Prokurorja Bala nuk merr pjesë në seancën për dhunimin e 3-vjeçarit nga Nashi Shehapi

Pas akuzave të fundit dhe një regjistrimi ku thuhej se e akuzuara "pagoi para" për ta mbyllur çështjen përpara se të shkojë në gjykatë, prokurorja Bala nuk mori pjesë në seancën dëgjimore dje në Tiranë.

Nga Alice Elizabeth Taylor
Prokurorja Bala nuk merr pjesë në seancën për dhunimin e 3-vjeçarit nga Nashi Shehapi Nashi Shehapi duke votuar, Nashi Shehapi me ministren Ogerta Manastirliu

Mëngjesin e 11 prillit, në Gjykatën Penale të Tiranës ishte caktuar një seancë dëgjimore për të vendosur nëse gjyqtari do ta pranonte shqyrtimin në gjykatë të çështjes ndaj Nashi Shehapit, drejtoreshës së kopshtit akuzuar për dhunimin e një 3-vjeçari. Prokurorja e çështjes Eriselda Bala nuk mori pjesë në seancë, duke mos i dhënë askujt njoftim se ajo nuk do të ishte e pranishme.

Arsyeja për mungesën e saj në seancë nuk dihet dhe seanca e radhës do të jetë më 30 prill.

Shehapi akuzohet se ka keqtrajtuar fizikisht një djalë trevjeçar në gusht të vitit 2018. Gjithashtu, ajo akuzohet se e ka mbyllur këtë fëmijë, por edhe të tjerë, në “vrimën e miut”, që rezultoi të ishte një dollap i vogël dhe i errët nën shkallët e Kopshtit Nr. 1 në Tiranë.

Shehapi, e cila mban pozicionin e drejtorit të Kopshtit Nr.1 ​​(si dhe drejton strukturën lokale të Partisë Socialiste në zonën e saj), pavarësisht se nuk ka kualifikimin përkatës dhe nuk ka aplikuar për këtë pozicion pune, është shfaqur gjithsej në tre seanca, gjithnjë pa avokat mbrojtës. Duket e çuditshme që një person i akuzuar për një vepër penale të mos marrë ndihmën e një profesionisti ligjor për ta drejtuar në një çështje ligjore.

Pavarësisht nga raportet mjekësore, këmbënguljes së fëmijës se Shehapi e ka rrahur atë dhe një dëshmie dy-orëshe të dhënë nga fëmija në praninë e dëshmitarëve – hetimi nga prokurorja Bala filloi vetëm pasi Exit.al e publikoi ngjarjen në muajin tetor 2018.

Zonja Bala i kërkoi gjykatësit ta mbyllë çështjen, pasi tha se nuk kishte “asnjë provë” se Shehapi e kishte kryer krimin. Ajo paraqiti një deklaratë prej pesë rreshtash si përmbledhje të intervistës së psikologëve me fëmijën, pa e përmendur Shehapin dhe duke nxjerrë në pah se trevjeçari kishte thënë “Unë nuk kam asgjë për të shtuar më tej.”

Ajo gjithashtu paraqiti një listë me firma që e shpallnin Nashi Shehapin të pafajshme – mes firmëtarëve ishin një nëpunëse e  qeverisë, rojet e natës të kopshtit dhe prindi i një fëmije që as nuk merr pjesë në kopshtin e fëmijëve.

Bala tha gjithashtu se ajo nuk gjeti asnjë provë për “vrimën e miut” pavarësisht se gazetarët e Exit.al e gjetën dhe e fotografuan “vrimën e miut” gjatë një vizite shumë të shkurtër në kopshtin e fëmijëve Nr.1.

“Vrima e miut”

Në tetor të vitit të kaluar, për shkak të faktit që hetimi ende nuk ishte hapur apo progresuar, babai i fëmijës vizitoi Prokurorinë dhe kërkoi të takohej me prokuroren Bala për të diskutuar çështjen.

Prokurorja Bala shfaqi nivele të larta të joprofesionalizmit. Së pari, ajo nuk pranoi të takonte babanë e fëmijës – duke i thënë atij se duhej të aplikonte me shkrim në mënyrë që të kishte një takim me të. Ai e bëri këtë menjëherë, duke kërkuar ndihmën e një prokurori tjetër në zyrë për t’u siguruar që prokurorja Bala do ta pranote kërkesën. Por ajo e refuzoi kërkesën me shkrim dhe vetëm kur një prokuror tjetër ngriti zërin për sjelljen jo profesionale të sajën, prokurorja Bala u dorëzua.

Zonja Bala refuzoi të fliste në gjuhën angleze megjithëse një shtetase angleze ishte gjithashtu e pranishme – ajo shpjegoi se megjithëse mund të fliste anglisht, ajo nuk dëshironte të fliste në atë moment.

Më pas ajo i tha babait të fëmijës së dhunuar se publikimi i rastit në media ishte “jo i mira” për çështjen. Ajo pastaj e përsëriti këtë fakt me nënën e fëmijës disa javë më parë duke deklaruar se duke folur publikisht, prindërit kishin “dëmtuar hetimin”. Prokuroja Bala nuk e sqaroi më gjatë se çfarë nënkuptonte me këtë deklaratë.

Redaksia e Exit.al, po ashtu, ka në zotërim një regjistrim që  konfirmon një numër akuzash të ngritura kundër Drejtoreshës së Kopshtit Nr.1 në Tiranë, ndër të tjera dhe se Nashi Shehapi “pagoi para” për të mbyllur çështjen në gjykatë. Informata të tjera kanë ardhur nga një burim i cili përsërit pretendimin se janë shkëmbyer para për ta mbajtur çështjen jashtë gjykatës.

Ky informacion mbështetet dhe nga deklaratat e vazhdueshme të Nashi Shehapit se ajo kurrë nuk do të dalë fajtore dhe se nëse ndonjë nga punonjësit e Kopshtit flet kundër saj, ata do të humbasin vendin e punës.

 

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme