Pas 11 seancash, vetingu për gjyqtarin Islamaj drejt përfundimit

Pas 11 seancash, vetingu për gjyqtarin Islamaj drejt përfundimit Gjyqtari Edmond Islamaj

Pothuaj një vit pasi u konfirmua në detyrë nga KPK, ndaj gjyqtarit Edmond Islamaj vazhdon procesi i vetingut në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit ku Komisioneri Publik kërkon shkarkimin.

Dje u zhvillua seanca e 11-të në KPA, ku KP Florian Ballhysa dhe vetë gjyqtari Islamaj njoftuan konkluzionet përfundimtare.

Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e Islamajt, pasi nuk justifikon pasurinë dhe ka bërë deklarim të pasaktë të pasurisë:

“Deklarimet e gjyqtarit Edmond Islamaj kanë qenë kontradiktore. Ai ka kryer deklarim të pasaktë dhe nga analiza financiare është konstatuar një diferencë negative në vlerën e 6 milionë lekëve.”

Gjyqtari Islamaj, nga ana tjetër, pretendon se pasuria e tij është e justifikuar, se ka burime të ligjshme për to, dhe se gjatë këtyrë muajve ka paraqitur dokumente shtesë për pasurinë e tij:

“Nuk kemi asnjë pasuri më të madhe nga sa mund të justifikohet ligjërisht. Burimet e pasurisë sonë janë të ligjshme dhe nuk kanë burim të panjohur apo që të kalojë dyfishin, ashtu si parashikon ligji.”

Gjatë këtyrë muajve, trupa e KPA-së e përbërë nga  Luan Daci, Sokol Çomo, Albana Shtyllën, Ina Ramën dhe Rezarta Schuet, ka shtyrë vazhdimisht marrjen e një vendimi përfundimtar për Islamajn. KPA ka kërkuar vazhdimisht informacione dhe dokumente shtesë për pasurinë e gjyqtarit, si dhe për udhëtimet e tij jashtështetit dhe shpenzimet e bëra atje.

Në relacionin përfundimtar, Komisioneri Ballhysa theksoi këto probleme të pasurisë së gjyqtarit:

Bashkëshortja e gjyqtarit ka në pronësi një apartament me sipërfaqe 141 metër katrorë, një ambient shërbimi me sipërfaqe 55 metra katrorë dhe një garazh 16 metra katrorë në Durrës. Sipas Komisionerit këto pasuri janë deklaruar vetëm në deklaratën “veting”pa deklaruar burimin e tyre. Në deklaratat e përvitshme të pasurisë, dorëzuar pranë ILDKPKI-së këto pasuri nuk janë deklaruar.

Gjyqtari Islamaj ka blerë një sipërfaqe toke prej 1 mijë metrash katrorë në Kavajë, në një zonë me potencial për tu zhvilluar për turizëm. Gjyqtari Islamaj e ka blerë tokën me çmim më të ulët se çmimi i referencës dhe ai i tregut.

Gjyqtari Islamaj, bashkë me familjarët e tjerë të tij, kanë marrë dhuratë nga babai një apartament 106 metra katrorë. Sipas Komisionerit Publik, burimet për blerjen e kësaj pasurie dhe mundësitë e të atit për të blerë një apartament të tillë janë të paqarta dhe se mungojnë dokumentet për ta vërtetuar këtë gjë.

Gjyqtari Islamaj ka shitur, pas përdorimit disa vjeçar, me çmim më të lartë se sa ai i blerjes dy automjete. Komisioneri u shpreh se këto të ardhura, me shumë gjasa fiktive, janë përdorur më pas nga gjyqtari për të justifikuar shpenzime të tjera.

Për blerje e një tjetër makine me vlerë 21 mijë euro, në bashkëpronësi me babain, gjyqtari nuk ka paraqitur dokumente të sakta të blerjes.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të marrë vendimin përfundimtar për të shkarkuar ose jo gjyqtarin Islamaj më 22 maj.

1 koment

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Komentet:

    Lajme te ngjashme