Kreu i PD Basha: Dhuna në protesta shpreh zemërimin e qytetarëve ndaj qeverisë

Kreu i PD Basha: Dhuna në protesta shpreh zemërimin e qytetarëve ndaj qeverisë

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha dënoi dhunën gjatë protestave të opozitës, por tha se ajo shpreh zemërimin e qytetarëve ndaj qeverisë. Në një intervistë për median britanike BBC World, Zoti Basha tha se ky zemërim po rritet gjithnjë e më shumë:

“PD ka bërë gjithmonë thirrje për protesta jo të dhunshme. Është distancuar dhe do të distancohet gjithmonë nga dhuna. Megjithatë, duhet kuptuar se dhuna e izoluar që, falë Zotit, nuk shkaktoi viktima – asnjë person i vetëm nuk u plagos, asnjë polic nuk u lëndua – është shprehje e zemërimit në rritje.”

Zoti Basha përmendi dhe incidentin me Sekretarin Organizativ Sahit Dollapi, i cili u dhunua nga policia:

“Numri 3 i PD-së u dhunua brutalisht dhe dhunshëm nga policia. Media ishte në gjendje ta filmonte këtë episod dhe ta transmetonte live. Në vend që këta policë të përballen me përgjegjësitë e tyre, sipas ligjit, ata janë marrë personalisht nën mbrojtje nga kryeminstri.”

Duke folur për situatën politike, Zoti Basha u shpreh:

“Këto protesta janë pasojë e një krize që ka shpërthyer me të gjithë fuqinë gjatë 4 muajve të fundit: krizë kushtetuese, krizë politike dhe pasojat e saj ekonomike e sociale.”

Lidhur me hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, Zoti Basha tha se realiteti është shumë larg raporteve të sheqerosura të qeverisë:

“Protestat janë pasojë e krizës së thellë politike në vend. Shqipëria duhet t’i bashkohet Bashkimit Europian.[P]or Shqipëria nuk mund t’i bashkohet BE-së me gënjeshtra, me fabrikime, me zgjedhje të vjedhura, me bashkëpunim me krimin e organizuar, me korrupsionin në nivelet më të larta të këtyre 29 viteve, me pandëshkueshmërinë e njerëzve me pushtet.

Dy raste të hetimit nga prokurorēt antimafia kanë zbuluar mijëra orë përgjime, që tregojnë se kryeministri dhe zyrtarë të lartë të qeverisë bashkëpunojnë me bosët e krimit të organizuar për vjedhjen e zgjedhjeve të vtiit 2017. Nuk ka absolutisht asnjë veprim në lidhje me këto akuza. Asnjë politikan nuk është thirrur në prokurori, por janë promovuar dhe janë mbrojtur nga kryeministri.”

 

2 komente

    Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

    Lajme te ngjashme