Prokurori i ri i Përgjithshëm mund të zgjidhet pa kaluar vetingun

Prokurori i ri i Përgjithshëm mund të zgjidhet pa kaluar vetingun

Kandidatët për Prokurorë të Përgjithshëm dhe për Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë, të cilët nuk kanë statusin e magjistratit, pra nuk janë prokurorë ose gjykatës nuk do t’i nënshtrohen vetingut.  Kjo për arsye se sipas ligjit në procesin e vetingut kalojnë vetëm gjyqtarët, prokurorët, ndihmësit dhe këshilltarët ligjorë nëpër gjykata dhe prokurori.

Ky proces u sqarua nga Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi Ardian Dvorani për gazetaren Aleksandra Bogdani të reporter.al. Ai  shpjegoi se detyra e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi është të verifikojë kushtet ligjore për promovimin në detyrë, ndërkohë që vlerësimi i pasurisë dhe i figurës do të bazohet mbi raportet e Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, Shërbimit Informativ Shtetëror apo institucionet e tjera financiare në vend.

“Kushtetuta dhe ligjet nuk janë hartuar për një periudhë kalimtare-siç është vetingu, por me predispozitën që institucionet janë funksionale dhe e bëjnë punën e tyre. Në rastin e vlerësimit të pasurisë dhe figurës, ne do të jemi të kujdesshëm dhe shpresoj që edhe institucionet e ngarkuara nga ligji të tregohen më të kujdesshme,” shtoi Dvorani.

Edhe kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi i tha BIRN se do të bazohen te institucionet përkatëse për vlerësimin e pasurisë dhe figurës së kandidatëve nga radhët e juristëve për Prokuror të Përgjithshëm.

Ne i kemi lënë vetes të drejtën për ta bërë vetë verifikimin, por kjo për raste përjashtimore. Pra, nëse përballemi me diçka flagrante, që është vërtet evidente,” tha Ibrahimi.

Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë tha se ekzistojnë mundësitë ligjore për kryerjen e vetingut nga institucioni që ai drejton, ndërkohë që u ankua për mungesë totale të ekspertëve.

“Mundësitë ligjore për ta bërë vetë ekzistojnë. Sa dhe si do të arrijmë ta bëjmë, do të varet nga rrethanat,” tha Ibrahimi.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi kanë miratuar tashmë rregulloret për vlerësimin e kandidatëve dhe renditjen e tyre sipas një sistemi pikëzimi, që ka në thelbin e vet shtylla të ngjashme me ato të procesit të vetingut, të tilla si vlerësimi pasuror, integriteti i figurës apo vlerësimi profesional.

KLP hap garën për Prokuror të Përgjithshëm

Këshilli i Lartë i  Prokurorisë hapi mw 19 mars garën për Prokurorin e ri të Përgjithshëm, që do të zëvendësojë Arta Markun. Kushtet që duhet të plotësojnë kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm janw:

Sipas nenit 22, të ligjit 97/2016, kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm duhet:

– të kalojnë me sukses verifikimin e plotë të pasurisë dhe figurës së tyre;

– të plotësojnë kërkesat e ligjit të dekriminalizimit, pra të mos jenë dënuar në të shkuarën;

– të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar nga Sigurimi i Shtetit përpara vitit 1990 apo të ndonjë shërbimi tjetër sekret;

– të mos jenë dënuar më parë me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;

– të mos jenë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore, si dhe të mos kenë masa disiplinore në fuqi.

Si do të zgjidhet Prokurori i ri i Përgjithshëm

Kandidatët që plotësojnë kushtet e kërkuara me ligj, vlerësohen dhe renditen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë bazuar në disa kritere:

– vlerësimin profesional në fushën e drejtësisë penale;

– integritetin moral dhe profesional i kandidatit;

– aftësitë organizative dhe drejtuese;

– vlerësimin e elementëve plotësuese si titujt akademike, studime dhe trajnime jashtë vendit, njohja e gjuhëve të huaja.

Më pas, KLP i paraqet Kuvendit të Shqipërisë propozimin për të zgjedhur Prokurorin e Përgjithshëm mes tre kandidatëve të renditur të parët në listë. Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet ai kandidat që merr votat e të paktën 84 deputetëve.

Ligji nuk kufizon numrin e votimeve që mund të ndërmarrë Kuvendi, por nëse ai nuk arrin ta zgjedhë Prokurorin e Përgjithshëm brenda 30 ditëve nga paraqitja e propozimeve, kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë shpallet i emëruar.

0 komente

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme