Reagimet në Ditën e Lirisë së Medias dëshmojnë situatën e medias në Shqipëri

Nga Alice Elizabeth Taylor
Reagimet në Ditën e Lirisë së Medias dëshmojnë situatën e medias në Shqipëri

Sot është Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 1993. Që atëherë, 3 maji është festuar në mbarë botën si një ditë për të promovuar parimet themelore të lirisë së shtypit, për të mbrojtur mediat nga sulmet kundër pavarësisë së tyre , dhe për të përkujtuar gazetarët që kanë humbur jetën në krye të detyrës.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres tha sot:

“Asnjë demokraci nuk është e plotë pa pasur rrugë të hapur drejt informacionit transparent dhe të besueshëm. Ky është gurthemeli për ndërtimin e institucioneve të ndershme dhe të paanshme, për t’i mbajtur përgjegjës drejtuesit dhe për t’ia thënë të vërtetat në sy pushtetit.”

Sot drejtues të institucioneve shqiptare, organizatat për lirinë e shtypit dhe të drejtat e njeriut, aktivistë dhe gazetarë nga e gjithë bota folën publikisht për sfidat me të cilat ballafaqohet sot gazetaria.

Presidenti Meta foli për “shqetësimin e tij të thellë” lidhur me situatën e lirisë së medias në vend. Ai tha se shqetësimet e tilla bien në “veshë të shurdhër”. Presidenti e përshkroi median si “më pak të lirë dhe të pavarur”, si dhe të karakterizuar nga një retorikë agresive dhe kërcënuese.

“Duke ju uruar këtë ditë, ju ftoj pa humbur kohë të unifikoheni në qëndrime, larg autocensurës, të denonconi hapur dhunën, shantazhin e presionet, gjuhën e urrejtjes e frikësimit, por dhe kushtet e papërshtatshme të punës”, u shpreh ai në një deklaratë drejtuar gazetarëve.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, pavarësisht situatës së vështirë për mediat në Shqipëri, shkruajti se “ne e festojmë rolin esencial të një shtypi të lirë”. Mesazhi i tij vazhdonte duke thënë se cilësia e një procesi demokratik lidhet me gjendjen e lirisë së shprehjes.

Pavarësisht dhjetëra sulmeve fizike, verbale, padive ligjore dhe sulmeve të tjera ndaj gazetarëve në Shqipëri gjatë 12 muajve të fundit, kjo është një nga rastet e rralla që Soreca ka përmendur lirinë e medias. Ai nuk ka pasur shumë për të kritikuar kur shtëpitë e gazetarëve janë qëlluar me armë automatike, kur ata janë sulmuar duke kryer punën, kur kanë marrë kërcënime me vdekje, kur qeveria u ka tërhequr lejen e qëndrimit, apo kur ndaj tyre është përdorur gaz lotsjellës dhe është ushtruar dhunë gjatë protestave.

Ambasadori britanik Duncan Norman shkroi në Twitter se “liria e medias është gjithnjë e më e kërcënuar”, si dhe botoi një fotografi të tij në takim me gazetarë vendas për të “diskutuar atmosferën e mediave lokale” dhe se si mund të mbështetet më mirë media.

Ambasada e SHBA në Tiranë i kujtoi qeverinë dhe politikanët që të “bëjnë punën e tyre për të forcuar lirinë e fjalës”, duke shtuar se gazetari duhet të bazohen tek etika dhe integriteti profesional.

Prezenca e OSBE-së e përshkroi rolin e medias si një “shtyllë kryesore të një demokracie të lulëzuar” dhe përshëndeti punën e gazetarëve, të cilët i shërbejnë publikut në rrethana ndonjëherë të vështira.

Exit.al kërkoi komente nga Kryeministri Edi Rama dhe Drejtori i tij i Komunikimeve, Endri Fuga, por të dyja kërkesat nuk morën përgjigje.

Genc Pollo nga Partia Demokratike, Kryetar i Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik në periudhën 2013-2017, tha se nuk ishte i habitur nga rënia së fundmi e Shqipërisë në renditjen ndërkombëtare të lirisë së medias.

Ai i tha për Exit.al se “Qeveria ka pasuruar me miliona pronarët e mediave dhe oligarkët, ka sulmuar ashpërsisht me deklarata publike gazetarët investigativë. Nuk ka për përmirësim nëse nuk ka një ndryshim të madh.”

Pollo, gjithashtu, falënderoi “gazetarët e guximshëm” që punonin kryesisht në internet.

Ish-deputetja Albana Vokshi iu referua alarmit të ngritur nga organizatat ndërkombëtare lidhur me lirinë e medias dhe statusin e gazetarëve në Shqipëri.

“Gazetarët sot e gjejnë veten nën presion, shantazh, fyerje, kërcënime për jetën, dhunë fizike apo akuza nga Kryeministri, Policia, zyrtarë të lartë qendrorë dhe lokalë. Dhuna është rritur në mënyrë dramatike dhe në muajt e fundit ka pasur shumë raste të dhunës fizike dhe kërcënimeve me vdekje, vetëm për shkak të punës së tyre.”

Ajo iu referua përpjekjeve të fundit të Kryeministrit për të zbatuar një “ligj diktatorial”, të hartuar me qëllimin për të mbyllur portalet e lajmeve që denoncojnë korrupsionin e qeverisë. Vokshi e përshkroi qëndrimin e qeverisë ndaj gazetarëve si “alarmuese dhe kërcënim për lirinë e shtypit”, përfshi edhe tërheqjen e dhënies së lejes sime të qëndrimit, pasi raportova për protestat në vend.

Vokshi shtoi: “Liria e shtypit nuk është e negociueshme dhe ajo është thembra e demokracive perëndimore”.

Megjithatë, Rama shkruajti në Twitter për këtë ditë, duke thënë se opozita po shfaqte një “komedi të zymtë” duke komentuar mbi lirinë e medias. Ai tha se opozitës do t’i vijë “dita e gjykimit” në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2021.

Kryeministri është i mirënjohur për urrejtjen ndaj gazetarëve. Ai u referohet rregullisht atyre si “kazanë” dhe “armiq publikë”. Fuga ka akuzuar publikisht gazetarët dhe organizatat ndërkombëtare të lirisë së shtypit për “lajme të rreme”, si dhe ka bërë kërcënime të nënkuptuara për gazetarë të caktuar “që kanë probleme” në raportimet e tyre.

Gazetari, shkrimtari dhe anëtari i organizatës së pavarur të gazetarëve “Këshilli Shqiptar i Medias”, Koloreto Cukali foli për prirjen globale të degradimit të shtypit, por vuri në dukje se në vendet që kanë “demokraci të pakonsoliduara, si Shqipëria”, problemi është edhe më i madh.

Cukali përmendi tri probleme kryesore me të cilat përballen gazetarët dhe publiku sot:

Prodhimi masiv i raportimit të njëanshëm, i ashtuquajturi “fake news”, lajm i rremë, që për ironi prodhohen nga ata që e përdorin togfjalëshin “fake news” më së shumti: pushteti, kryesisht qeveria dhe Bashkia e Tiranës.

Financimi jo-transparent i shumë mediave, kryesisht portaleve online. Këto para vijnë shpesh nga njerëz në pushtet, politikanë të pasur apo oligarkë. Shpesh, liria e medias blihet drejtpërsëdrejti nëpërmjet financimit të shtetit ose reklamave të kompanive të mëdha.

Siguria e gazetarëve, qoftë fizike apo në punë. Gazetarët shpesh kërcënohen nga pronarët apo redaktorët për të mos bërë punën e tyre, ose më keq akoma, për të raportuar lajme të njëanshme. Ata nuk janë të mbrojtur nga kontratat, nuk kanë sindikata funksionale dhe janë, në kuptimin e plotë të fjalës, në mëshirën e pronarëve të mediave për mbijetesën e tyre.

Cukali, gjithashtu, bëri thirrje për vetë-rregullim ligjor të medias, për krijimin e sindikatave dhe kontratave kolektive për të përmirësuar kushtet e punës për gazetarët.

Sonila Meço, gazetare e njohur dhe e respektuar televizive, tha se mediat shqiptare janë në rrezik për shkak të “konfliktit të interesit mes politikës, biznesit dhe krimit të organizuar”. Ajo shpjegoi se mediat po përjetojnë një krizë besimi që “sfidohet nga propaganda, kontratat e parregullta të gazetarëve dhe interesat e pronarëve të bizneseve”, duke shtuar se “nuk dihet se ku përfundon zyra e propagandës dhe ku fillon redaksia”.

Ajo propozoi një ligj që do të “rregullonte njëherë e përgjithmonë marrëdhënien midis pushtetit dhe pronarëve të medias, në vend të ligjeve të zyrës së propagandës, që ndikojnë lirinë e medias dhe informimin e publikut”.

Një tjetër gazetare shqiptare, Fatjona Mejdini, që kontribuon për Balkan Insight, foli për një situatë ku mediat kryesore janë “shumë të ndikuara nga interesat e biznesit të pronarëve të tyre”, si dhe për problemin e portaleve online që nuk rregullohen me ligj. Ajo i bëri thirrje komunitetit të gazetarëve të nxisin gazetarinë etike, hartimin e rregullave në këtë fushë, si dhe mënyra të reja për shkëmbimin e informacionit.

“Shoh shpresë te të gjithë ata që përdorin kanale komunikimi jo-konvencionale për të rritur cilësinë e gazetarisë së pavarur dhe të artikujve që prodhojnë.”

Një përfaqësues nga shoqata “Gazetarët Profesionistë të Shqipërisë” tha se nuk kishte kohë për të komentuar sot.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme