Komisioni Europian rekomandon për herë të tretë hapjen e negociatave për Shqipërinë

Komisioni Europian rekomandon për herë të tretë hapjen e negociatave për Shqipërinë

Për të tretin vit radhazi, Komisioni Europian i rekomandoi sot Parlamentit Europian hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Me anë të një konference për shtyp në Komitetin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, Eurokomisioneri për Zgjerim Johannes Hahn prezantoi raportet e progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Eurokomisioneri Hahn vlerësoi punën e bërë nga këto dy vende në reformat e nisura. Veçanërisht për Shqipërinë, Hahn vlerësoi reformën në drejtësi:

“Jam i kënaqur se si Shqipëria e Maqedonia e Veriut kanë ndjekur reformat. Reforma në drejtësi në Shqipëri ka patur progres.”

Ndërsa për Maqedoninë e Veriut, Hahn vlerësoi arritjen e marrëveshjes me Greqinë:

“Maqedonia e Veriut ka vijuar me reformat duke arritur dhe një marrëveshje historike me Greqinë për zgjidhjen e çështjes së emrit.”

Megjithë përparimin, Hahn u shpreh se ka ende shumë punë për tu bërë nga qeveritë e këttyre vendeve:

“Gjithësesi Shqipëria dhe Maqedonia duhet të qëndrojnë të besueshme dhe të ecin pozitivisht në çështjet e  zbatimit të reformave. Duhet të vazhdojnë të zbatojnë reformat mbi sundimin e ligjit, ky është kushti më i veçantë për ta që të ecin përpara në rrugën europiane. Ka sfida kryesore siç është ekonomia – ekonomia në Ballkanin Perëndimor ka ende shumë dobësi për të marrë avantazh të plotë mbi avantazhet që ne u japim. Duhet të luftojnë papunësinë, emigracioni i lartë, standardet e jetesës.”

Ky është viti i tretë që Komisioni Europian i rekomandon Parlamentit Europian hapjen e negociatave për Shqipërinë.

Në vitin 2018 dhe 2017, KE rekomandoi hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë “në sajë të përparimit të arritur, duke ruajtur dhe thelluar hovin aktual të reformave”. Raportet e KE-së megjithëse u ndryshuan ndjeshën gjatë debateve në Parlamentin Europian, ato nuk u miratuan nga Këshilli Evropian, që jep vendimin përfundimtar për hapjen ose jo të negociatave.

Tre vite më parë, në 2016-ën, progres-raporti ku KE rekomandonte nisjen e negociatave pas plotësimit të pesë prioriteteve kyçe, -reforma në drejtësi, reforma e administratës publike, lufta ndaj korrupsionit, lufta ndaj krimit të organizuar, dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut,- u miratua në Parlamentin Evropian pas disa muajsh, dhe me shumë ndryshime nga raporti fillestar.  Megjithatë, në maj raporti nuk u miratua zyrtarisht nga Këshilli Evropian, pasi Austria vuri veton.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme