Arta Marku mbron zgjedhjet e anuluara dhe kërcënon armiqtë imagjinarë të qeverisë

Nga Arjan Balla
Arta Marku mbron zgjedhjet e anuluara dhe kërcënon armiqtë imagjinarë të qeverisë

Një udhëzim drejtuar prokurorëve nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku për masat që duhet të marrin për zgjedhjet lokale, që qeveria ka vendosur t’i mbajë më 30 qershor, nxjerr zbuluar kapjen e prokurorisë nga Kryeministri Rama.

Sinkronia mes veprimeve të Ramës dhe përsëritjes së tyre nga Marku në këtë situatë krize të shumëfishtë që po kalon vendi është shqetësuese dhe tregues i autokracisë në rritje në Shqipëri.

Prokurorja Marku, që më herët ka thënë se, ndryshe nga Kushtetuta, njeh si sovran parlamentin dhe jo popullin, me këtë udhëzim duket se konceptin e sovranitetit e kufizon edhe më tej në rrathë koncentrikë: Partia Socialiste, Qeveria, Kryeministri.

Vetëm kështu mund të shpjegohen shkarjet ligjore dhe profesionale, si dhe ndjekja e oreksit të Kryeministrit në këtë udhëzim të një institucioni që duhet të ishte i pavarur, sidomos pas suksesit të trumpetuar të reformës në drejtësi.

Më poshtë po radhisim shqetësimet serioze që dalin në pah në këtë udhëzim të datës 21 qershor.

Së pari, e njëjta prokurore, e zgjedhur nga Partia Socialiste në shkelje të Kushtetutës, nën drejtimin e së cilës është penguar nisja e hetimeve të vjedhjeve të zgjedhjeve në 2016 dhe në 2017, tani udhëzon prokurorët të nisin hetime “të menjëhershme”, “proaktive”, “të përthelluara”, “të përshpejtuara” ndaj atyre që “prekin zgjedhjet”, të cilat Kryeministri Edi Rama ka vendosur t’i mbajë më 30 qershor.

Pavarësisht se për vite me radhë prokuroria nuk i ka shqetësuar kurrë grupet e hajdutëve të zgjedhjeve nën drejtimin politikë-krim të Gjiknurit dhe Lalës apo të Dakos dhe Avdylajve, Arta Marku tani kërcënon qytetarët më të njëjtën gjuhë si Kryeministri Rama.

Ajo flet për autorë veprash penale që “prekin zgjedhjet”, me një gjuhë jo të ligjit, por të politikës, dhe specifikisht me gjuhën kërcënuese të Kryeministrrit Rama ndaj opozitës dhe mbështetësve të saj.

Ky udhëzim i përgjithshëm ka për qëllim unifikimin e masave në prokuroritë […] për rritjen e efektivitetit të hetimeve dhe ushtrimit të ndjekjes penale ndaj autorëve të veprave penale që prekin zgjedhjet e lira në sistemin demokratik të zgjedhjeve ose të veprave penale të tjera që dëmtojnë procesin zgjedhor, në periudhën para dhe pas zgjedhore […]

Kurrë më parë publiku nuk është njohur me ndonjë udhëzim të Arta Markut hetimin e vjedhjes së zgjedhjeve nga politikanë në bashkëpunim me kriminelë, qofshin këto hetime të përthelluara apo të përcipta.

Së dyti, në shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve, ashtu si Kryeministri Rama, Prokurorja Marku hedh poshtë dekretin e Presidentit për anulimin e datës së zgjedhjeve. Neni 3.3 i udhëzimit të Markut përcakton se:

Dita e zgjedhjeve është data e votimit e caktuar me dekret të Presidentit të Republikës.

Marku jep edhe një referencë se ku gjendet dekreti i mëparshëm i Presidentit, që përcakton 30 qershorin si ditë zgjedhjesh, të cilin ajo ka përzgjedhur ta zbatojë.

Aktualisht Presidenti ka anuluar me dekret këtë datë. Ky dekret është botuar në Fletoren Zyrtare, duke e bërë këtë akt të detyrueshëm për të gjithë institucionet ligjzbatuese, përfshirë edhe atë që drejton Marku.

Referenca që Marku i bën dekretit të mëparshëm, si bazë ligjore ku ajo mbështetet, është arrogancë, tallje dhe përqeshje në vazhdën e të njëjtave veprime të Kryeministrit Rama.

Së treti, udhëzimi i Arta Markut cenon pavarësinë e prokurorit dhe bie ndesh me Kushtetutën dhe ligjin Për Prokurorinë.

Ai i detyron prokurorët të hetojnë “me përparësi” çdo denoncim që përbën krim elektoral gjatë zgjedhjeve të 30 qershorit. Por prokurori është i pavarur në ndjekjen dhe hetimin e çështjeve që ai merr.

Konkretisht neni 8 pika 2 e udhëzimit i detyron prokurorët të:

– Të delegojnë veprime hetimore tek Oficerët e Policisë Gjyqësore;
– Të përcaktojnë afate kohore të përshpejtuara për hetimin e çështjeve;
– Të mbikëqyrin zbatimin e urdhërimeve deri në përfundim të hetimit.

Kushtetuta dhe ligji Për Prokurorinë përcaktojnë pavarësinë e prokurorit në ushtrimin e ndjekjes penale.

Kushtetuta në nenin 148, pika 2 shprehet:

Prokuroria është organ i pavarur që garanton mbarëvajtjen, kontrollin e veprimeve të saj dhe respekton pavarësinë e brendshme të prokurorëve për hetimin dhe ndjekjen penale, sipas ligjit.

Ndërkohë neni 45 i ligjit për prokurorët përcakton se:

Prokurorët ushtrojnë funksionet e tyre në mënyrë të pavarur, gjatë hetimit dhe përfaqësimit të akuzës në gjykim.

Pra, zot i çështjes është vetë prokurori. Ai vendos të ndërmarrë veprime hetimore të caktuara apo të delegojë detyra sipas ligjit. Duke qenë se ky udhëzim është i detyrueshëm për të gjithë prokurorët, veprimtaria e tyre hetimore nuk mbetet më në vullnetin e tyre, por në atë të Arta Markut.

Së katërti, Arta Marku kërcënon me burgim, njësoj si Kryeministri Rama, ata që “prekin zgjedhjet”. Neni 8.3 i udhëzimit të Markut:

Prokurorët të kryejnë me përparësi veprimet proceduriale, për të siguruar: hetime të plota dhe gjithëpërfshirëe të çështjeve, ngritjen e akuzës në gjykatë bazuar në rrethanat e faktit të provuara dhe në ligjin material penal e procedural penal të zbatueshëm […]

Ndërkohë që shumica socialiste pritet të bëjë ndryshime antikushtetuese në kodin penal, për të dënuar me moslejim për të dalë nga Shqipëria për 5 deri në 10 vite ata që “prekin zgjedhjet”, Arta Marku është kujdesur t’i paraprijë miratimit të pritshëm të këtyre ndryshimeve. Ajo nuk flet thjesht për “ligjin penal dhe të procedurës penale”, por për ato ligje që do të jenë “të zbatueshme”. Këtu ajo i tërheq vëmendjen prokurorëve që të mbajnë sytë hapur për padi të merituara me izolim brenda vendit, por edhe kërcënon qytetarët me dënime shembullore, në mënyrë të ngjashme me Kryeministrin Rama.

Së pesti, Arta Marku kërcënon bashkitë e drejtuara nga opozita, njësoj si Kryeministri Rama, që të mos “prekin zgjedhjet”. Kjo vjen pasi mbështetës së opozitës në disa bashki dëmtuan materialet zgjedhore javë e shkuar. Ajo i udhëzon prokurorët për “ashpërsim të kërkimeve” (sic!) për veprat penale “me tendencë në rritje” në “njësitë administrative” të vendit.

Prokurorët në kërkesat për caktimin e masave të sigurimit personal dhe në caktimin e masave të dënimit për këto grupvepra penale, të ashpërsojnë kërkimet, si për llojin e masave të sigurimit personal, ashtu dhe për masat dhe llojin e dënimit për veprat penale më të përhapura me tendencë në rritje në shkallë vendi apo në njësitë administrative […]

Së gjashti, prokuroria mund edhe të mos e botonte këtë udhëzim të brendshëm, mirëpo zgjodhi ta bënte.  Botimi i këtij udhëzimi kërcënues, antiligjor dhe antikushtetues, në sinkroni me kërcënimet e njëjta të Kryeministrit Rama, nuk lë vend për dyshime se prokuroria nën drejtimin e Arta Markut mund të ketë ndonjë fije pavarësie nga qeveria.

Ky botim është në të njëjtën linjë me daljen e jashtëzakonshme para mediave të Prokurores Donika Prela, e cila lexoi një deklaratë që përpiqej të justifikonte mosnisjen e hetimeve ndaj politikanëve dhe kriminelëve që kanë vjedhur votat, si dhe kërcënoi këdo që nxjerr në media informacione krimesh të partisë në pushtet.

Shqiptarët do të kishin qenë krenarë për pavarësinë dhe ekuilibrin e pushteteve në vendin e tyre, nëse ky udhëzim i Arta Markut nuk do të synonte të prekte qytetarë armiq imagjinarë të qeverisë dhe të zgjedhjeve njëpartiake, por do të synonte të dërgonte para drejtësisë grupet e krimeve zgjedhore Dako-Avdylaj dhe Gjiknuri-Lala të drejtuara nga Kryeministri Rama.

2 komente

  1. a 27 Qershor, 2019 në 9:08 pm

    Edhe nje loqe me shume qe merr persiper te analizoje kushtetuten, punen e prokurorise, kodin penal….
    Nje kerkim i thjeshte dhe i thelluar per autorin nuk te shpie gjekundi.
    Tamam, nje anonim kokeloqe qe i bashkohet turmes per kocken e radhes.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme