BERZH dhe përfaqësues të lartë të Ballkanit Perëndimor do të mblidhen në Sarajevë

BERZH dhe përfaqësues të lartë të Ballkanit Perëndimor do të mblidhen në Sarajevë

Mbledhja Vjetore e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim është një prej eventeve më të rëndësishme rajonale, që në 20 vitet e fundit është organizuar në Bosnje-Hercegovinë. Eventi mbledh më shumë se 2000 përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar të biznesit, ministra të financave, guvernatorë të bankave qendrore të 67 vendeve anëtare të këtij institucioni të madh financiar, si edhe përfaqësues të menaxhimit të BERZH.

“Konferenca e BERZH është një mesazh i fortë për gjithë rajonin: ne jemi një zonë e qëndrueshme dhe e përshtatshme për investime.  Të kuptosh qëllimin rajonal të këtij takimi është veçanërisht e rëndësishme, sidomos në perspektivën e krijimit të fondeve të përbashkëta. Ndërtimi i infrastrukturës dhe investimi në të është çelësi që na lidh  dhe zhvillon individualisht secilin prej nesh. Ka ardhur koha të përqendrohemi në projekte të rëndësishme dhe me vlerë, në vend që të kemi në plan të parë politikën,” theksoi Mirko Saroviç, Ministër i Tregtisë së Jashtme dhe i Marrëdhënieve Ekonomike të Bosnje-Hercegovinës.

Tema kryesore e forumit të sivjetshëm të biznesit do të jetë “Lidhja e ekonomive për rritje të qëndrueshme” dhe programi do të mbulojë një mori temash me rëndësi për vendet ku operon BERZH: investime, migrim, turizëm në Evropën Juglindore, digjitalizim. Edhe diskutimet do të mbulojnë probleme rajonale me fokus mundësitë e investimit në Ballkanin Perëndimor.

“Kjo Mbledhje Vjetore siguron mundësi ideale për investimet potenciale, rritjen ekonomike dhe hapjen e vendeve të punës. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dëshiron të japë kontributin e saj në krijimin e një ekonomie, që do të sjellë mirëqenie dhe rritje të popullsisë vendase, si edhe krijimin e kushteve për përshpejtimin e futjes së Bosnje-Hercegovinës në Bashkimin Europian. Jam i sigurt që në të ardhmen do ta kujtojmë këtë event, si një hap të rëndësishëm drejt mbërritjes së këtyre synimeve,” tha Enco Quatroçoke Sekretari i Përgjithshëm i BERZH.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim është një institucion financiar ndërkombëtar, që mbështet projekte në 30 vende të botës dhe vitin e shkuar investoi 1,1 miliard Euro në vendet e Ballkanit Perëndimor.

0 komente

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme