BE duhet të hapë negociatat, por jo për shkak të reformës në drejtësi

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
BE duhet të hapë negociatat, por jo për shkak të reformës në drejtësi

Gjatë javëve të fundit, Komisioni Evropian ka përmendur shpesh “suksesin” e reformës në drejtësi si argumentin kryesor në favor të hapjes së negociatave, përtej “përparimit të pakthyeshëm” në fusha të tjera (megjithëse duket sikur tashmë as vetë nuk i besojnë këto që shkruajnë).

Përveç faktit se çdo lloj përparimi është lehtësisht i kthyeshëm, siç po tregojnë shumë vende kudo në botë të cilat po dëmtojnë veten, përqendrimi tek “suksesi” i reformës në drejtësi është arsyeja e gabuar për të argumentuar hapjen e negociatave me BE-në.

Kjo gjë duhet të shihet si një gabim strategjik serioz dhe gjykim i dobët nga ana e Komisionit Evropian. Duke u varur tek reforma në drejtësi, Komisioni Evropian e ka futur veten (dhe Shqipërinë) në një qoshkë nga ku nuk mund të dalë.

1) Nëse reforma në drejtësi është me të vërtetë një sukses, bëhet e pamundur çdo kritikë ndaj funksionimit aktual të sistemit gjyqësor. Ta quash reformën sukses do të thotë të shpërfillësh totalisht mungesën e Gjykatës Kushtetuese—BE e ka quajtur këtë ‘një çmim shumë i lartë për t’u paguar për këtë tranzicion‘—të injorosh mungesën e një Gjykate të Lartë funksionale—BE ka thënë se ‘vetingu do të ketë pasoja në të gjithë nivelet e sistemit të drejtësisë’—dhe do të thotë të shpërfillësh mënyrat me anë të të cilave qeveria Rama po e përdor si armë sistemin e dobët dhe “të përkohshëm” të drejtësisë për të sulmuar opozitën dhe Presidentin.

Thënë ndryshe, për shkak se Komisioni Evropian është kaq i vendosur ta quaj “sukses” atë—që sipas të gjitha standardeve duhet të quhet një eksperiment i shkuar keq, qëllimet dhe rezultatet e të cilit ndrshojnë sipas motit diplomatik—është e pamundur për KE-në të kritikojë zbatimin e saj.

Si rezultat, KE ka humbur besueshmërinë, jo vetëm tek disa parlamente të vendeve të BE-së, por gjithashtu po e humbet përditë e më shumë dhe besimin e opinionit publik shqiptar.

2) Nëse Komisioni Europian papritmas do të vendoste të pranonte realitetin se reforma në drejtësi nuk është sukses, ajo do t’u jepte shteteve skeptike të BE-së një argument të menjëhershëm për të votuar kundër hapjes së negociatave Shqipëri-BE.

Kështu, duke e lidhur çështjen e negociatave me “suksesin” e reformës në drejtësi, Komisioni Evropian e ka futur veten në një ngërç: ose të mbështesë dhe të imponojë një regjim të korruptuar me lidhje të ngushta me mafien, ose të humbasë të gjitha mundësitë e hapjes së negociatave me Shqipërinë.

Kjo është sigurisht një strategji fatale.

Komisioni Evropian ka detyrë të kritikojë të dyja, lidhjet kriminale të qeverisë shqiptare dhe zbatimin e dështuar të reformës në drejtësi hartuar nga një konsorcium privat, si dhe të argumentojë planin për zgjerimin e BE-së bazuar në interesat e veta gjeostrategjike.

Mënyra e vetme që mund të ngrihet një argument i tillë nuk është zbatimi i reformave burokratike, por mbrojtja e flaktë e Bashkimit Europian si projekt për ruajtjen e paqes për më shumë se gjysmë shekulli në një pjesë të madhe të kontinentit.

BE duhet të refuzojë zgjerimin bazuar vetëm në vizionin e ngushtë ligjor, i cili bazohet thjesht në përafrimin e legjislacionit të vendeve jo anëtare me acquis communautaire të BE-së. Ajo duhet të përqafojë integrimin si proces i përafrimit të vlerave dhe standardeve të qeverisjes së mirë, vlera të cilat kurrë nuk mund të zbatohen me ligj nga lart, por janë aspekte të një kulture politik-bërjeje që nis nga poshtë.

Kjo mendësi, gjithashtu, do ta forconte më shumë Parlamentin Europian, duke i dhënë mundësi të ndërhyjë tek qeveritë që i shkelin këto vlera. Për ta bërë këtë, duhet të forcohet pushteti i Parlamentit Europian mbi Komisionit Evropian.

Një bashkim i fortë shtetesh mund t’u imponojë shteteve kandidate të njëjtat standarde të larta që do t’i bënin reformat me të vërtetë të suksesshme.

Thënë shkurt, argumenti për zgjerimin e BE-së duhet të jetë politik, jo burokratik.

Komisioni i tanishëm Europian është drejt largimit dhe e ka humbur pothuajse të gjithë besueshmërinë (dhe nuk pati asnjëherë vizionin), për të artikuluar një drejtim të ri.

Është në dorën e Komisionit të ardhshëm ta rishqyrtojë tërësisht procesin e pranimit të vendeve të reja, duke hedhur poshtë modelin e tanishëm ekzekutiv, teksa i jep shumë më tepër autonomi Parlamentit Europian dhe parlamenteve të Ballkanit Perëndimor.

KE-ja e re duhet të mbështesë një integrim më të ngushtë të BE-së bazuar në interesat e veta gjeo-strategjike dhe për këtë arsye duhet të hapë negociatat me Ballkanin Perëndimor.

Problemet që, padyshim, do të importohen nga përfshirja e këtyre vendeve në BE, janë arsye që BE të ndalet dhe reflektojë për të kuptuar se çfarë është dhe çfarë kërkon ajo.

Por këto probleme do të jenë shumë më të vogla se ato që krijohen nga lënia jashtë e Shqipërinë, Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës, vetëm për arsye se BE ishte e paaftë të zbatojë në këto vende reforma, të cilat ajo nuk mund t’i zbatojë dot as në vendet anëtare.

1 koment

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme