Basha: Tërheqja e Këshillit të Europës nga 30 qershori tregon se zgjedhjet janë të paligjshme

Basha: Tërheqja e Këshillit të Europës nga 30 qershori tregon se zgjedhjet janë të paligjshme

Kryetari i PD-së Lulzim Basha deklaroi sot se tërheqja e Këshillit të Europës nga vëzhgimi i zgjedhjeve tregon qartë se më 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje.

Në një deklaratë për shtyp, Zoti Basha u shpreh se tërheqja e KiE-së, që nuk është tërhequr as nga vëzhgimi i zgjedhjeve në zona konflikti, tregon se 30 qershori nuk është ligjërisht ditë zgjedhjesh në Shqipëri.

“Sot bota perëndimore dha sinjalin e parë, të qartë dhe të prerë, se 30 Qershori nuk është ditë zgjedhjesh në Shqipëri.

Vendimi i Kongresit të Autoriteteve Rajonale e Lokale të Këshillit të Europës për të anuluar dërgimin e Delegacionit Vëzhgues për farsën elektorale që po tenton të zhvillojë Edi Rama, është fakt kuptimplotë se në 30 Qershor nuk ka zgjedhje në Shqipëri.

Për herë të parë nga rënia e komunizmit, Këshilli i Europës ka vendosur të mos dërgojë Delegacion Vëzhgues për zgjedhjet, pavarësisht ftesës që i ka bërë Qeveria shqiptare. Këtë vendim Këshilli i Europës e ka marrë jo sepse ia ka kërkuar opozita, por sepse 30 Qershori nuk është ligjërisht ditë zgjedhjesh në Shqipëri.

Ky është një vendim qartësisht politik sepse është një tërheqje që Këshilli i Europës nuk e ka bërë as për zgjedhje të zhvilluara në zona konfliktesh të armatosura apo konflikti civil nga Ukraina në Gjeorgji nga Armenia dhe Azerbajxhani apo edhe gjatë konfliktit të armatosur në Maqedoni.”

Në mbyllje të deklaratës, Zoti Basha tha se se opozita nuk do të lejojë që “Rama t’i shkojë deri në fund planit të tij kriminal për të mbajtur me dhunë pushtetin dhe për të destabilizuar vendin.”

Paraditen e sotme Zoti Basha takoi dhe shefen e vëzhguesve të OSBE-ODIHR Audry Glover, por asnjë prej tyre nuk dha informacion për çfarë biseduan.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme