KE kritikon qeverinë: PPP në shkelje të ligjit dhe pa transparencë

KE kritikon qeverinë: PPP në shkelje të ligjit dhe pa transparencë

Komisioni Europian kritikoi qeverinë për dhënie në shkelje të ligjit dhe në mungesë transparence të kontratave të Partneritetit Publik-Privat.

Në raportin e progresit për vitin 2018, KE kritikon qeverinë për moszbatimin e ligjit për koncesionet dhe PPP-të:

“Në vitin 2018, gjashtë kontrata të reja PPP u miratuan nga qeveria Rama. Megjithëse ligji e parashikon që përpara dhënies së një koncesioni, duhet bërë një analizë e detajuar e raportit cilësi-kosto, kjo gjë nuk është respektuar përpara dhënies së PPP-ve.”

Komisioni Europian ngre shqetësimin se Shqipëria nuk ka kapacitetet e mjaftueshme për të monitorur këto lloj kontratash, të cilat sjellin rreziqe fiskale për buxhetin e vendit:

“Financat publike nuk mjaftuan për të bërë investimet e nevojshme në infrastrukturë, ndaj qeveria po kërkon të angazhojë në këto investime dhe kapitalin privat – kryesisht përmes Partneriteteve Publike-Private (PPP-të). Por kjo mbështetje e qeverisë në projektet PPP sjell rreziqe të mëdha fiskale.”

Sipas raportit, “shumica e këtyrë kontratave janë dhënë përmes propozimeve të pakërkuara, ç’ka sjell uljen e konkurrencës mes kompanive gjatë procesit të tenderimit”, – duke qenë se kompania që bën propozimin e pakërkuar pothuaj gjithnjë shpallet fituese e tenderit, kompanitë e tjera nuk kanë interes të marrin pjesë në garë.

Tjetër shqetësim që ngre KE për kontratat koncesionare është mungesa e kontrollit të vazhdueshëm që qeveria duhet të bëjë për të siguruar se kontrata po zbatohet dhe kompania private po punon:

“Nuk ka raportime të rregullta për mbarëvajtjen e këtyre kontratave. As njësia (qeveritare) e sapokrijuar për të matur rrezikun fiskal nuk ka kapacitete të mjaftueshme sa për të monitoruar këto kontrata.”

Ndër të tjera KE i rekomandoi qeverisë që  të përmirësojë aftësitë e saj për të hartuar dhe vlerësuar më mirë kontratat koncesionare dhe jo të varet tek propozimet e bëra nga kompanitë private.

Të njëjtat shqetësime për dhënien e PPP-ve pa kriter dhe pa mbikëqyrje, kanë ngritur më herët dhe Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Shqetësimet kryesore të tyre janë mungesa e transparencës dhe konkurrencës, mungesa e analizës së riskut dhe pranimi i propozimeve të pakërkuara nga kompanitë private, të cilat në shumicën e rasteve janë kontrata jofitimprurëse për shtetin.

 

 

2 komente

  1. Greg andoni 30 Maj, 2019 në 10:15 pm

    What a joke…

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme