Deputeti gjerman Shmit: Nuk ka hapje negociatash pa hetim të pavarur për vjedhjen në zgjedhje

Deputeti i parlamentit gjerman Kristian Shmit tha se hapja e negociatave do të varet nga hetimi i pavarur i vjedhjes së zgjedhjeve. Kjo çështje dhe ndëshkimi i kriminelëve dhe të korruptuarve nga institucione të pavaruara do të jenë pikat kyçe ku do bazohet vendimi i Gjermanisë për hapjen ose jo të negociatave.

Deputeti Kristian Shmit i përket partisë së Bashkimit Social Kristian (CSU), simotër e partisë CDU të Merkelit dhe në koalicion qeverisës me të. Shmit është edhe raportuesi për Shqipërinë për partinë CDU/CSU në parlamentin gjerman.

intervistën e tij të sotme për Shekullin, Shmit përforcon deklaratat e djeshme të zëvendës-kryetarit të grupit parlamentar të CDU/CSU-së, Johan Vadeful, i cili tha se partia e Kancelares Merkel do të votojë kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë nëse nuk ndëshkohen vjedhësit e zgjedhjeve të vitit 2017.

Ai u shpreh se parlamenti shqiptar duhet të ketë palë me pozicione të ndryshme politike. Sipas tij, lënia e mandateve nga opozita lidhet me mungesën e të drejtave themelore që një opozitë duhet të ketë një sistem demokratik. Ai tha se opozitës i duhen dhënë këto të drejta në mënyrë që demokracia të funksionojë.

Shmit shtoi se pozita dhe opozita duhet të arrijnë një marrëveshje politike për zgjidhjen e krizës.

Shmit tha më tej se reforma në drejtësi ka pasur përparim të vërtetë dhe ajo duhet të vazhdojë. Ai vërejti se kjo reformë është me rëndësi të madhe për integrimin e Shqipërisë në BE. Shmit vërejti se Gjermania pret “respektimin e kushtetutës dhe përkushtimin demokratik” edhe në lidhje me këtë reformë.

Parlamenti gjerman mund ta marrë vendimin për hapjen ose jo të negociatave disa muaj pasi Komisioni Europian të nxjerrë raportin e progresit, sipas Shmitit.

Në lidhje me rivendosjen e mundshme të vizave për Shqipërinë për në zonën Shengen, Shmiti tha se ky vendim do të merrej nga institucionet e BE-së.

1 koment

    Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

    Lajme te ngjashme