Taksa për blerjet online, sqarimi i Ministrisë së Financave shkakton keqkuptime

Taksa për blerjet online, sqarimi i Ministrisë së Financave shkakton keqkuptime

Ministria e Financave ka lëshuar një plotësim udhëzimi për të sqaruar pagesën e tarifës doganore për blerjet online për përdorim vetjak, jotregtar, nga qytetarët, duke sqaruar se taksa doganore zbatohet mbi vlerën ku përfshihet jo vetëm çmimi, por edhe kostoja e transportit.

Disa media e kanë intepretuar këtë sqarim si rritje të taksës, por është në fakt një procedurë standarde ligjore, e cila zbatohet për çdo mall që tregtohet në vend, pra, për të gjitha mallrat që importohen nga bizneset për t’iu shitur konsumatorëve brenda vendit.

Që nga viti 2016, blerjet online me vlerë të produktit mbi 22 euro tatohen me tarifë doganore dhe TVSH, me përjashtim të alkoolit, duhanit dhe parfumeve, të cilat tatohen në çdo rast, pavarësisht vlerës së blerjes, pra edhe nëse ajo është më e vogël se 22 euro.

Udhëzimi i Ministrisë së Financave i muajit mars thekson se kufiri prej 22 euro gjykohet mbi çmimin e mallit, pa koston e transportit, por aplikimi i tarifës doganore dhe TVSH-së për mallrat me çmim më të lartë se 22 euro bëhet mbi koston totale të blerjes, pra, mbi totalin çmim plus kosto transporti.

Në vitin 2016, qeveria Rama vendosi tarifë doganore mbi çdo produkt të blerë online mbi vlerën 22 euro dhe për çdo dërgesë personale postare me vlerë mbi 45 euro, pra mbi mallrat që një qytetar në Shqipëri mund t’i dërgohen nga dikush tjetër jashtë Shqipërisë me anë të postës, pavarësisht se kush ka paguar për mallin që dërgohet.

Para vitit 2016, tarifa doganore dhe TVSH-ja zbatoheshin vetëm mbi blerjet dhe dërgesat mbi 150 euro.

Për të argumentuar uljen drastike të kufirit të tatueshëm për blerjet online, Kryeministri Rama u justifikua me nevojën se kjo “procedurë standarde do të zbatohet në Shqipëri për të luftuar informalitetin, i cili ushqehet nga blerja në Internet.”

Pavarësisht këtij justifikimi, në publik u diskutua se kjo masë kishte për qëllim që të favorizonte importuesit e mëdhenj të mallrave, të cilët konkurroheshin nga blerjet online, që u ofronin konsumatorëve shqiptarë një alternativë tjetër, jo rrallë më të lirë dhe me cilësi më të mirë.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme