Qeveria i jep televizioneve private miliona euro në prag të zgjedhjeve

Nga Alice Elizabeth Taylor
Qeveria i jep televizioneve private miliona euro në prag të zgjedhjeve

Qeveria do t’i japë 4 milionë euro në total disa prej televizioneve kryesore private në vend, përfshi Top Channel, Tv Klan, Digitalb dhe Vizion Plus.

Vendimi u mor nga qeveria më 4 prill 2019, dhe u publikua në Fletoren Zyrtare pak ditë më parë. Sipas vendimit, transmetuesit kombëtar dhe transmetuesit kryesorë dixhitalë do të kompensohen për shpenzimet e bëra për kalimin nga transmetimi analog në atë digjital.

Vendimi i Qeverisë shkruan se operatorët me eksperiencë në transmetimet digjitale do të marrin deri në 2 milionë euro për mbulimin e pjesshëm të kostove të ndryshimeve teknologjike. Ata që konsiderohen si operatorë privatë historikë kombëtarë gjithashtu do të marrin deri në 2 milionë euro për mbulimin e investimeve të bëra për të ndryshuar strukturën e tyre të transmetimit nga analog në dixhital.

Shuma totale e dhënë për çdo transmetues do të llogaritet si përqindje e shumës së tatimit të paguar nga secili operator.

Sipas ligjit, ata që do të përfitojnë nga pagesa e qeverisë përfshijnë Top Channel, Vizion Plus, TV Klan dhe Digitalb.

Vendimi për të dhënë shuma të tilla parash para zgjedhjeve ka hasur në kritika të shumta. Shpërndarja e shumave të mëdha të parave në mediat kryesore të vendit krijon dyshimi se qeveria po i blen ato me qellimin për mbulimin mediatik në favor të qeverisë — në një kohë kur qeveria po përballet me kritika si nga brenda vendit, ashtu dhe nga ndërkombëtarët.

Pas raportit të Reporterëve pa Kufij për Indeksin Global të Lirisë së Medias 2019,  që kritikonte cenimin e lirisë së medias dhe gazetarëve në Shqipëri, kryeministri Rama i quajti sërish mediat “kazan” dhe këmbënguli se ato janë të lira të raportojnë ashtu siç dëshirojnë dhe nuk “shantazhohen”.

Renditja e Shqipërisë në këtë indeks është përkeqësuar duke zbritur shtatë vende më poshtë brenda një viti. Shqipëria, po ashtu, rendeitet ndër vendet e fundit në Europë për respektimin e të drejtave të gazetarëve dhe lirisë së medias.

Raporti i RSF përshkruante jo vetëm kërcënimet dhe taktikat e frikësimit të përdorura kundër gazetarëve, por edhe faktin se “media është e përqendruar në duart e disa biznesmenëve të mëdhenj”. Sipas RSF, u konstatua gjithashtu se rregulloret dhe ligjet u manipuluan në favor të interesave të qeverisë dhe se në median shqiptare vetë-censura është shumë e përhapur.

Zhvillimet e fundit në vend sipas së cilave qeveria do t’i japë një pjesë të pronarëve të mediave miliona euro nga paratë e taksapagueve, nuk do të ndihmojë në përmirësimin e perceptimit të pavarësisë së medias në Shqipëri.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme