Gazeta më e madhe në Evropë po heton krimin dhe mafian shqiptare

Gazeta më e madhe në Evropë po heton krimin dhe mafian shqiptare

Peter Tiede, gazetari gjerman i gazetës Bild, i cili pak ditë më parë shkroi për lidhjen e krimit me pushtetit në Shqipëri, njoftoi se BILD po bën një investigim tjetër mbi mafien shqiptare:

“Do të ketë të paktën edhe një [shkrim], por ndoshta do të ketë edhe të tjerë. Po bëjmë dhe një dokumentar për mafien shqiptare dhe po grumbullojmë informacione.”

Në një lidhje telefonike për gazetarin Adi Krasta në emisionin “A show”, gazetari tha se gjatë vizitës së tij në Shqipëri, ka parë plantacione me kanabis dhe laboratorë heroine:

“Është vështirë të mos shohësh marijuanën në Shqipëri. Do të isha i verbët të mos shikoja, kam parë edhe laboratorë heroine. Në verën e vitit 2016 kam parë. 70 për qind e kanabisit që shitet në vendet e Europës Perëndimore vjen nga vendi juaj, nga porti i Vlorës apo i Durrësit.”

Pyetur nëse Zoti Tiede ka marrë kërcënime nga qeveria shqiptare pas botimit të artikullit, ai tha se nuk merret me politikanët, por se është e kuptueshme që “politikanët nuk janë të kënaqur, kur unë jam kritik.” Sipas gazetarit gjerman, në Shqipëri vetë politikanët kanë media dhe thonë gjëra që duan të thonë, ndërsa gazetarët e vërtetë nuk janë të lirë.

Peter Tiede shkroi një javë më parë një artikull në gazetën Bild, ku akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij për blerjen e votave dhe për lidhje me krimin. Menjëherë pas këtij artikulli, deputetja socialiste Blerina Gjylameti e akuzoi gazetarin se është paguar me para të pista nga opozita për ta shkruar artikullin.

Në një përgjigje për Exit.al, gazetari Tiede hodhi poshtë akuzat dhe se fakti që qeveria sulmon gazetarët që shkruajnë kundër saj, tregon dhe një herë se ajo nuk e kupton lirinë e medias. Përgjigjen e plotë të Peter Tiedes mund ta lexoni këtu.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme