Qeveria nuk ka asnjë kapacitet për të mbrojtur kufijtë e vendit

Qeveria nuk ka asnjë kapacitet për të mbrojtur kufijtë e vendit

Si ndodhi grabitja në Rinas, 30 qershor 2016

Më 30 qershor 2016, në orën 14:23, një prej grabitësve i veshur me rroba fosforeshente, ngjashëm me ato të punonjësve të sigurisë në aeroport, kaloi derën në skajin veri-perëndimor të pistës, e cila përdoret vetëm për hyrje-daljen e mjeteve që furnizojnë me karburant avionët. Grabitësi preu drynin e derës dhe e hapi atë, menjëherë hyri një makinë e tipit Mercedes dhe ndoqi rrugën e shënuar me të kuqe në hartë. Grabitësit u futën me makinë në vendqëndrimin e automjeteve të shërbimit dhe grabitën paratë që ndodheshin në makinën e blinduar të kompanisë Nazeri 2000. Grabitja zgjati vetëm 3 minuta.

Në orën 14:27, makina doli nga e njëjta derë, nga rruga e vijëzuar me jeshile në hartë, dhe u drejtua për në aksin rrugor Rinas-Fushë-Krujë Vorë. Makina u gjet më pas e djegur në Fushë-Prezë.

Si ndodhi grabitja në Rinas, 9 prill 2019

Më 9 prill 2019, në orën 15:00, një furgon i bardhë me mbishkrimin “Hetimi Tatimor” u fut me shpejtësi brenda perimetrit të aeroportit, pasi njëri nga grabitësit preu drynin e një prej dyerve të rrethimit, që përdorej nga makinat zjarrfikëse. Më pas makina iu afrua avionit ku punonjësit e ngarkim-shkarkimit po transportonin thasët me para nga makina e blinduar në barkun e avionit. Nën kërcënimin e armëve, grabitësit morën thasët me para dhe ecën me furgon përgjatë gjithë pistës, pa u penguar nga askush. Ata u larguan nga e njëtja portë e zjarrfikëses në drejtimin Rinas- Fushë Krujë. E gjithë grabitja zgjati më pak se 5 minuta.

Deri më tani nuk ka ende një shifër të saktë se sa para janë marrë. Në media janë përfolur shuma nga 2 deri në 10 milionë euro.

Në tre vitet e fundit, të paktën dy prej vjedhjeve brenda aeroportit të Rinasit kanë ndodhur duke shfrytëzuar gardhin rrethues dhe dyert për punonjësit ose makinat e shërbimeve.

Sikurse u pa në dy grabitjet, e gjithë siguria e pikës kryesore të kalimit të kufirit në Shqipëri është e “siguruar” me një dryn të thjeshtë, që mban të mbyllur një derë po ashtu të thjeshtë, e cila nuk monitorohej nga punonjës sigurie—në të dy rastet grabitësve iu deshën vetëm pak sekonda për të prerë drynin dhe hyrë brenda në aeroport. Mbetet e pashpjeguar se si lihen pa u siguruar dhe pa nivelin e duhur të mbikëqyrjes dyert nga ku hyjnë makina që kryejnë shërbime brenda aeroportit.

Nga viti 2016 e deri tani, as kompania koncesionare, as institucionet shtetërore nuk kanë përforcuar as gardhin rrethues dhe as portat e aeroportit dhe as kanë rritur mbikëqyrjes në to, qoftë me  kamerave, me punonjës apo përmes sinjaleve zanore në raste të aktiviteteve jonormale në këto porta.

Ngjarja e 9 prillit ishte konfirmimi i radhës se kufijtë tanë janë të pasigurtë. Aeroporti i Rinasit dhe institucionet shtetërore nuk kanë asnjë kapacitet për të shmangur, parandaluar apo mbrojtur qytetarët nga aktet kriminale apo akte të mundshme terroriste.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme