Politika e rrugës, e vetmja alternativë për qeverinë

Nga Ergys Mërtiri
Politika e rrugës, e vetmja alternativë për qeverinë

Megjithëse ndërkombëtarë dhe analistë të shumtë pohojnë vazhdimisht se politika duhet bërë në institucione dhe jo në rrugë, realiteti tregon se protestat dhe demonstrimi i forcës në sheshe praktikisht mbeten të vetmet mjete për t’u faktorizuar. Aq e vërtetë është kjo, sa prej kohësh tashmë edhe vetë qeveria ka dalë nga institucionet dhe po bën politikë rruge.

Që prej lënies së mandateve nga opozita, i frustruar nga protestat dhe mobilizimi i opozitës, Rama hyri në një tur të sajuar mitingjesh nën sloganin “Bashkia që duam”. Ai e shiti këtë si një fushatë paraelektorale, për të maksimalizuar fitoren në zgjedhjet vendore, ndonëse zgjedhjet donin muaj për t’u zhvilluar dhe, për më tepër, duket se në to nuk do të ketë garë, pasi opozita ka vendosur të mos marrë pjesë.

Është e kuptueshme që këto manifestime turmash nuk bëhen aspak për fushatë zgjedhore, por për të balancuar efektin publik të protestave të opozitës. Rama ka nevojë të demonstrojë numra, ndaj dhe sajon antimitingje të tilla, si i vetmi mjet për të thyer perceptimin se opozita ka mbështetjen e popullit. Në një moment krize të tillë, ai kërkon të tregojë se ka përkrahjen e një kategorie të madhe njerëzish, duke u munduar të krijojë përshtypjen se, sado që opozita po gjen mbështetje, populli është i ndarë më dysh – ca me Lulin dhe ca me Edin. Në kushte të tilla, barazimi është gjithçka që kërkon një pushtet i kërcënuar. Barazimi i jep legjitimitet statuquo-së, duke i zgjatur jetën qeverisë.

Kjo do të thotë se edhe vetë Rama nuk po bën më politikë në institucione. Aq më tepër kur nuk më ka çfarë të japë në to, në kushtet kur nuk ka më jo vetëm opozitë, por as qeverisje. “Opozita e re” me deputetë të paslistave e ka kthyer parlamentin në një estradë, ndërsa “qeveria e re”, e mbushur me djem e vajza pa asnjë mandat politik, e ka shndërruar Kryeministrinë në një teatër kukullash.

Kjo situatë i shkon për shtat opozitës. Ajo nuk mund të qendrojë më në institucione, kur ato janë kapur nga qeveria dhe janë shndërruar në zgjatime instrumentale të vullnetit të një njeriu të vetëm. Praktikisht, rruga mbetet i vetmi institucion i pakapur, ndaj dhe opozita është e detyruar të luajë aty. Mirëpo në këto kushte edhe vetë qeveria nuk ka më ç’të bëjë në institucione. Ajo është e detyruar të dalë gjithashtu në sheshe për të mbijetuar. Në këtë mënyrë, opozita po e zbret kundërshtarin në fushën e saj duke i vendosur ajo tashmë rregullat e lojës. Prej muajsh ajo po dikton termat e debatit, duke vendosur Krizën si kryefjalë të çdo diskutimi politik. Politika e rrugës favorizon gjithmonë opozitën. Ajo ka mundësi gjithmonë të mobilizojë më shumë njerëz, sado presion të ushtrojë qeveria mbi administratën për ta nxjerrë në mitingje. Një qeveri si kjo e tanishmja i bën gjërat edhe më të thjeshta. Niveli i pakënaqësive është aq i madh, sa nuk do shumë punë për t’i nxjerrë njerëzit në rrugë.

Por Rama është i detyruar të luajë në fushën e opozitës jo vetëm për shkak se institucionet e tij nuk prodhojnë dot më politikë, por edhe për shkak se i duhet të menaxhojë pakënaqësitë e brendshme në parti, të krijuara edhe për shkak të mospërfaqësimit të saj në qeveri. Duke mos pasur më asnjë fabul për të qëndruar në pushtet, Rama është i detyruar të bëjë politikë rruge për të mobilizuar militantët, duke prodhuar artificialisht një frymë solidariteti.

Rama po mundohet të mbahet nëpërmjet politikës së konfliktit, ku gjithçka që ndodh është pro apo kundër tij. Ndonëse kjo mënyrë e të bërit politikë ka rezultuar e suksesshme në shumë raste (Trampi, Berluskoni, Berisha), ajo vlen më shumë për situata politike dhe shoqërore që janë normale. Ajo arrin të mobilizojë aktorë dhe turma njerëzish në një skenë politike të bipolarizuar në funksion të një njeriu, duke e bërë atë të pashmangshëm. Ndërsa kur vendi është në krizë, politika e konfliktit si kjo të ekspozon si faktor destabiliteti. Nëpërmjet kësaj politike, ish-Kryeministri Berisha arriti të qëndrojë gjatë në politikë, por u dëmtua rëndë gjatë vitit ’97, kur vendi shkoi në krizë.

Për këtë arsye, mund të themi se Rama e ka humbur tashmë të gjithë fuqinë e vet, duke treguar sesa të brishta janë shpeshherë ekuilibrat politike. Ato mund të thyhen pikërisht në momentin kur dikush mendon se është më i fortë dhe i pamposhtshëm.

1 koment

  1. Elvis Torviolli 12 Maj, 2019 në 11:27 am

    Rama i ka humbur të gjitha kredencialet por, ky tjetri si ka patur ndonjëherë. Ka dështuar në të gjitha detyrat e mëparshme.
    #ipapërfaqësuar

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme