Ministri Lleshaj: Dollapi nuk duhej dhunuar, opozita ka prodhuar ilegalisht molotov

Ministri Lleshaj: Dollapi nuk duhej dhunuar, opozita ka prodhuar ilegalisht molotov

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj bisedoi dje në mbrëmje me gazetarin Alban Dudushi, për situatën aktuale në vend, protestat e opozitës dhe për nismën e Holandës për rikthimin e vizave.

Ndër të tjera, Zoti Lleshaj tha se dhuna ndaj Sekretarit Organizativ të PD-së Dollapi gjatë protestës së 11 majit nuk ishte e nevojshme. Ai akuzoi opozitën se ka prodhuar bomba molotov në mënyrë të paligjshme.

Ministri Lleshaj justifikoi përdorimin e gazit nga policia duke thënë se ai është përdorur vetëm në situate ekstreme.

Për protestat e opozitës dhe dhunën e policisë:

– Në këto ditë të turbullta s’ka vend për krenari. E para gjë që ndjejmë është turpi që jemi në këtë gjendje, që sulmohet një institucion i shtetit shqiptar.

– Molotovi është armë. Ai është prodhuar nga njerëz që dinë ta bëjnë dhe është shpërndarë më tej. Pra, kemi të bëjmë me organizim të mirëfilltë, për të cilin nuk kishim dijeni. Janë futur molotov në vendin tonë në mënyrë ilegale sepse janë futur nën koperturë politike. Ne pritëm qytetarë në protestë, jo njerëz të armatosur. Kjo është situatë që i kalon të gjitha kufijtë e logjikës.

– Efektivët e policisë mund ta kishin menaxhuar ndryshe dhunën ndaj Sahit Dollapit. Goditjet ndaj Dollapit duhet të ishin kursyer, nuk ishin të nevojshme për tu bërë. Ne kemi hapur hetime edhe për sjelljen e policisë ndaj Dollapit.

– Gazi është përdorur [nga policia] vetëm pasi flaka ka marrë udhë, kur janë thyer dyert e Kryeministrisë, kur ka arritur në nivel ekstrem dhune. Gazi u përdor në kushte shumë herë më të agravuara, sesa ndodh nga policitë në botë në situata shumë herë më të thjeshta.

Për bojkotin e zgjedhjeve nga opozita:

– Qëllimi i vërtetë i opozitë nuk është bllokimi i zgjedhjeve, as marrja e pushtetit me dhunë apo pa dhunë. Por ka diçka që nuk e thonë: ata duan të rrëzojnë institucionet e shtetit shqiptar, pas bërjes së Reformës në Drejtësi.

– Opozita nuk do qeverisjen, ka një merak tjetër: Reformën në Drejtësi. Sepse e vetmja rrugë për të bllokuar Reformën është rrëzimi i shtetit bashkë me reformën.

– Pse u kujtuan këta në vitin 2019 për të bërë naming, ndërkohë që zgjedhjet u bënë në vitin 2017?!

– Kujtesa e vonuar është ajo që duhet marrë në konsideratë. Përse pas ngritjes së KLGJ-së dhe KLP-së? Bllokimi i zgjedhjeve janë një koperturë për arritjen e qëllimit të vërtetë të tyre.

Për nismën e Holandës për rikthimin e vizave:

– Kriminaliteti shqiptar në Holandë, po të shohim të dhënat e Open Data të vet shtetit holandez, është në nivele aq të ulëta sa neve na e kalojnë edhe krimet e shkaktuara prej dy vendeve të vogla baltike, si Letonia dhe Lituania.

– Ne do të bëjmë të pamundurën që përmes këmbimit të informacionit me homologët tanë në Holandë të mund të arrijmë të godasim autorët e krimeve atje, tani sa nuk është vonë, pasi kriminaliteti nëse nuk ndëshkohet gjen përhapje.

– Kriminaliteti nuk është i vetmi faktor [që nxiti parlamentin holandez të kërkojë vënin e vizave], që në të vërtetë është shumë minimal. Faktor tjetër është edhe azilkërkimi i qytetarëve, ndaj ne duhet të jemi gatshëm të garantojmë se nuk do të rriten këto shifra, që do të ndikonin pastaj në një vendim politik kundër nesh.

1 koment

  1. a 15 Maj, 2019 në 8:55 pm

    Nuk ka pse ministri dhe qeverija te kalojne ne mbrojtje pse policia paska bere gabim.
    Sahit Dollapi (1) sulmoi forcat e policise (2) mbante maske dhe (3) i rezistoi arrestimit.
    Ne bote policia te thy ne dysh (po sbesuat pyetni Bild se cfare ndodh me anarkistet e 1 Majit, ose protestuesve te Castor Transport).
    Gjithsesi me mire qe se thyu ndysh, kush durote edhe nji pishtar tjeter demokracie.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme