Vuçiç tërhiqet, Rama dhe Thaçi i qëndrojnë shkëmbimit të territoreve

Vuçiç tërhiqet, Rama dhe Thaçi i qëndrojnë shkëmbimit të territoreve

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Kryeministri Edi Rama nuk kanë hequr dorë nga shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, sipas Thaçit.

Thaçi shkruajti se ai dhe Rama biseduan dje për t’i ndërgjegjësuar shqiptarët se Lugina e Preshevës duhet t’i kalojë Kosovës dhe se kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë duhet hequr.

Në një postim në Facebook, Thaçi shkruajti:

“Sapo zhvillova një takim me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ku mes tjerash biseduam për domosdoshmërinë e hapjes së plotë të kufirit Kosovë-Shqipëri dhe krijimin e një hapësire shqiptare pa kufi, nën ombrellën euroatlantike. Në këtë takim ngritëm nevojën e korrigjimit të padrejtësive historike, duke bashkuar faktorin shqiptar rreth sensibilizimit të së drejtës të bashkëngjitjes së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me territorin e Republikës së Kosovës. HTH”

Kjo deklaratë vjen pas Samitit të Berlinit të thirrur nga Kancelarja Merkel dhe Presidenti Makron, në lidhje me të cilin mediat ndërkombëtare raportuan se në të u hodh poshtë çdo mundësi për shkëmbime territoresh në rajonin e Ballkanit. Pas këtij samiti, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç deklaroi se ideja për shkëmbim territoresh kishte qenë e tija dhe se kjo ide kishte dështuar përfundimisht në këtë samit.

Dje po ashtu Kryeministri Ramush Haradinaj deklaroi për herë të parë se Kryeministri Rama kishte biseduar për shkëmbime territoresh me Vuçiçin, Thaçin dhe Mogerinin.

Në një intervistë për Top Channel, Thaci tha se ideatori i “korrigjimit të kufijve” ishte ai vetë dhe se kjo ide “nuk u varros në Samitin e Berlinit”. Ky samit, sipas tij, ishte një “samit i zakonshëm” ku u dëgjuan mendimet e drejtuesve të Ballkanit Perëndimor. Thaçi shtoi se do të punonte për këtë ide, pasi SHBA nuk ka vendosur “vija të kuqe”.

Pas Samitit të Berlinit, Kryeministri Rama nuk është shprehur ende në lidhje me fatin e idesë për shkëmbimin e territoreve. Ai nuk është shprehur as për deklaratat e disa politikanëve të rajonit dhe të botës se ai kishte rënë dakord me Vuçiçin në vitin 2016 për planin e këtij të fundit për shkëmbimin e territoreve.

Presidenti Thaçi ndodhet këto ditë në Shqipëri për të marrë pjesë në Samitin e Procesit Brdo-Brijuni, bashkë me presidentët e Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, nën mikëpritjen e Presidentit Ilir Meta. Të ftuar në samit janë dhe Presidenti i Polonisë Andrej Duda dhe drejtuesja e diplomacisë së BE-së, Federika Mogerini.

0 komente

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme