Rama, Basha — Reagimet pas protestës

Rama, Basha — Reagimet pas protestës

Sot, kanë dhënë konferenca për shtyp Kryeministri Edi Rama dhe Kryeopozitari Lulzim Basha.

Në konferencën e tij të zhvilluar në drekë, Kryeministri i bëri thirrje për dialog kreut të PD-së Basha, duke i thënë se do të mbështesë çdo propozim të opozitës:

Jam i gatshëm për dialog. Fatmirësisht ata që janë me Lulzim Bashën thonë se s’kanë nevojë për karrige. S’kemi pse ulemi, se ata s’duan as pushtet dhe as karrige, se janë njësh me qytetarët. Patjetër flasim e ulemi. Nëse kjo nuk është luftë e ulët për të bërë pazar, atëherë jemi në rregull. Çdo shqetësim ulemi e flasim, ta diskutojmë e negociojmë.

Kryeministri tha se nuk do të rrëzohet qeveria me protesta:

Nuk ka shans teorik, jo e jo praktik, të marrësh dhe të rrëzosh një qeveri legjitime e dalë nga zgjedhjet kur ti ke qenë pjesë e qeverisë, kur ti ke qenë me këto forma. Nuk ka ndodhur askund dhe nuk ka për të ndodhur këtu.

Ai e krahasoi protestën e sotme me 21 janarin, duke bërë kontrast midis sjelljes së policisë sot dhe më 21 janar:

Unë sa mbaj mend më 21 janar nuk ka pasur ndonjë tymnajë apo kapsollë te dera e Kryeministrisë apo dritarja. Këtë gjë nuk di ta kemi bërë. Por edhe nëse ka ndodhur dhe unë nuk e mbaj mend, atëherë ndjesë po qe se ka ndodhur. Di që është djegur një makinë larg Kryeministrisë, por këtu nuk di të ketë pipëtirë gjë. Mbaj mend se në atë kohë, policia kishte një organizim dizastër. Por ne kurrë nuk kemi qenë në nivelin e dhunës së këtyre, të cilët e kanë dhunën barbare.

Rama e quajti dhunën e policisë ndaj Sekretarit Organizativ të PD, Sahit Dollapi, si “një veprim të tepërt”:

Dikush që i ikën policisë me vrap e ka një arsye që ikën me vrap. Në vende me demokraci shume më të mirë se e jona do ta kishte pësuar shumë më keq. Të veprosh në ato kushte, të jesh nën flakë e gurë e nën një presion shtazarak nuk është gjëja më e kollajshme. I kuptoj ata dy punonjës policie që bën një veprimt të tepërt, por duke e gjykuar ne nga ekrani.

Gjithashtu, Kryeministri dënoi fjalët e shkruara në banesën e ambasadorit të OSBE-së Bochard:

Natën është kërcënuar ambasadori i OSBE, menjëherë pas deklaratës së OSBE, e cila foli për dhunë kriminale.

Në konferencën e tij për shtyp mbasdite, Kryetari i opozitës Lulzim Basha foli për gjendjen ku ndodhet vendit:

Ekonomia po gllabëron vende pune përmes krizës ekonomike. [..] Jetojmë në një vend anormal me njëpolitikë anoramale. […] Në 6 vite vendi nuk udhëhiqet por sundohet.

Ai dënoi përdorimin e gazit lotsjellës nga policia kundrejt protestuesve:

Mos bëj të fortin pas autoblindave, pas gazit lotsjellës, nuk do marrësh pushtet me dhunë. Në rastin më të mirë do lutesh që të kesh fatin e Nikola Gruevskit. Helmimi i fëmijëve, pleqve tregoi qartë sesa është i shkëputur nga realiteti, që i shikon si një film nga vila në Surrel.

Basha e theksoi edhe njëherë se zgjedhje më 30 qershor nuk do të ketë:

Do ta përsëris për të gjithë ata që kanë iluzionin se me Edi Ramën do të ketë zgjedhje më 30 qershor. Do të ketë një tentativë të Edi Ramës për të përsëritur 2017 dhe 2016. Për ne është mision kombëtar të mos lejojmë zgjedhje të diktuara nga krimi. Do të ketë vetëm zgjedhje të lira e të ndershme.

Kreu i opozitës kërkoi largimin e Ramës si hapin e parë të zgjidhjes së krizës:

Hapi i parë i zgjidhjes së krizës është largimi i kryeministrit të lidhur me krimin. I mirëkuptoj ata që më thonë se po kërkon shumë pak. Sepse ky duhet të ishte në burg për ato që kanë bërë. Kjo që po kërkojmë është e panegociueshme. Është e panegociueshme, sepse nuk ka mënyrë tjetër për t’i shërbyer interesit publik.

Në fund, Basha i bëri thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës së thirrur nga opozita ditën e hënë:

Nesër kemi thirrur një tjetër protestë kombëtare. Rama mos kalo caqet. Me dhunë, harroje ta mbash pushtetin. Domosdoshmëri që parlamenti të jetë vullnet i votës së lirë.

0 komente

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme