Dështimi për të mbrojtur viktimat e dhunës në familje është shkelje e të drejtave të njeriut

Dështimi për të mbrojtur viktimat e dhunës në familje është shkelje e të drejtave të njeriut

Një tjetër grua humbi jetën nga duart e një personi që supozohej ta dashuronte atë.

Më 30 prill një 53 vjeçare, Antoneta Hoxha, u vra brutalisht nga bashkëshorti i saj në qytetin e Memaliajt. Mbas një zënke, bashkshorti Skënder Hoxha e goditi me levë në kokë deri sa ajo humbi ndjenjat. Ai e la atë të vdiste në dyshemen e dhomës së gjumit, pa bërë asgjë për ta ndihmuar.

Trupi i saj i pajetë u gjet nga familjarë të saj të shqetësuar. Kur u lajmërua policia dhe Skënderi u mor në pyetje, ai mohoi të kishte të bëntë me këtë ngjarje të tmerrshme.

Media, ashtu siç pritej, raportoi se “motivet janë të panjohura” dhe se akoma “nuk dihet arsyeja pse e vrau gruan”. Sot raportohet se arsyeja pse e vrau është sepse ajo e tradhëtonte me një djalë më të ri.

Fakti është se ai e vrau gruan sepse është një vrasës, jo se ajo kishte bërë diçka për ta merituar. Nuk ka asnjë motiv apo arsye dhe nuk ka asnjë justifikim për kryerjen e këtij akti makabër.

Skënder Hoxha e goditi disa herë në kokë me levë gruan e tij sepse ai është i dhunshëm, kriminel, vrasës – asgjë më pak, asgjë më shumë. Nuk ka rëndësi nëse ai nuk e ka bërë më parë apo nuk ka histori dhune të mëparshme – ai e bëri atë ditë dhe për këtë arsye, ai shndërrohet në kriminel dhe mbetet ashtu përgjithmonë.

Kjo ngjarje është e nënta në pesë muajt  e fundit, duke sjellë kështu një statistikë shokuese ku një grua vritet pothuajse çdo dy javë.

Tetë vitet e fundit, mbi 100 gra dhe vajza janë masakruar, një numër që sa vjen e rritet çdo muaj.

Kombet e Bashkuara raportuan se të paktën një një dy gra shqiptare kanë përjetuar dhunë gjatë jetës së tyre dhe Rrjeti i Fuqizimit të Grave në Shqipëri raportoi se 22 përqind e tyre që midis moshës 16-19 vjeç kanë re pre e dhunës nga partneri.

Çfarë është bërë për t’i ndihmuar ato? Në 2018-ën mbi 4000 urdhëra mbrojtjeje janë dhënë nga policia për mbrojtjen e grave nga dhuna e partnerëve të tyre, por kanë rezultuar të padobishme. Shumë nga gratë që janë vrarë kanë patur urdhëra mbrojtjeje në kohën e krimit, ose kanë denoncuar kërcënimet apo dhunën në polici, por kjo nuk u shpëtoi dot jetën.

Policia , gjykatat , mediat, autoritetet kompetente dhe qeveria i kanë lënë në baltë gratë vazhdimisht. Njoh gra që janë përpjekur të bëjnë denoncime në polici, i është refuzuar e drejta ose i është kërkuar mos të bëjnë kallëzim.

Kjo paraqet një problem shumë serioz. Jo vetëm duart e tyre janë me gjakun e grave të vrara, përdhunuara apo abuzuara, jo vetëm kanë shkelur ligjet shqiptare, por gjithashtu kanë shkelur ligjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut është e qartë në të drejtat që i njeh individit, si dhe në detyrat dhe detyrimet e shtetit për t’i mbrojtur ato.

Aty përcaktohet se”e drejta e jetës mbrohet më ligj” dhe askush nuk t’ja cënojë jetën qëllimisht tjetrit. Gjithashtu përcaktohet detyrimi thelbësor i shtetit për ta garantuar dhe mbrojtur të drejtën e jetës, si dhe detyrimin e insitucioneve për të ndërmarrë një hetim efektiv në rastet e cënimit të saj.

Kjo do të thotë jo vetëm që shteti duhet të mbrojë dhe garantojë jetën e çdo njeriu që mund të jetë në rrezik, por nëse dështon, është i detyruar të hetojë arsyen pse ndodhi. Në rastin e këtyre grave të cilave ju refuzua mbrojtja, ose edhe pse se kishin urdhëra, ato u vranë – a u nis ndonjë hetim për ngjarjet për të parë nesë shteti e kishte përmbushur ose jo detyrimin e tij? Jo, patjetër që nuk pati asnjë hetim.

Sipas precedentëve të mëparshëm në gjykata, ato gra që deklarojnë se jeta e tyre është në rrezik, edhe nëse rreziku nuk është real dhe aktual, duhet të merren seriozisht dhe tu garantohet mbrojtje. Sipas ligjit, shteti ka detyrën që të marrë masa paraprake për të garantuar dhe mbrojtur jetët e atyre në juridiksionin e tij, veçanërisht në rastet e akteve kriminale nga një person tjetër.

“Gjykata konsideron se Shteti ka detyrim qëtë marrë masa paraprake parandaluese për të mbrojtur një ose disa individë të identifikuar si shënjestra të mundshme për akte të dhunshme si: dhuna në familje.”

Me fjalë të tjera, familja e çdo gruaje që u vra, pavarësisht se kishte bërë denoncim në polici, ose ishte nën urdhrin e mbrojtjes, ka të drejtën e një hetimi për vdekjen e saj dhe ankimi të mundshëm në GJEDNJ.

Policia në Shqipëri vazhdimisht po dështon në detyrimin e saj ligjor për të mbrojtur gratë dhe për të parandaluar krimet ndaj tyre dhe kjo shkelje e ligjit duhet të adresohet sa më shpejt të jetë e mundur.

Do të doja shumë që një avokat të merrte përsipër rastet e atyre që kanë humbur të dashurit e tyre ndaj dhunës në familje, pavarësisht thirrjeve për ndihmë tek institucionet shtetërore. Do të doja të shihja policinë të mbrojë mungesën e veprimeve të tyre për t’i mbrojtur viktimat e dhunës para GJEDNJ-së dhe do të doja të shihja përfundimin e vrasjeve të parandalueshme të grave dhe vajzave në Shqipëri.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme