Parlamenti holandez miraton mocion për kthimin e vizave me Shqipërinë

Parlamenti holandez miraton mocion për kthimin e vizave me Shqipërinë Parliamenti i Holandës në Hagë

Parlamenti holandez miratoi sot një mocion që i bën thirrje qeverisë holandeze t’i kërkojë Komisionit Evropian nisjen e procedurës për rivendosjen e vizave me Shqipërinë për zonën Shengen.

Votimi i sotëm është një sinjal i fortë se parlamentit holandez nuk i ka bërë përshtypje ecuria e qeverisë shqiptare në përballjen me krimin e organizuar.

Mocioni u propozua nga deputetët Madeleine van Toorenburg (Partia Kristian Demokrate), Jeroen van Wijngaarden (Partia Konservatore Liberale), Jasper van Dijk (Partia Socialiste) dhe Nico Drost (Bashkimi Kristian). Partia Kristian Demokratte, ajo Konservator Liberale dhe Bashkimi Kristian janë pjesë e koalicionit qeveritar të kryeministrit Mark Rutte. Për këtë arsye ka pak gjasa që qeveria holandeze të mos e marrë parasysh mocionin e sotëm, i cili është vetëm rekomandues.

Gjasat që kërkesa e qeverisë holandeze për ndalimin e hyrjes së lirë të shqiptarëve në zonën Shengen të gjejë mbështetjen e shumicës së anëtarëve të BE-së janë të ulëta, ndaj edhe miratimi i këtij mocioni në parlamentin holandez nuk ka të ngjarë të sjellë ndonjë ndryshim praktikë në lidhje me liberalizimin e vizave për shqiptarët.

Megjithatë, ky mocion jep një sinjal shumë të fortë se parlamenti holandez ka gjasa të votojë kundër hapjes së negociatave të pranimit me Shqipërinë në qershor, pavarësisht se sa rrjedhshëm shkruhet Raporti i ardhshëm i Përparimit nga Komisioni Europian.

Në debatin parlamentar të javës së shkuar, Ministri holandez i Punëve të Jashtme Stef Blok konfirmoi se qeveria është kundër hapjes së negociatave:

“Parlamenti e di se Hollanda, për sa i përket kësaj ambicieje të Shqipërisë [për të hyrë në BE], e konsideron Shqipërinë jo të gatshme të hapë negociatat për pranim, sepse një numër i madh hapash duhet të bëhen për të arritur atje. Ky është pozicioni aktual i Holandës së bashku me një numër të vogël të vendeve të tjera evropiane.”

Në mediat hollandeze ka pasur shumë pak zëra që kanë folur kundër mocionit parlamentar. Mes atyre që janë shprehur kundër është ish-Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri Robert Bosch, i cili u kontraktua vitin e kaluar nga qeveria shqiptare dhe firmat hollandeze që zbatojnë projektin EURALIUS për të moderuar një “debat” mbi përparimin e Shqipërisë, i cili u kthye në një himn lëvdues për qeverinë Rama. Bosch deklaroi asokohe se është e nevojshme për “të konvertuar njerëzit” në lajmëtarë të përparimit të Shqipërisë nën udhëheqjen e Ramës.

Në një artikull të publikuar nga The Post Online, e cila është një platformë e autorëve populistë të krahut të djathtë, Bosch e quajti debatin parlamentar një “mbrëmje të keqe për demokracinë” dhe pretendoi se “qeveria shqiptare po bën gjithçka për të zmbrapsur krimin dhe korrupsionin.” Nuk është për t’u habitur që Bosch nuk dha shumë prova për të mbështetur këtë pretendim.

4 komente

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Komentet:

    Lajme te ngjashme