Çfarë kërkon të dialogojë Rama me Bashën? Një 17 maj të dytë

Nga Jona Plumbi
Çfarë kërkon të dialogojë Rama me Bashën? Një 17 maj të dytë

Në 6 letra publike, kryeministri Rama i ka bërë thirrje kreut të PD Basha për t’u ulur në dialog, “me durim, pa kushte dhe pa humbur kohë” . Por për çfarë teme, ai nuk e thotë në letrat e tij, të cilat në total shkojnë 14 faqe.

Për të hedhur më shumë dritë në ftesën e tij për dialog, ne kemi përmbledhur në një të gjashtë letrat e Kryeministrit.

“Në përpjekje për t’i thirrur arsyes Suaj, me shpresën e vobektë se ftesa ime do të merret parasysh, mbetem i vendosur t’Ju ofroj të gjithë gatishmërinë time, për t’i hapur rrugë Dialogut.

Fushata e zgjedhjeve nis zyrtarisht në 31 maj. Duke Ju ftuar përsëri në Tryezën e Dialogut, Ju lutem të mos harroni ndërkohë se Ju s’keni asnjë shans të pengoni 30 qershorin të vijë për ata që duan të votojnë. Jeta politike nuk mbaron në 30 qershor dhe që të jemi të qartë mes nesh, zgjedhjet në 30 qershor Ju mund t’i vështirësoni, nëse do t’i shkoni deri në fund rrugës pa krye, ku po e udhëhiqni grupimin Tuaj politik, por s’ka asnjë shans që t’i ndaloni të zhvillohen, edhe pse Ju jeni i lirë ta diskutoni në Tryezën e Dialogut… zgjedhjet e 30 qershorit nuk i shtyn dot askush ndër ne dhe as i pengon dot askush mbi këtë dhé!

Ju duhet ta harroni (edhe) dorëheqjen time për një arsye shumë të thjeshtë: Unë as jam zgjedhur nga Ju, as punoj për Ju. Bashkë me dorëheqjen time, Ju i dashur Lulzim, duhet të harroni edhe anullimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Nëse Ju s’doni të hyni në zgjedhje, kjo është llogaria Juaj e gabuar dhe natyrshëm edhe e drejta Juaj për ta vetëasgjësuar grupimin Tuaj politik. Të kuptohemi, nuk është fare halli im se do shkoni keq e më keq politikisht si grupim – madje sipas meje, troç fare, rrënimi i plotë me duart Tuaja i grupimit që po udhëhiqni qorrazi është ogur i mirë për këtë vend e për vetë të ardhmen e institucionit të pazëvendësueshëm të opozitës – por ky moment me rëndësi të veçantë për Shqipërinë, më imponon t’Ju lutem të ktheni rrugë!

Nuk është as keqardhja ndaj Jush që më mundon, as dalja e palavdishme nga skena e grupimit Tuaj, të degraduar sot në një masë depresive muskujsh, inatesh e britmash, e me ca katranë me bojë që nuk janë asfare populli i këtij vendi, e disa mijëra punonjësit e bashkive blu dhe masa modeste e militantëve bashkëngjitur tyre, që do vijojnë t’Ju ndjekin në aventurën Tuaj të pashoqe gjithnjë e më të paktë. Vazhdoni po deshët deri në qershor 2021, me këtë ritual grotesk të fushatë – protestave seriale… ne, thjesht do të nisim e do të zhvillojmë fushatën e zgjedhjeve vendore, do t’i marrim bashkitë e braktisura prej jush se meqë i latë ju, s’mund t’i lemë edhe ne rrugëve dhe do të vazhdojmë të qeverisim.

Shqipëria është e vërtetë po, nuk e ka ende funksionale Gjykatën Kushtetuese, është në procesin historik të rindërtimit pas rrënimit korruptiv. Që të rindërtosh nuk është një fjalë goje po një përpjekje e mundimshme, e cila kërkon durim e kohë. Problemi Juaj është më i madh se mosdija dhe përtacia mendore.

Nuk dua t’Ju krijohet ideja se ky është një ushtrim serial i llojit “m’ka çu nana me la gojën”. Shpresa vdes e fundit dhe ja ku jam, unë përsëri, në kërkim të Dialogut me Ju për të bërë timen deri në fund kundër kësaj historie të pakuptimtë.”

Por nëse dorëheqjen e tij ai nuk e diskuton, datën e zgjedhjeve jo, kërkesat e PD-së për zgjedhjet jo, protestat popullore jo, zhbërjen e institucioneve të drejtësisë jo, atëherë për çfarë e fton Rama, Bashën në dialog?

Sikurse është e qartë nga letrat, ai Bashën e fton të regjistrohet në zgjedhje përpara se të nisë fushata, në shkelje të afateve të regjistrimit të Kodit Zgjedhor. Të njëjtit Kod që parashikon datën e zgjedhjeve, atë të pandryshueshmen nga askush mbi dhe! Datë që nuk e përcakton Kushtetuta, si pretendon Rama, por Kodi Zgjedhor në nenin 10 të tij.

Ndaj duket që Kryeministri po shpreson në një 17 maj të dytë dhe jo një diskutim politik në zgjidhje të krizës.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme