KP kërkon shkarkimin e Prelës për pasuri të pajustifikuar

KP kërkon shkarkimin e Prelës për pasuri të pajustifikuar Donika Prela gjatë seancës së KPK-së

Komisioneri Publik kërkoi dje shkarkimin e kryeprokurores së Krimeve të Rënda Donika Prela pasi ajo nuk justifikon me burime të ligjshme pasurinë.

Pas paraqitjes dje të kërkesës në Kolegjin e Apelimit për rrëzimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, sot është bërë publike nga agjensia BIRN përmbajtja e kësaj kërkese e paraqitur nga Komisioneri Florian Ballhysa.

Edhe pse në kërkesë, Zoti Ballhysa vë theksin tek problemet me justifikimin e pasurisë së prokurores Prela, ai i ka kërkuar KA-së rivlerësimin e Prelës për të treja kriteret e vetingut: pasurinë, profesionalizmin dhe pastërtinë e figurës.

Sikurse Exit.al ka shpjeguar më parë, Donika Prela duket se ka kryer evazion fiskal, duke mos paguar detyrimin tatimor për të ardhurat; ka kryer transaksione të dyshimta, dhe me gjasa të paligjshme, financiare, duke marrë disa herë hua pa kontratë, me para në dorë dhe nga njerëz që nuk i justifikojnë paratë; ka blerë dy apartamente nën çmimin e tregut dhe i ka shitur më pas duke nxjerrë fitime të pazakonta, për të cilin nuk ka paguar taksat në çdo rast.

Pavarësisht këtyre shkeljeve, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e konfirmoi atë në detyrë para rreth dy javësh.

Gjatë hetimit të KPK-së, një ndër problemet që u zbulua ishte se bashkëshorti i Prelës nuk kishte paguar taksat për rreth 2,5 milionë lekë të ardhura nga rroga e tij.

Në kërkesën për shkarkim, Komisioneri Ballhysa shprehet se nuk është e drejtë që KPK ka toleruar dhe ka quajtur si të ligjshme të ardhurat e pataksuara të bashkëshortit të prokurores, duke përmendur precedentët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që për të njëjtin problem u kushtuan karrierën disa kolegëve të saj.

Komisioneri përmend praktikën e ndjekur më parë nga Kolegji në rastin e shkarkimit të kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja apo të gjyqtarit Artan Lazaj. Sipas Komisionerit Publik, vendimi i KPK-së bie gjithashtu në kundërshtim me rekomandimet e ONM-së për kreun e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori apo sërish për Bashkim Dedjen.

Komisioneri Ballhysa i kujton KPK-së nenin D të Kushtetutës që përcakton se të ardhurat e ligjshme janë vetëm të ardhurat që “janë deklaruar dhe për të cilat janë paguar detyrimet tatimore”.

“Ky interpretim i përmbajtjes së nenit D, pika 3 e Aneksit të Kushtetutës… është konfirmuar tashmë edhe nga jurisprudence e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, vendime të dhëna mbi ankime të Komisionerit Publik, që në disa raste janë ushtruar edhe pas shqyrtimit të rekomandimeve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit,” shkruan Komisioneri.

Për më tepër, bashkëshorti i Prelës akuzoi si fajtor, për mospagimin e taksave, kompaninë për të cilën ka punuar. Por komisioneri Publik ngre dyshime edhe mbi argumentet e përdorura nga Prela para KPK-së lidhur me padijeninë e të shoqit për taksat e papaguara dhe padinë e bërë ndaj kompanisë. Ai thotë se për qëllim të detyrimeve tatimore, kompania ka paguar gjysmën e pagës me bankë dhe gjysmën me arkë, rrethanë kjo e mjaftueshme për të qenë në dijeni.

Komisioneri Ballhysa argumenton ndryshe nga KPK edhe për një hua të dyshimtë të marrë nga kushuriri i bashkëshortit të prokurores Prela.

Për blerjen e një apartamenti në Tiranë, çifti Prela ka deklaruar se ka marrë – në vitin 2007 dhe e ka shlyer brenda vitit 2009 – një hua prej 15 mijë eurosh, nga GJ.P., djali i xhaxhait i bashkëshortit të Zonjës Prela. Sipas Prelës, huaja është marrë pa deklaratë noteriale apo kontratë, dhe të gjitha pagesat në lidhje me huanë janë bërë jashtë banke dhe pa asnjë dokument formal.

Duke iu referuar dokumenteve në dosje, Komisioneri argumenton se i afërmi nuk kishte burime të ligjshme për dhënien e huasë. Ai arrin gjithashtu në përfundimin se Prela dhe bashkëshorti i saj nuk kishin të ardhura të mjaftueshme për të shlyer këstet e borxhit të mësipërm.

Komisioneri Ballhysa përmend dhe dy raste të transaksioneve të bashkëshortit të Prelës, të cilat janë raportuar nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave.

Rasti i parë lidhet me një hua prej 25 mijë eurosh, e cila nuk figuron në deklaratat e pasurisë dhe që u shpjegua prej Prelës se bashkëshorti i saj kishte ndjekur me prokurë dhënien dhe marrjen e borxhit nga persona të tretë. Por Komisioneri Publik thotë se sipas të dhënave të bankës, bashkëshorti i saj ka qenë kreditor i shumës në fjalë për gati tre vjet, duke e bërë këtë shumë subjekt të deklarimit.

Rasti i dytë i raportuar nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave në ILDKPKI lidhet me një pagesë prej rreth 1.7 milionë lekësh që Vangjel Prela kishte paguar në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Durrës për llogari të kompanisë së ndërtimit ku kishte punuar më parë.

Për këto arsye, Komisioneri shprehet se Donika Prela ka bërë deklarim të pasaktë të pasurisë, jo në përputhje me ligjin dhe nuk justifikon me burime të ligjshme pasurinë e vënë ndër vite.

Lidhur me profesionalizmin, KP shprehet se Prela ka pasur standarde të ndryshme për hetimin e dy rasteve të “drejtimit të automjetit në mënyrë të parregullt”, ku njëri prej të akuzuarve është proceduar në kushtet e “arrestit me burg” dhe tjetri në gjendje të lirë.

Më shumë për rastin Prela mund të lexoni këtu dhe këtu.

 

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme