Hapi i parë drejt kontrollit politik të UT-së: Ministrja Shahini pezullon Rektorin Koni

Nga Ilmi Rehova
Hapi i parë drejt kontrollit politik të UT-së: Ministrja Shahini pezullon Rektorin Koni

Ministria e Arsimit Besa Shahini pezulloi dje nga detyra Rektorin e Universitetit të Tiranës Mynyr Koni dhe i propozoi Presidentit Meta shkarkimin e tij.

Nuk dihet cilat janë argumentat ligjore dhe faktet që Ministrja i ka dërguar Presidentit, pasi nuk është bërë publik as vendimi i pezullimit dhe as kërkesa ndaj Presidentit.

Vendimin e saj Ministrja Shahini e njoftoi dje pasdite me një dalje para mediave . Argumenti i saj për pezullimin ka qenë në thelb politik, duke e akuzuar Rektorin për moszbatim të pakteve dhe reformave politike të qeverisë, si dhe duke dhënë përshtypje dhe opinione personale, pa referenca dhe argumenta ligjore dhe institucionale.

Duhet theksuar se rektorët e universiteteve zgjidhen me votën e pedagogëve dhe studentëve të institucionit përkatës.

Ligji i Arsimit të Lartë, i cili garanton pavarësinë administrative të universiteteve, parashikon në Nenin 39, pikë 10 se Rektori mund të pezullohet vetëm:

“në rastet e kryerjes së veprave penale flagrante ose të shkeljeve të rënda të ligjit, të pamundësisë për të kryer detyrën dhe për rastet e parashikuara në Kodin e Etikës së institucionit të arsimit të lartë.”

Por vendimi i skajshëm, i pari pas miratimit të ligjit të arsimit të lartë të vitit 2015, duket se nuk përmbush kërkesat e ligjit. Arsyeja kryesore që dha Ministrja Shahini për pezullimin është fakti se modeli i ri i administrimit të universiteteve, prezantuar nga qeveria, “ka funksionuar në të gjitha universitetet publike në Shqipëri përveç universitetit të Tiranës”. Por, ajo nuk dha asnjë sqarim se çfarë nuk ka zbatuar Universiteti i Tiranës që e kanë zbatuar universitetet e tjera dhe cilat ligje janë shkelur nga rektori.

Ministrja vazhdoi të jepte arsye të përgjithshme për pezullimin e Rektorit, të cilat më shumë se arsye ligjore, janë thjesht opinion subjektiv i qeverisë se Rektori duhet larguar:

— “Rektori i Universitetit të Tiranës nuk është mjaftuar gjithmonë vetëm me kompetencat e dhëna me ligj, kompetencat akademike, por ka synuar edhe kompetenca administrative të cilat me ligj nuk i takojnë.”

— “Në disa raste nuk ka lejuar organet përkatëse të ushtrojnë ato kompetenca, gjë që ka shkaktur nja betejë të hapur mes organeve udhëheqëse në Universitetin e Tiranës në dëm të procesit mësimor, cilësisë së arsimit dhe në dëm të eksperiencës studentore në universitet.”

Më tej, Ministrja Shahini ka informuar se, në shkurt të vitit 2018, Ministria e Arsimit kishte dërguar një grup inspektimi në Universitetin e Tiranës për të verifikuar zbatimin e Ligjit të Arsimit të Lartë. Ky grup la një sërë rekomandimesh, të cilat sipas një inspektimi tjetër në vjeshtën e vitit 2018 nuk ishin përmbushur nga Rektori Koni.

Ministrja nuk sqaroi se cilat ishin këto rekomandime, por u shpreh se Rektorit Koni nga qeveria:

— I është kërkuar të shfuqizojë vendimet që ka marrë në tejkalim eë kompetencave,

— I është kërkuar të mos pengojë procesin e punësimit të stafit akademik, sipas nevojave të fakulteteve, çfarë ka paralizuar funksionimin e disa fakulteteve

— “I është kërkuar të lejojë përdorimin e arkivit dhe protokollit nga stafi administrativ, gjë që nuk është bërë duke penguar shpesh mirëfunksionimin e pjesës administrative.

— I është kërkuar që urgjentisht të funksionalizojë sistemin e teknologjisë informative në universitet. Ministrja është shprehur se mosfunksionimi i sistemit IT ka penguar nismat e qeverisë të ndërmarra në kuadër të paktit për Universitetin, si nisma për shpërndarjen e bursave apo edhe qasjen e Universitetit të Tiranës në bibliotekën dixhitale.

Argumentat e mësipërme janë të përgjithshme dhe vështirë se mund të jenë apo përbëjnë si “shkelje të rëndë ligjore”. Në fakt, ato duken më shumë si probleme administrimi dhe tregues të përplasjes midis qeverisë dhe Rektorit. Duhet sqaruar se Rektori është përgjegjës vetëm për udhëheqjen e anës akademike të universiteteve, ndërsa administrimin e universitetit e kryen Bordi i Administrimit dhe Administratori, i zgjedhur prej bordit. Në Universitetin e Tiranës, Bordi i Administrimit ka në shumicë përfaqësues të qeverisë dhe në pakicë ata të universitetit. Për rrjedhojë Administratori i UT-së është përzgjedhur nga qeveria.

Duket se ankesat dhe vendimi Ministres kanë të bëjnë pikërisht me përpjekjen e qeverisë për të kontrolluar UT-në, gjë që ajo nuk e ka arritur ta bëjë me anë të Administratorit, i cili siç thotë vetë Minsitrja është penguar nga Rektori në disa veprime.

Hipoteza e përpjekjes për kontrollin politik të Universitetit përforcohet nga justifikimi i pezullimit me akuzën se Rektori është bërë pengesë për zbatimin e të ashtuquajturit “pakt për universitetin”. Por ky i ashtuquajtur “pakt”, është në fakt një listë me disa pika që Kryeministri u premtoi publikisht studentëve për të shuar protestën e tyre—pra, është pakt politik dhe jo akt ligjor.

Subjektivizmi jashtëligjor i Ministres duket edhe nga fakti se ajo shprehet se e mungesa e rrjetit IT në UT—që në fakt është përgjegjësi e Administratorit—është bërë pengesë për aksesin në bibliotekën dixhitale të universitetit. Vetëm se aksesi në këtë bibliotekë u shpall vetëm para 10 ditësh dhe ende nuk është bërë praktikisht i aksesueshëm nga asnjë student i universiteteve të tjera. Të akuzosh menjëherë Rektorin e UT për këtë gjë duket të paktën e padrejtë, për të mos thënë sulm i pabazë për qëllime politike.

Motivimi politik dhe jo ligjor i vendimit të Ministres vihet re edhe nga fakti se ajo vazhdimisht i referohet protestës së studentëve, që ishte një protestë kundër qeverisë, me kërkesa të qarta për ndryshimin e politikave publike, plotësimi i të cilave nga qeveria nuk është detyrë e Rektorit, i cili është i detyruar të zbatojë ligjin dhe të ruajë pavarësinë nga qeveria.

Pa e kuptuar, në fund të fjalës së saj Ministrja dëshmoi hapur se vendimi i qeverisë është arbitrar dhe me motive politike për të kontrolluar drejtimin e universitetit. Duke ju referuar vizionit politik të qeverisë, Ministrja u shpreh:

“Por që ky vizion të realizohet, na duhet një frymë e re në universitet. Na duhet një frymë bashkëpunimi mes studentëve e pedagogëve, pedagogëve e udhëheqësve të universitetit, udhëheqësve mes tyre apo edhe me ne si ministri— gjë që është bërë e pamundur në Universitetin e Tiranës dhe sot jemi në këtë pikë ku unë detyrohem të marr një vendim të vështirë si ky i pezullimit të rektorit.”

Nga arsyetimi që Ministrja i bën pezullimit duket se ajo nuk ka asnjë vetëdije se rektori pezullohet vetëm në rastet e rralla kur e përcakton ligji dhe jo kur mendon Ministrja se ai nuk po punon mirë, nuk po bashkëpunon të apo nuk po zbaton vijën politike të qeverisë.

Aq më pak duket ajo e vetëdijshme, se universiteti është institucion i pavarur dhe marrëdhëniet mes të gjitha pjesëve të tij rregullohen me ligj. Detyra e Universiteti të pavarur nuk është të përmbushë vizionet apo paktet politike të qeverisë, por t’i shërbejë në mënyrë të pavarur shkollimit të studentëve dhe shkencës.

Ndoshta, ajo që la shijen më të keqe në fjalën e Ministres ishte arroganca e hapur e saj—një ministre vetëm tre muaj në detyrë, e emëruar si zgjedhje personale e Kryeministrit, pa asnjë pëvojë në qeverisje, pa asnjë përfaqësim politik apo të çfarëdo lloji tjetër, përballë Rektorit, të cilit jo vetëm ligji i njeh pavarësi nga qeveria, por është i zgjedhur me votim të lirë dhe të fshehtë nga mijëra studentë dhe pedagogë.

Ministrja duket se e konsideron Rektorin vartës së saj dhe me arrogancën e shefes së lodhur me vartësin u shpreh:

“Rektori është ankuar shpesh për dekanët, por kurrë nuk ka ardhur me një kërkesë të mirë-argumentuar që t’ja aprovojmë heqjen e tyre. Shpresova se do të shfrytëzonte momentumin e krijuar nga protesta e studentëve për të ndërmarrë masa dhe përmirësuar klimën e punës në universitet, por kjo nuk ndodhi.”

Duke qenë se Rektori nuk i është përgjigjur “momentumit” të krijuar nga protesta, çfarëdo kuptimi pastëtë kjo fjalë, Ministrja ka vendosur ta pushojë nga puna atë që e mendon si vartës:

 “Unë nuk kam në dorë asnjë mjet tjetër ligjor për të zgjidhur ngërçin në Universitetin e Tiranës përveç të pezulloj rektorin”.

Mjafton një fakt i fundit për të kuptuar prapavijën e qartë politike të vendimit të Ministres. Nëse ka një ngërç sot në Universitetin e Tiranës ai është krijuar nga qeveria. Që nga shkurti 2019, në UT nuk funksionon Bordi i Administrimit për shkak së Ministria nuk ka emëruar ende përfaqësuesit e saj në bord—të mëparshmit qeveria i shkarkoi pas protestës studentore.

Nga ana tjetër, Ministrja vazhdon të mbajë në detyrë Administratorin e UT-së, njeri i denoncuar si militant socialist, dhe personi të cilin qeveria e përdori për të justifikuar pushtimin e paligjshëm nga policia të mjediseve universitare gjatë protestës së studentëve.

Në fakt, Kryeministri Rama e kishte paralajmëruar para 10 ditësh se ai do vinte nën kontrollin e tij Universitetin e Tiranës. Në ceremominë e paraqitjes të lidhjes së universiteteve shqiptare me një bibliotekë dixhitale të një kompanie private amerikane, Kryeministri u shpreh:

Rektorati i Universit të Tiranës është vendi ku duhet të gjinden zgjidhjet dhe jo vendi ku pengohen zgjedhjet e problemet.

 E kam thënë edhe herë tjetër që kemi rezerva të konsiderueshme lidhur me drejtimin e Universiteti të Tiranës dhe besoj që nuk them diçka të parakohshme, sepse është koha për të adresuar kompetencën e plotë dhe mungesën e vullnetit, të konstatuar në raport edhe me atë që jemi përpjekur të bëjmë për të adresuar kërkesat legjitimet të studentëve.

 Universiteti i Tiranës është i papërgatitur për t’iu përgjigjur kësaj teknologjie dhe vazhdimit të dhënies së leksioneve me anë të praktikave me dorë.

 Tani duhet të merret Ministria e Arsimit që të lehtësojë aksesin e studentëve në ‘Bibliotekën Digjitale’ sepse nuk ka as një shprehje të vullnetin më minimal për t’i dhënë zgjidhej kësaj çështjeje.”

5 komente

    Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

    Lajme te ngjashme