Bashkia Fushë-Arrëz dhe Fondacioni Kujto.al nderojnë kujtimin revoltës së Qafë-Barit

Bashkia Fushë-Arrëz dhe Fondacioni Kujto.al nderojnë kujtimin revoltës së Qafë-Barit

Nga sot, rruga që të çon në ish-burgun famëkeq të Qafë-Barit në Fushë-Arrëz, do të mbajë emrin e revoltës që ndodhi atje 35-vite më parë. Është një nderim modest në kujtim të qindra të burgosërve politikë që vuajtën në një nga burgjet më mizore të diktaturës, një pjesë e të cilëvë u rebeluen në maj të vitit 1984.

Emërtimi u bë me nismë të Fondacionit Kujto.al dhe me mbështetjen e Bashkisë Fushë-Arrëz, dhe vjen disa javë pas një përplasje publike mes njërit prej komandantëve famëkeq të burgut Edmond Caja, i cili jeton në Gjermani dhe vuajtësve të tij dhe ish-të përndjekurve të tjerë.

Për të ndërgjegjësuar për të shkuarën, Fondacioni Kujto.al në bashkëpunim me Bashkinë Fushë-Arrëz do të vendosë edhe një përkujtimore në mjediset e burgut.

Studiuesi Erald Kapri, përfaqësues i fondacionit, tha në Fushë-Arrëz se “kjo iniciativë i hap rrugën ruajtjes dhe konservimit të burgut për t’u kthyer në një vend pelegrinazhi për të kujtuar të kaluarën e dhimbshme, por edhe forcën e madhe të të dënuarve që guxuan të ngrihen kundër diktaturës”.

Ish-burgu i Qafë-Barit ndodhet 19 kilometra larg Fushë-Arrëzit. Zyrtarisht regjimi komunist e njohu atë si Reparti i Riedukimit 311. Ai u hap në vitin 1982 fillimisht me 400 të burgosur politikë, të cilët shfrytëzoheshin për punë të rëndë në miniera. Ky repart qëndroi në punë deri në vitin 1990. Dokumentat arkivore dhe dëshmitë e ish-të burgosurve kanë treguar për trajtim, rrethana çnjerëzore dhe dhunë sistematike.

Ajo që tashmë njihet si Revolta e Qafë Barit nisi më 22 maj 1984 kur dy të burgosurit politikë Ndue Pisha dhe Ndrek Nikolla nuk realizuan dot normën dhe policët donin t’i ndëshkonin me izolim. Dhuna e policëve ndaj tyre bëri që një numër i madh të burgosurish të ndërgjegjësoheshin dhe t’u dilnin zot duke u përleshur me sende rrethanore me ta. Me situatën e rënduar policët u urdhëruan të qëllonin me armë nga ku u plagos Kostandin Gjordeni.

Njëjtë sikurse kishte vepruar me revoltën e Spaçit 21-23 maj 1973, dhjetëra të burgosur u ridënuan rëndë edhe në Qafë-Bari, ndërsa Sokol Sokoli e Tom Ndoja u pushkatuan. Studiuesit e periudhës së komunizmit kanë gjetur në arkiva një shënim të Ministrit Hekuran Isai, i cili teksa urdhëronte ekzekutimet e tyre shkruante: sytë t’u jepen Ministrisë së Shëndetësisë për punë shkencore.

Debati mbi të shkuarën dhe përpjekja për t’i mohuar krimet.

Edmond Caja, i cili gjatë revoltës së vitit 1984 ishte komandant i policisë së burgut të Qafë Barit, përmendej në një dokumentar të realizuar nga Radio-Televizioni Shqiptar. Dëshmitë e sjella në atë dokumentar nga ish-të përndjekurit e etiketonin Cajën si dhunues dhe vrasës. Caja reagoi në muajin prill me një letër drejtuar gazetës Dita duke fyer disa prej tyre. Kjo sjolli një valë reagimesh, pasi përpara se Caja të shkruante për Ditën ai kishte nisur edhe një proces gjyqësor në Gjermani, vend në të cilin jeton prej viteve 90-të.

Procesi gjyqësor ishte nisur në dëm të Ermira Dines, që jeton gjithashu në Gjermani. Kjo qe paditur për shpifje nga Caja, pasi Dine duke u nisur nga dokumentari i RTSH-ës, i qe drejtuar autoriteteve gjermane duke kërkuar largimin e tij nga vendi si person që ka kryer krime në Shqipëri. Padia u tërhoq pasi Dine kërkoi ndihmë nga Instituti për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, që i vuri asaj në dispozicion kontakte, por edhe vetë ish-të përndjekur që ishin të gatshëm të dëshmonin kundër pretendimeve të Edmond Cajës se ai nuk kishte kryer krime në drejtimin e burgut të Qafë-Barit.

Problemet me kujtesën

Edhe pse kanë kaluar pothuajse tre dhjetë-vjeçarë, kujtesa rreth periudhës së komunizmit mbetet problematike. Mungesa e vazhdimësisë në interesimin nga institucionet shtetërore dhe trajtimi i cektë i së shkuarës ka bërë që momente, ngjarje deri dhe krime të kryera gjatë diktaturës të kujtohen zbehtë, ose akoma më keq të mos konsiderohen të tilla.

Debatet si ai mes Edmond Cajës dhe ish-të përndjekurve, apo ai i deputetit Spartak Braho kundër Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe në veçanti drejtuesit të këtij Instituti Agron Tufa dhe studiuesit Çelo Hoxha nuk i kanë shërbyer drejt çështjes. Ende diskutimi mbi komunizmin ngarkohet politikisht.

Rasti i nderimit të atyre që vuajtën në burgun e Qafë-Barit është një pikë kthese që premton më shumë në edukimin qytetar të një vendi që ende nderon ish-diktatorin apo dhe anëtarët e udhëheqjes së shkuar. Shembulli konkret i këtij kontrasti është se teksa në Fushë-Arrëz një rrugë tashmë do të nderojë kujtimin e Revoltës së Qafë-Barit, në Ballsh ende nderohet me emër rruge Mehmet Shehu, i cili ka qenë përgjegjës për plot krime të kryera gjatë regjimit komunist.

 

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme