Përse kandidimi i Markut për Prokurore të Përgjithshme ka rëndësi të veçantë

Përse kandidimi i Markut për Prokurore të Përgjithshme ka rëndësi të veçantë

Më 19 mars, Këshilli i Lartë i Prokurorisë hapi garën për Prokurorin e ri të Përgjithshëm dhe një ditë më parë më 2 maj, aplikimet u mbyllën.

Katër kandidatë kanë dorëzuar dokumentet:

– Fatjona Memçaj – prokurore pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.

– Lulzim Allushaj – avokat që prej vitit 2005

– Olsian Çela – Prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda;

– Arta Marku – aktualisht Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme.

Nga të katërt vetëm dy prej tyre, Fatjona Memçaj dhe Arta Marku kanë kaluar vetingun dhe janë konfirmuar në detyrë, ndërsa dy kandidatët e tjerë duhet të presin hetimin dhe seancën dëgjimore me KPK-në.

Le të ndalemi tek kandidimi i Arta Markut dhe përse çfarë do të vendosë Këshilli i Lartë i Prokurorisë për kandidimin e Markut ka rëndësi të veçantë për gjithë procesin e reformës në drejtësi.

Që prej dhjetorit 2017, kur i mbaroi mandati ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, prokuroria drejtohet nga Arta Marku, e cila u zgjodh në mënyrë anti-kushtetuesevetëm me votat e shumicës sociliste. Ky votim u mbështet në “opinionin ligjor” hartuar nga misionet e ndihmës juridike EURALIUS dhe OPDAT. Në këtë opinion, ata argumentonin (në mbështetje të qeverisë) se meqë emërimi i Markut ishte i përkohshëm, posti i saj mund të konsiderohej i ngjashëm me postin e Zëvendës Prokurorit të Përgjithshëm. Për këtë arsye, nuk është e nevojshme miratimi i saj me shumicë të cilësuar prej 84 votash në kuvend. Për shkak të këtij interpretimi të dyshimtë ligjor, i cili nuk mund të gjykohej nga Gjykata Kushtetuese e cila që atëherë e kishte humbur kuorumin, Marku, po ashtu, nuk kishte nevojë të kalonte procesin e vetingut përpara se të emërohej.

Siç kemi argumentuar gjerësisht më parë, emërimi i Markut si Prokurore e Përgjithshme “e Përkohshme”, një funksion që nuk ekziston në kodin ligjor shqiptar, e lejoi atë, qeverinë dhe ndërkombëtarët të merrnin të gjitha përfitimet: tashmë kishin dikë që mund të vepronte si Prokuror i Përgjithshëm, megjithëse ligjërisht nuk ishte.

Kjo situatë çoi në vendime të shumta të Markut të cilat ishin jokushtetuese. Sipas ligjeve të reja të hyra në fuqi bashkë me reformën në drejtësi, Prokurori i Përgjithshëm nuk mund të transferojë ose shkarkojë prokurorët e tjerë, kjo është një e drejtë që i përket KLP-së.

Meqë KLP-ja nuk ishte formuar ende, Marku i ushtroi këto të drejta në vend të KLP-së, megjithëse ndërkombëtarët i qëndronin fjalës se Marku do të ishte vetëm “e Përkohshme” dhe do të kishte vetëm kompetencat e Zëvendës Prokurorit të Përgjithshëm dhe prandaj nuk do të mund të ndikonte në strukturën organizative të Prokurorisë.

Në të gjitha anët që ta vështrosh situatën, ajo ishte e paligjshme në një mënyrë ose në tjetrën. Ose Marku ishte “si” një Prokurore e Përgjithshme e rregullt dhe në këtë rast emërimi i saj ishte jokushtetuese; ose ajo ishte “si” një Zëvendës Prokurore e Përgjithshme dhe në këtë rast vendimet e saj ishin të paligjshëm. Këto pyetje dolën gjithashtu dhe gjatë procesit të saj të vetingut, kur përfaqësuesi i ONM-së Theo Jacobs e pyeti Markun për vendimet e saj për ndryshimet në prokurori. Sidoqoftë, Marku nuk pranoi t’i përgjigjet pyetjeve të tij.

Kushtetuta është shumë e qartë: Prokurori i Përgjithshëm mund të emërohet vetëm për një mandat, pa të drejtë rizgjedhjeje.

Kjo e lë KLP-në me dy opsione: ose ta lejojë Markun si kandidate dhe do ta bëjë atë pjesë të procesit të vlerësimit ose ta përjashtojë atë nga gara.

Nëse KLP lejon kandidaturën e Markut, kjo do të thotë se nuk e konsideron atë aktualisht si Prokurore të Përgjithshme, gjë që nënkupton se shumë nga vendimet e saj që nga dhjetori 2017 kanë qenë të paligjshme dhe antikushtetuese. Nëse KLP nuk lejon kandidaturën e Markut, kjo do të thotë se ajo ishte në fakt një Prokurore e Përgjithshme, që do të thotë se emërimi i saj ishte jokushtetues.

Edhe pse Gjykata Kushtetuese nuk ka qenë kurrë në gjendje të shprehet për ngërcin ligjor, vendimi i KLP-së, nëse Marku mund të kandidojë për postin, mund të na e sqarojë pak më tepër situatën.

Me këtë vendim, ne do të dimë nëse ajo është emëruar në kundërshtim me Kushtetutën, ose nëse ka shkelur ligjin gjatë kohës që është në detyrë.

0 komente

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme