Elita si anti-trup për oligarkinë

Nga Vehap Kola
Elita si anti-trup për oligarkinë

Oligarkia është një sëmundje vdekjeprurëse. Një një vend si Shqipëria, ajo ka edhe një tipar tjetër fatal: përhapet shpejt, duke gëlltitur të gjitha qelizat e shëndosha të shoqërisë.

Lëvizjet anti-sistem, të përhapura në Europë gjatë dekadës së fundit, mund të jenë duke kontribuar në mbijetesën dhe lulëzimin e oligarkisë. Kriza ekonomike globale ishte një mundësi e artë që ndërgjegjësimi publik të kanalizohej në çmontimin apo kufizimin e oligarkisë.

Por, duke shënjestruar elitën, lëvizjet anarkiste përpiqen të shtien në dorë frerët e pushtetit që ajo zotëron, dhe të kontrollojnë kësisoj marrëdhënien e privilegjuar me oligarkinë. Në asnjë prej vendeve ku këto lëvizje kanë ardhur në pushtet kjo e fundit nuk është prekur.

Një ndër mënyrat e suksesshme, që një lëvizje anarkiste të dërgojë një mesazh të koduar për oligarkët, është të vërë në shënjestër të histerisë së saj elitën, si koncept me kuptim të përafërt me oligarkinë.

Duke vepruar në këtë mënyrë, pasi marrin pushtetin, anarkistët e shmangin llogaridhënien publike me propagandë dhe argumente të paqarta. Lufta e tyre ndaj elitës shndërrohet në një karikaturë të luftës ndaj padrejtësisë ekonomike e juridike, të prodhuar nga monopolizimi i tregjeve.

Ilustrimi më konkret i kësaj praktike hileqare për opinionin publik shqiptar është platforma me të cilën erdhi në pushtet Edi Rama dhe grupimi politik “Rilindje”. Premtimet e Ramës preknin simptomat e padrejtësisë, por jo shkaqet reale të saj. Ky ishte prologu i një simbioze të paralajmëruar të Rilindjes me oligarkinë.

Me ardhjen në pushtet të Ramës, ndryshimet kozmetike (jo ndryshime strukturore!) krijonin idenë se padrejtësitë po korrigjoheshin, ndërsa buxheti i shtetit shpërndante fonde marramendëse për kompanitë e oligarkëve.

Syriza në Greqi, Lëvizja “5 Yjet” në Itali dhe Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë janë gjithaq ilustrime të luftës me elitën për dashurinë me oligarkinë.

Ekziston një dallim i qartë ndërmjet elitës dhe oligarkisë. Qëllimi kryesor i një elite është të garantojë funksionimin efektiv të kuadrit institucional, social e ekonomik, që garanton suksesin e vendit në një periudhë afatgjatë.

Pjesëtari i elitës shpreson që me përmbushjen e interesit publik, do të lulëzojë edhe interesi i tij personal.

Etërit themelues të SHBA-ve përfaqësonin në mënyrë të qartë një elitë. Sakrifikimi i kushtueshëm i interesave afatshkurtra, të propozuara nga elitat anekënd botës përgjatë historisë, janë pranuar nga popullsitë përkatëse në emër të së ardhmes së qëndrueshme dhe interesave afatgjata.

Në vende si Serbia, Greqia dhe Maqedonia, akademitë e shkencave, kleri dhe familjet e mëdha që kanë drejtuar partitë politike kanë luajtur një rol të madh në themelimin, zhvillimin dhe rindërtimin e vendeve përkatëse, sa herë luftrat apo ngjarje të tjera mund të kenë shkatërruar infrastrukturën ekonomike dhe strukturën sociale.

Shqiptarët e ndiejnë disavantazhin karshi këtyre vendeve nga mungesa e një strukture të tillë ombrellë, që prodhon orientim strategjik, moralitet udhëheqës dhe unitet kombëtar.

Nga ana tjetër, oligarkia është një masë malinje, që operon mbi bazën e interesit të ngushtë personal. Arsyeja e këtij egotizmi qëndron në mosbesimin që bren oligarkët se begatia afatgjatë e vendit mund të mos përkthehet në begatimin e tyre individual.

Oligarkia merr forma të larmishme, kryesisht të mbështetura mbi pushtetin ekonomik, por në Shqipëri ajo është shfaqur dhe zgjeruar në trajtën më parazite: oligarki e burimeve natyrore dhe parave publike.

Asnjë oligark në Shqipëri nuk bën biznes në një treg konkurrues dhe asnjë syresh nuk e ka fituar pozitën monopol apo oligopol falë inovacionit.

Është e zakonshme që inovacioni të mund të çojë një pozitë sunduese apo monopol për pak kohë. Sapo në sektor hyjnë operatorë të tjerë, ai bëhet një treg i zakonshëm dhe fitimet bien, duke mos arritur të financojnë kërkimin dhe zhvillimin e pafrenuar. Prandaj, ditën që një treg bëhet konkurrues, ai braktiset nga inovatorët.

Ndërsa oligarkët shqiptarë nuk janë aspak të ngjashëm me ata në Silicon Valley, por janë kryekëput prerje e oligarkisë post-komuniste të Europës Lindore. Ata kontrollojnë nga pozita monopol ose oligopol sektorët e hidrokarbureve, minerareve, bankave, sigurimeve, ndërtimit dhe importit të produkteve ushqimore.

Të themeluar dhe të fuqizuar gjatë qeverisjes së PS-së 1997-2005 me tendera korruptive, oligarkët nisën të marrin kontratat e para gjatë qeverisjes së PD-së 2005–2013.

Me ardhjen e Ramës dhe socialistëve në pushtet në 2013, klubi oligarkik i Shqipërisë ka përpirë përmes koncesioneve më të padëgjuara 2.2 miliardë dollarë nga buxheti.

Kemi arritur kështu në një tjetër dallim ndërmjet oligarkisë dhe elitës: e para ushqehet me para publike dhe radhitet e fundit për të paguar kostot e krizave që prekin një vend.

Ndërsa angazhimi i drejtuesve të lartë të shtetit për të refuzuar pagat dhe i Kishës Ortodokse greke për të paguar taksa gjatë krizës financiare është shembulli i sjelljes së një elite të shëndoshë. Me këtë sjellje, elita greke shërbente si model i gjallë i bindjes së publikut se injorimi afatshkurtër i interesit të menjëhershëm personal garantonte mbijetesën afatgjatë të vendit.

Është e qartë, tashmë, se problemi i Shqipërisë nuk është elita, por mungesa e saj. Vendit i mungon një elitë intelektuale autoritare, që prodhon pikëpamje dhe orientim për të ardhmen afatgjatë të vendit. Vetë kriza morale e intelektuale në të cilën është Akademia e Shkencave dhe universiteti shqiptar është provë e kësaj mungese fatale.

Për t’i shtuar dhimbjes turp, Shqipëria vuan edhe kapitullimin e atij që duhej të ishte poli moral i saj: komuniteteve fetare. Roli i tyre në sferën publike është thjesht honorifik. Kortezia e politikës ndaj fesë i dedikohet më shumë një interesi të atypëratyshëm të politikës për të shitur përpara burokratëve europianë e amerikanë një institucion si ai i tolerancës fetare.

Për t’i vënë kapakun, klasa politike përfaqëson shqisën më të degjeneruar të shoqërisë shqiptare. Këtë nuk e provon vetëm përbërja e saj nga individët më të padenjë të shoqërisë.

Edhe akordi i përgjithshëm për të mbajtur vendin në një spirale tërësisht të pasigurt tranzicioni, vetëm e vetëm që të garantojnë mbijetesën dhe përfitimin politik të tyre, është dëshmi e këtij degjenerimi.

Sikur kjo të mos mjaftonte, politika është vënë në shërbim të formës më malinje të oligarkisë, që edhe në një kohë krize ekonomike, sociale e shpirtërore përvetëson të paktat rezerva që i kanë mbetur vendit për mbijetesë.

Është e qartë, pra, se kur një organizmi shoqëror i mungojnë imuniteti moral dhe intelektual i një elite të shëndoshë, aty shfaqet kalbëzimi i njëpasnjëshëm dhe i pandalshëm i të gjitha organeve të tij, gjersa ai organizëm të vdesë.

Faktorët që mund të kenë penguar vdekjen e shoqërive të tjera nuk janë të pranishëm në rastin e Shqipërisë. Një popullsi e barazvlefshme me një kryeqytet europian, një ekonomi e varfër dhe pa produkt konkurrues dhe një rrip i ngushtë toke në bregun e Adriatikut nuk ka as burimet e brendshme dhe as ngre alarmin për ndonjë ndërhyrje nga jashtë.

Pa një elitë të shëndoshë, që projekton dhe frymëzon një vizion kombëtar në konkurrencë me kombet e tjera, jo si luftë brenda llojit për të zhvatur atë që ka mbetur nga pasuria e vendit, Shqipëria si vend i shqiptarëve rrezikon të zhduket.

Ndërsa Shqipërisë si supermarket për banorë-konsumatorë dhe punëtorë të ardhur pas liberalizimit të hyrjes së “njerëzve të tjerë” do t’i ketë mbetur vetëm emri.

Në këtë mision kombshpëtimi, roli i opozitës, si i vetmi institucion llogaridhënës i kornizës institucionale të elitës, pasi qeveria dhe parlamenti kanë dalë jashtë kontrollit të zgjedhësve, është të fillojë të realizojë një reformë të thellë dhe të gjatë të vetvetes.

Një rindërtim i opozitës mbi virtytet e një elite të shëndoshë do të ushtrojë presion mbi elementet e tjera të superstrukturës që ato t’i përgjigjen sfidës.

Suksesi i rindërtimit të opozitës shqiptare nuk do të shpëtojë vendin vetëm nga akademia vasale, feja moskokëçarëse dhe politika shërbëtore ndaj oligarkisë. Paralelisht, kjo do të pengonte edhe ngjitjen e lëvizjeve anarkiste, që paraqesin për vendin një kërcënim po aq të madh sa oligarkia.

Shqipëria ka nevojë për një elitë të shëndoshë për të trajtuar me kujdes sëmundjen e oligarkisë dhe për ta bërë vendin një aktor konkurrues në rajon.

Në dështoftë për ta bërë këtë, oligarkia do ta shndërrojë Shqipërinë në një reliev të kalbëzuar, ku mund të jetojnë vetëm skllevër.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme