Bilal Shehu—Edi Rama: afera perfekte e financimit të paligjshëm dhe pastrimit të parave

Nga Arjan Balla
Bilal Shehu—Edi Rama: afera perfekte e financimit të paligjshëm dhe pastrimit të parave

Akuzat kundër PD-së për çështjen e lobimit amerikan janë kthyer në refren të përditshëm të shumicës socialiste, ndërkohë që çështja po hetohet prej më shumë se një viti e gjysëm, nga prokuroria shqiptare, së fundmi, duke i shtuar akuza për pastrim parash.

Ndërkohë, vetëm pak kohë më parë ishte Kryeministri Rama i cili u përfshi në një aferë, tashmë të provuar nga drejtësia amerikane, për konspiracion për të thyer ligjet amerikane dhe financuar në mënyrë të paligjshme fushatën presidenciale amerikane.

Në shkurt të vitit 2017, Gjykata Federale Newark, New Jersey dënoi me një vit burg me kusht Bilal Shehun, qytetar amerikan, me origjinë shqiptare, shofer taksie.

Bilali kishte pranuar fajësinë se kishte ndihmuar në futjen e 80 mijë dollarëve në fushatën presidenciale të Presidentit Obama, duke fshehur origjinën e tyre të huaj. Ligjet amerikane ndalojnë financimet e huaja për fushatat politike amerikane.

Qëllimi i financimit ishte sigurimi i një fotoje midis Kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe presidentit Barack Obama, e cila u përdor për propagandë në fushatën zgjedhore të vitit 2013 në Shqipëri.

Në hetimet amerikane u zbulua qartë se Edi Rama dhe një nënshtetas grek ishin pjesë e konspiracionit për të shkelur ligjet amerikane përmes një skeme të kamufluar transfertash bankare.

Ky informacion duhet të ishte i mjaftueshëm për prokurorinë shqiptare për të hapur hetimet për pastrim parash, por ajo nuk mori asnjëherë ndonjë hetim për këtë aferë ku përfshihej Kryeministri Rama.

Skema e pagesës se provuar nga prokurorët amerikane, bazuar në bashkëpunimin e Bilal Shehut, ishte si më poshtë.

  • Në shtator 2012, Bilal Shehu, shtetas amerikan, mori në llogarinë e tij bankare shumën prej 80 mijë dollarësh nga një burim i huaj.
  • Pas disa ditësh, Shehu ia dhuroi këtë shumë fushatës për rizgjedhjen e Presidentit Obama.
  • Si rezultat i dhurimit, ai fitoi mundësinë të merrte dy bileta për të marrë pjesë në një darkë me ftesa të organizuar nga Presidenti Obama.
  • Për këtë qëllim, në fillim të tetorit 2012, ai udhëtoi në San Françisko për të marrë pjesë në darkën ne fjalë, së bashku me një nënshtetas të huaj—bëhet fjalë për ish-kryetarin e opozitës Edi Rama.
  • Shtetasit të huaj, pra Edi Ramës, iu mohua hyrja në aktivitet, por atij ju lejua, sidoqoftë, të bënte një fotografi me Presidentin Obama, ndërsa ky i fundit po hynte në sallë.
  • Financuesi i 80 mijë dollarëve, të kanalizuara ilegalisht në Fushatën Obama, ishte një shtetas i huaj grek.
  • Sipas hetuesve amerikane, me shumë gjasa, transferta e 80 mijë eurove pati si origjinë një kompani me qendër në Shqipëri.
  • Nga Shqipëria, paratë hynë në SHBA përmes një operacion të fshehtë qarkullimi parash, duke përdorur dërgesa të njëpasnjëshme në një sërë vendesh të ndryshme me qëllim fshehjen e origjinës së tyre.
  • Sipas hetuesve, me gjasa, paratë kanë ardhur nga burime joformale dhe transferta e tyre ka shkelur ligje të vendeve të tjera veç atyre amerikane.
  • Skema e financimit të paligjshëm ishte e mendur dhe e përgatitur me kujdes që më parë, mes Edi Ramës, shoferit të taksisë Bilal Shehut dhe një greko-amerikani të quajtur Uilliam Argeros.
  • Me veprimet e tij, shtetasi amerikan, Bilal Shehu shkeli ligjin elektoral të SHBA-ve, i cili i ndalon nënshtetasit e huaj të kontribojnë direkt apo indirekt në zgjedhjet amerikane të të gjitha niveleve.

Pas vendimit përfundimtar të drejtësisë amerikane kundër këtij operacioni të financimit të paligjshëm, me fonde të dyshimta, hetimet duhet të kishin vazhduar në Shqipëri për të zbuluar origjinën e parave.

Hetimet amerikane dëshmuan se paratë erdhën nga një biznesmen dhe jo burime zyrtare të Partisë Socialiste, çfarë duhet të hapte jo vetëm hetimet për financim të paligjshëm të PS-së, por edhe për mundësinë e pastrimit të parave, nëse paratë nuk kishin ardhur nga burime të ligjshme.

Partia Demokratike madje e denoncoi çështjen në Prokurori, por prokuroria nuk hapi asnjëherë një hetim penal.

Ndërkohë Edi Rama ishte bërë Kryeministër dhe ai kishte filluar reformën në drejtësi. Në krah të tij ishte kudo ambasadori i atëhershëm Donald Lu, i cili ndryshe nga zelli që tregoi më vonë për rastin e PD-së, nuk tregoi asnjëherë ndonjë interes për hetimin e financimit të paligjshëm të Edi Ramës.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme