Kujtesë për opozitën: vetëm me protesta as qeveria nuk do ndryshojë, as Rama nuk do ikë

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Kujtesë për opozitën: vetëm me protesta as qeveria nuk do ndryshojë, as Rama nuk do ikë

Këtë fundjavë u bëmë dëshmitarë të shfaqjeve të dy kundërshtarëve kryesorë politikë në Shqipëri. Të shtunën, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha udhëhoqi një protestë të opozitës, e cila u njollos nga hedhja e shashkave e bombave molotov dhe dhuna ndaj policëve, pa ofruar asnjë propozim të vetëm politik, ndërsa një ditë më pas Kryeministri Edi Rama e justifikoi edhe njëherë mbajtjen me çdo kosto të pushtetit me “kontratën e tij me njerëzit” të cilën ai nuk mund ta thyejë duke dhënë dorëheqjen.

Secili ka zënë qoshen e vet, por vetëm njëri, Basha, përballet më një problem jetik.

Kryeministri Rama vazhdon të ketë mbështetjen edhe pse joentuziaste të bashkësisë ndërkombëtare, e cila nuk dëshiron paqëndrueshmëri në Ballkan. Duket, gjithashtu, se ai nuk po merr ndonjë reagim shumë negativ për parlamentin e zbrazët (jokushtetues), ku po instalon ngadalë një “opozitë hije” e cila mund t’i sigurojë votat e mjaftueshme për të miratuar çdo ligj që ka nevojë për shumicë të cilësuar. Të paktën kështu mendon ambasadori i BE-së Luigi Soreca kur shprehet për arritjen dhe zbatimin e shpejtë të një reforme zgjedhore.

Në të njëjtën kohë, Partia Socialiste ka nisur përgatitjet për zgjedhjet vendore, të bojkotuara deri tani nga opozita, sikur të mos ketë ndodhur asgjë, ndërsa ambasadori i OSBE-së Bernd Borchardt nuk ka mohuar mundësinë që OSBE do t’i njohë zgjedhjet edhe nëse opozita nuk do të marrë pjesë në to.

Me pak fjalë, deri tani veprimet dhe protestat e opozitës nuk e kanë dobësuar bazën e pushtetit të Ramës, dhe as perspektivën e tij për të fituar një shumicë të madhe në zgjedhjet e qershorit.

Rreziqet për opozitën, në veçanti për udhëheqësin e PD-së, janë shumë më të larta. As Basha dhe as ish-deputetët e tij nuk kanë më vend në tavolinat ku merren vendimet, dhe vizitat e diplomatëve të huaj tek ta janë kthyer në vizita për mirësjellje.

E gjithë ideja e braktisjes së parlamentit ishte që Basha t’i kthehej popullit dhe të ofronte një vizion të ri për Shqipërinë, por, për fat të keq, shumë pak nga ky vizion i ri ka marrë formë.

Parrulla të tilla si “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” apo “Rama ik” janë rikthim tek protestat e mëparshme kundër qeverisë në vitet 1990-të dhe fillim të viteve 2000, dhe nuk ofrojnë asgjë të re.

Për më tepër, e vetmja kërkesë këmbëngulëse e opozitës ka qenë largimi i Ramës dhe formimi i një qeverie tranzitore, pa dhënë asnjë ide tjetër se si mund të arrihet dhe do funksionojë kjo gjë ligjërisht e praktikisht.

Nuk duhet harruar se kuadri ligjor shqiptar nuk ofron asnjë mundësi për të negociuar një qeveri kalimtare me një opozitë jashtëparlamentare, edhe sikur Rama të pranojë të japë dorëheqjen—një qeveri e tillë kalimtare duhet të përcaktohet nga një konsensus jashtëparlamentar.

Nëse opozita imagjinon të ripërsërisë marrëveshjen McAllister+ të vitit 2017, bën mirë të kujtojë se OSBE-ODIHR e kritikoi ashpër marrëveshjen, e cila shkeli rëndë Kodin Zgjedhor. Një tjetër marrëveshje e negociuar midis Ramës dhe Bashës do ta shkatërronte edhe më shumë sundimin e ligjit në Shqipëri dhe do të konsolidonte precedentin e rrezikshëm të marrëveshjes McAllister+, e cila përforcoi rregullin se në Shqipëri politika qëndron mbi ligjin.

Pastaj, mbetet edhe çështja praktike e dorëheqjes së Ramës. Edhe nëse do të japë dorëheqjen si kryeministër, ai do të mbetet kreu i Partisë Socialiste dhe, si rezultat, do të jetë negociatori kryesor në çdo bisedim për një qeveri kalitare.

Ai do të mbetet personi me të cilin do të ndiheshin personalisht të lidhur dhe besnikë shumica e politikanëve dhe mbështetësve të PS-së dhe, ka pak gjasa, që Basha të sigurojë një mbështetje aq të madhe popullore sa disa prej tyre të ndërronin krah.

Këtu qëndron problemi kryesor i Bashës: ai kërkon dorëheqjen e Ramës nga pozita të dobëta. Disa nga mbështetësit e tij mund të hedhin bomba molotov, por ata nuk do të jenë në gjendje ta rrëzojnë qeverinë, nëse Basha nuk u jep përkrahësve të tij dhe qytetarëve shqiptarë diçka për të cilën ja vlen të luftohet.

Kjo do të thotë, fare thjesht, propozime politike që do të përmirësojnë ndjeshëm jetën e shqiptarëve nëse ato vihen në zbatim.

Deri më tani, pjesa më e madhe e planeve të paraqitura nga PD nuk janë gjë tjetër vecse hapja e kuletës së shtetit për të shpërndarë para me anë të subvencioneve dhe uljes së taksave. Por teza “do ju jap para” nuk është argument bindës, aq më tepër kur ai është i vetmi argument që bëhet.

Ajo që ka nevojë Shqipëria është një vizion për ta kthyer ekonominë e vendit nga një sistem oligarkik të ngritur mbi paratë kriminale që pastrohen në pasuri të patundshme në një ekonomi të ngritur vërtet mbi mundësitë njerëzore dhe natyrore që afron Shqipëria, veçanërisht në turizëm, pasuri minerare, bujqësi dhe transport.

Qasja e kërcënimit për të zhbërë të gjitha kontratat koncesionare, jo vetëm që rrezikon përballjen e Shqipërisë me kosto gjigande në arbitrazh ndërkombëtar, por, mbi të gjitha, nuk zgjidh problemet themelore: krijimin e vendeve të punës, përmirësimin e shëndetësisë dhe arsimit, menaxhimim e mbetjeve, etj.

Ndërsa për reformat e tjera të mëdha nuk kemi dëgjuar asgjë nga opozita në asnjë nga protestat e saj.

Ku është mbrojtja për sundimin e ligjit, e kërcënuar seriozisht nga reforma në drejtësi e dalë nga binarët?

Ku janë propozimet për një reformë zgjedhore, që përmban vërtetë vizionin për t’u dhënë fuqi votuesve shqiptarë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe për të kufizuar ndikimin e parasë kriminale?

Ku janë propozimet për infrastrukturën, për teknologjinë, për emigracionin, për politikën e jashtme?

Kabineti i Ramës është i mbushur me injorantë dhe amatorë, por nëse opozita nuk promovon asnjë alternativë tjetër, de facto do të jenë këta amatorë që do ta përcaktojnë debatin publik.

Kaq e vështirë qenka të gjesh dikë më vizionar për politikën e jashtme se sa Gent Cakaj?

A nuk mund të gjejë PD një njeri të aftë të hartojë një masterplan për arsimin më të mirë se Besa Shahini?

Po për financat dhe ekonominë kaq e vështirë është të gjesh dikë më pak të padukshme se Anila Denaj?

Vetëm me një diskutim që ngjall shpresë dhe besim tek ata që nuk janë militantë apo mbështetës të PD-së, vetëm me plane të cilat do të mund të tërheqin votuesit nga rradhët e PS-së, përpjekja e Lulzim Bashës për të ndryshuar politikën shqiptare mund të jetë e suksesshme.

Shembulli i fundit i Turqisë tregoi se as kontrolli total mbi procesin zgjedhor nuk arriti ta shmangë humbjen e Erdoganit në Turqi.

Edhe pse u arrestuan dhe u burgosën, edhe pse çdo gazetë opozitare u mbyll, edhe pse partia e Erdoganit kontrolloi të gjithë procesin politik, sërish opozita e bashkuar arriti të bëhet një grusht i fuqishëm dhe të fitojë të gjitha bashkitë kryesore të Turqisë.

Ata nuk fituan për shkak të protestave të përditshme me molotov me parrullën e përsëritur papushim “Erdogan ik”.

Një fitore e tillë zgjedhore—e cila është e vetmja fitore që duhet të ketë rëndësi—kërkon aleanca të zgjuara, një program politik dhe vizion të vërtetë.

Shqipëria është e lodhur me Ramën, dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim.

Por, nëse opozita nuk kërkon të bëjë një ndryshim të vërtetë dhe nuk heq dorë nga përsëritja e lodhshme e qasjeve të vjetra, as qeveria nuk do të ndryshojë dhe as Rama nuk do të ikë.

11 komente

  1. A 14 Maj, 2019 në 10:37 pm

    Rama ka mbeshtetjen e pjeses me te madhe te popullsise.

    Rama eshte ne te drejte te vet dhe prandaj ka perkrahjen pa perjashtim te nderkombetareve.

    Luli ka qene minister per 8vjet dhe kryetar bashkije per 4vjet. Nuk ka bere asgje nga ato qe thote do beje dhe as nuk kerkoi ti bente kur ishte ne opozite. Ai eshte figure kukull dhe i pabesueshem.

    Luli i ka shpetuar drejtesise me procedure dhe eshte pergjegjes per vrasjen e kater demostruesve ne shesh. “Kauza” e vertete e Lulit eshte frika nga drejtesia per vete dhe Sali qenefin.

    Keto te verteta dihen nga njerezit dhe nga nderkombetaret, ndaj dhe jemi ketu ku jemi. Sali qenefi dhe Luli do futen ne burg dhe besoni apo jo kjo do jete dita e fitores per te djathten e vertete.

    • toshi 15 Maj, 2019 në 7:47 am

      Nqs rama do ta kishte perkrahjen e shumices popullsis,te jesh i bindur qe do pranonte zgjedhje te parakohshme.ramen sot e mbeshtesin vetem ata qe perfitojne nga tepsia e tij

      • A 15 Maj, 2019 në 5:21 pm

        Tosho, ato qe kam shkruar me lart i drejtohet artikullit si te tere. Une e ti mund ti bejme tastaturat telef duke diskutu nese e ka Rama shumicen apo jo, po kjo s’ka rendesi.
        Mbas nje muaji jane zgjedhjet. Shko voto dhe prit rezultatin.

  2. t 15 Maj, 2019 në 7:40 am

    Z.van Gerven Oei,drejt e ke,por imediate tani eshte rreximi i rames,te tjerat pak a shume jane pervijuar.sa me shume te provokoje e tallet me protesten ramziu,aq me e eger ka per tu bere ajo dhe te jesh i sigurt qe ka per tu rrezuar,po nuk iku vete

  3. Diana 15 Maj, 2019 në 9:37 am

    Thua ta lexoje Basha?
    A do t’i pelqeje valle shkrimi?
    Nese do t’i pelqeje,a i ka njerezit e duhur per pozicionet kyçe?
    A do demaskoje “Sorosin”?
    A…

    A e meriton Basha te udheheqe demokratet?

    • Dionis Kurti 16 Maj, 2019 në 1:28 pm

      Një shkrim që analizon shumë qartë situatën. Për këtë duhet përgëzuar autori që bën të qartë si shkaqet ashtu edhe pasojat. Ndoshta po të jepte dhe disa versione të zgjidhjes di të ishte mirë por, situata duket.vërtetë e ndërlikuar.
      Rama ka humbur shumë terren nga njerëz që shihnin shpresë tek ai ne 2013 -ën. Gjithsesi, Basha nuk është lideri I duhur për të udhëhequr PD -në dhe shtetin. Ardhur me kontigjentin e të rinjve të KOP -it të propozuar nga Berishs më 2005, ka dështuar si ministër dhe si k.bashkie.

  4. Ilir 16 Maj, 2019 në 6:30 pm

    Shume sakt. Kapacitet ne PD prane PD, dhe ne shoqerine Shqiptare nuk mungojne. Eshte i dyshimte fakti qe Basha nuk do ti ndentifikoj keto kapacitete.

  5. greg andoni 16 Maj, 2019 në 8:49 pm

    i ka thene sorosi mos promovo njerez te kualifikaur dhe me eksperience, as teknicien te afte.

    • greg andoni 16 Maj, 2019 në 8:51 pm

      megjithese pale nga do na mplekset me ndonje profesionist shok te vetin.

  6. Hysi 17 Maj, 2019 në 7:54 pm

    Realitet i detajuar analize e sakte

  7. ARTAN MURATAJ 18 Maj, 2019 në 9:20 am

    JAME MESE DAKORTE ME ATE SHKRIME TE MESIPERM,KU KJO QEVERI AKTUALE E PA QENJTE ME PER NE, S MUNDET TE RREZOHET ME PROTESTA TE DHUNSHME E ME BOMBA MOLOTOVE,SI DHE. VETEM ME ATO THIRRJE TASHME TE KAUARA NE KOHE, SI RAMA IK E E DUAM SHQIPERINE SI GJITHE EUROPA,PORE. ASHTU SI SHKRUHET E NE KETE SHKRIME,SE PD DUHET TE HARTOJE NE MENYRE TE DETAJUARE E TE BESUESHME PER NE QYTETARET, PRA. NJE PROGRAME POLITIKE TE TE VEPRIMTARISE SAJE TE METEJSHME POLITIKE,NJE PROGRAM TE QARTE E TE BESUESHEM EKONOMIKO SOCIALE,SI PER TE RINGRITURE EKONOMINE E VENDIT TONE, E PER TE NA NXJERE NGA KY MJERIM KU NDODHEMI NE SOTE. SE ASHTU SI ESHTE THEKSUARE E NE ATE SHKRIME,ME KETO AKSIONE POLITIKE TE SAJE TE DHUNSHME E TE BOMBAVE MOLOTOVE,KJO PD KURRE S DO ARRIJE TE LARGOJE NGA PUSHTETI, RAMEN E QEVERINE E TIJE. PO ASHTU MENDOJE NJEKOHESISHTE, SE PER TE ARITURE TE RIVIJE NE PUSHTETE KJO PD, SE PARI DUHET QE. TE BEHET NJE REFORMIM I VETE STRUKTURAVE TE PD, NGA BAZA E SAJE , E DERI NE KUPOLEN DREJTUESE TE SAJ,PER FAKTIN. SE NE KRYESIMIN E PD KA ENDE SHUME FIGURA POLITIKE,QE PARA SYVE TE VETE QYTETAREVE JANE TE KONSUMUARE, E TE DRISKETITUARE. E PA U NDERMARE KJO REFORME E NE RADHET E VETE PD, AHERE KJO PD ME KETO FIGURAT E SAJE POLITIKE TE KONSUMUARA E TE DRISKETITUARA,SIGURISHTE ESHTE E QARTE PER NE, SE E KA TEPER TE VESHTIRE TE VIJE NE PUSHTETE.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme