Renci i penduar për emërimin e Mogerinit

Renci i penduar për emërimin e Mogerinit

Ish-Kryeministri i Italisë, Mateo Renci shkruan se ndikimi i Mogerinit në politikën e jashtme të Bashkimit Evropian (BE) “ka qenë thuajse zero”. Ai thotë se është penduar që e zgjodhi Federika Mogerinin si përfaqësuese e lartë e punëve të jashtme dhe të sigurisë të BE-së.

Gazeta italiane Corriere Della Sera njofton se në librin e sapobotuar në Itali nga Renci, me titullin “Një tjetër rrugë, Ide për Italinë”, Renci është penduar për betejën politike që bëri për zgjedhjen e Mogerinit, dhe shprehet se përgjegjësia për këtë zgjedhje është e tija.

Ai thotë se punët e jashtme duhet t’i kalojnë Këshillit Evropian dhe të mos mbeten tek Komisioni Evropian në formën e “përfaqësueses së lartë”, e cila “ka zhgënjyer me pritshmëritë që kishin për të”. Renci mendon se Angela Merkel do të ishte personi më i mirë për të drejtuar Këshillin dhe punët e jashtme të BE-së.

Renci ia propozoi Mogerinin si shefe të diplomacisë dhe sigurisë Presidentit të Komisionit Evropian (KE), Zhan Klod Junker në gusht të vitin 2014. Për më pak se një vit, Mogerini shërbeu si ministre e punëve të jashtme në qeverinë e Rencit. Në 1 nëntor 2015, Mogerini mori postin që mban sot në KE.

Në verën e vitit 2014, Renci këmbënguli që Italia të përfaqësohej me Mogerinin në Komisionin Evropian. Për këtë, ai refuzoi kërkesën e Kancelares gjermane Angela Merkel dhe të Presidentit francez Fransua Holond për të propozuar ish-kryeministrin Enriko Leta, si President të Këshillit Evropian. Renci sapo i kishte marrë Letas postin e kryeministrit, pas një beteje brenda partisë së majtë “Partia Demokratike”. Pas kërkesës së Merkelit dhe Holondit, kur vetë Presidenti i Këshillit Evropian Herman van Rompuj i kishte shprehur mbështetjen për Letan, Renci i kishte thënë “Nuk e bëj president Letan unë.” Pasi e kishte mundur brenda partisë Letan, Renci zgjodhi ta luftonte atë edhe si të mundur.

Ndërkohë, Mogerini ishte ndër personat e afërt të Rencit, të cilës ai i besoi një institucion të rëndësishëm në qeverinë e tij, Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në vijim ai e katapultoi atë në Komisionin Evropian dhe u pendua shpejt për zgjedhjen dhe luftën që bëri për këtë katapultim. Corriere Della Sera shkruan se me Letan në Këshillin Evropian, menaxhimi i krizës së migracionit do të kishte qenë shumë më ndryshe, ndërkohë që Mogerini u tregua pa kuroja në politikën e jashtme të BE-së.

Në librin e tij, Renci shkruan se Kancelararja Merkel do të ishte personi i duhur për të zëvendësuar Donald Tuskun, Presidentin e tanishëm të Këshillit Evropian, dhe se ajo do të duhej të merrte në dorë edhe punët e jashtme të BE-së, pas dështimit të Federika Mogerinit.

2 komente

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Komentet:

  1. . 9 Maj, 2019 në 3:21 pm

    fashisti dhe komunistja

Lajme te ngjashme