Raportuesja gjermane për Shqipërinë: Nuk do të ketë hapje negociatash me BE-në pa progres konkret

Raportuesja gjermane për Shqipërinë: Nuk do të ketë hapje negociatash me BE-në pa progres konkret Katrin Staffler, raportuese për Shqipërinë në Bundestag

Shqipëria duhet të plotësojë më parë kushtet e vendosura nga Bashkimi Europian, dhe më pas mund të flitet për hapje të negociatave. Kështu dekaloi Katrin Staffler, deputetja e CSU-së dhe raportuesja e CDU/CSU-së për Shqipërinë në Komisionin e BE-së të parlamentit gjerman, në një intervistë për Deutsche Welle-n.

Sipas Zonjës Staffler, parlamenti gjerman nuk do të mbështesë asnjë hapje negociatash për vendet e Ballkanit Perëndimor, nëse nuk shikon përparime konkrete në luftën kundër krimit e korrupsionit, formimin e shtetit të së drejtës apo në reformat e ndryshme:

“BE-ja nuk është vetëm një treg i përbashkët ose një hapësirë e përbashkët ekonomike. Në radhë të parë ajo është një bashkësi vlerash themelore. Këto janë: shteti i së drejtës, lufta kundër korrupsionit, disa të drejta themelore që ua garantojmë njerëzve. Dhe unë mendoj se, për sa kohë që nuk shohim përparime në këto drejtime, bëjmë mirë të mos flasim për afate kohore, të mos bëjmë asnjë premtim, por të shohim se cilat janë pikat që duhen përmbushur.”

Zonja Staffler tha se parlamenti gjerman do të presë raportin e progresit të Komisonit Europian për Shqipërinë, përpara se të vendosë nëse do të votojë pro hapjes së negociatave:

“Ne fillimisht duhet të presim raportin e ri të Komisionit të BE-së për Shqipërinë, para se të bëjmë deklarata të parakohshme. Natyrisht, e shohim me vëmendje situatën në vend dhe e marrim me mend se në cilin drejtim do të shkojë raporti. Por vendimet do t’i marrim pas raportit.”

Ky qëndrim i raportueses së re të CDU/CSU-së është i njëjtë me atë të shprehur nga raportuesi i mëparshëm për Shqipërinë, Thorston Frei, i cili disa muaj më parë deklaroi se nuk do të ketë hapje negociatash vetëm për hir të afateve, pa pasur rezultate konkrete për përmbushjen e kushteve.

Po ashtu, koalicioni qeverisës CDU/CSU, në programin zgjedhor ka shkruar se Bashkimi Europian ka nevojë për një reformim të brendshëm përpara se të fokusohet tek zgjerimi i tij përmes anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sipas Deutsche Welle-s, “aty [në program] thuhet se thellimi [reformimi i brendshëm i Bashkimit Evropian] duhet të vijë para zgjerimit, prandaj për pesëvjeçarin e ardhshëm dera e BE-së do të duhet të jetë e mbyllur për vende të reja.”

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme