në momentin kur grabitësit po linin furgonin e bardhë me shkrimin “Hetimi Tatimor”, mes grabitësve dhe policisë pati shkëmbim zjarri, gjatë së cilit u vra një prej grabitësve dhe u plagos një tjetër.

Grabitësit e hodhën jashtë furgonit trupin e të vrarit, i vunë flakën furgonit të bardhë dhe u larguan me një furgon tjetër drejt Fushë-Krujës. Policia ishte e papajisur me mjetet e duhura për të ndaluar grabitësit. Ata nuk kishin as veshje antiplumb, dhe as armatimin e nevojshem për këto raste.

Një orë më pas, në një zonë mes Kamzës dhe Bathores, u gjet i djegur furgoni i dytë i grabitësve. Brenda tij u gjetën armë të llojeve të ndryshme.

Që prej ditës së djeshme, Forcat Speciale, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, si dhe një helikopter u vunë në ndjekje të grabitësve.

Në mbrëmje mediat bënë publike se një tjetër prej të grabitësve, i plagosur, është arrestuar. Identiteti i tij nuk është bërë ende publik.

Mëngjesin e sotëm, në media është bërë publik lajmi se grabitësi i vrarë është identifikuar si Admir Murataj, i arratisur nga burgu grek i Trikallës në vitin 2013.

Çfarë nuk dihet ende

Policia deri më sot nuk ka bërë asnjë njoftim zyrtar për ngjarjen. Deri më tani nuk dihet se sa është shuma e parave të grabitura dhe cilës bankë i përkisnin ato.

Në rast se paratë i përkisnin më shumë se një banke të nivelit të dytë, a është bërë transporti i tyre vetëm nga një kompani e sigurimit fizik apo nga disa. Nëse është bërë nga disa, cilat janë këto kompani?

Nuk dihet ende se në cilin moment ka rënë alarmi i sigurisë se brenda rrethimit të sigurisë së Rinasit dhe në pistën e fluturimit është futur një automjet i paautorizuar.

Po ashtu nuk dihet përse kompania e sigurisë në Aeroportin e Rinasit, ICTS Albania, përgjegjëse për sigurinë në pistë, nuk ka marrë masa për parandalimin e ngjarjeve të tilla, marrë shkas nga grabitjet e mëparshme në Rinas.

Përse drejtoria përkatëse në aeroportin e Rinasit nuk ka bërë kontrollin e elementëve të sigurisë që ka marrë përsipër sipas kontratës, firma nënkontraktore ICST Albania.

Rastet e mëparshme

Në 2015, katër persona të armatosur dhe të veshur si policë ndaluan automjetin e blinduar i cili po transportonte parate e bankës Credins për në Aeroportin e Rinasit. Ata qëlluan me armë në drejtim të mjetit, më pas u afruan dhe thyen me levë xhamin e automjetit të kompanisë së sigurimit “Rogat Security”.

30 qershor 2016, brenda në aeroportin e Rinasit u vodhën 3 milionë euro. Autorët e ngjarjes ende nuk janë identifikuar. Ndërkohë pesë punonjës të kompanisë ICTS, përgjegjëse për sigurinë e Aeroportit u arrestuan. Kompania e sigurimit që transportonte paratë ishte sërish “Nazeri 2000”.

9 shkurt 2017, pesë persona të maskuar dhe nën kërcënimin e armëve grabitën 3.2 milionë dollarë nga makinat e policisë private “Jaguar” teksa paratë ishin duke u transportuar drejt Rinasit.