Dekreti i Presidentit: shuarja e shkallës së lartë të gjyqësorit e bën të pasfidueshëm

Nga Megi Ndregjoni
Dekreti i Presidentit: shuarja e shkallës së lartë të gjyqësorit e bën të pasfidueshëm

Dekreti i Presidentit Meta për anullimin e datës së zgjedhjeve ka ngjallur debat mbi kushtetueshmërinë apo ligjshmërinë e tij dhe për rrjedhojë zbatueshmërinë e tij.

Për t’i bërë gjërat edhe më të ndërlikuara, tashmë ka paqartësi edhe mbi mekanzimin e duhur ligjor për të verefikuar këtë ligjshmëri.

Partia Socialiste dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në dhunim të hapur të standardeve të shtetit të së drejtës, e kanë deklaruar nul dekretin, duke refuzuar ta njohin dhe zbatojnë atë.

Në fakt, nëse ka një gjë të padiskutueshme në këtë çështje është fakti se institucionet publike janë të detyruara ta zbatojnë dhe të mos e gjykojnë një dekret presidencial, i cili mbetet në fuqi dhe është i detyrueshëm deri sa nuk është shfuqizuar nga gjykata, i vetmi institucion kompetent për ta bërë atë ul.

Përkundër hamendësimit të natyrshëm se është Gjykata Kushtetuese që duhet të shqyrtojë kushtetueshmërinë e dekretit, një nga ekspertet e hartimit të reformës në drejtësi, pedagogia Aurela Anastasi ka pohuar sot në një intervistë për Deutsche Welle se dekreti i Presidentit për shtyerjen e zgjedhjeve mund të ankimohet në Gjykatën Administrative të Tiranës.

Në mëbshtetje të këtij pohimi, Zonja Anastasi solli në vëmendje dy vendime të mëparshme të Gjykatës Kushtetuese, të cilat duket sikur e cilësojnë dekretin e presidentit akt administrativ.

Në Vendimin Nr. 25 të vitit 2002 Gjykata Kushtetuese është shprehur:

“Nga përmbajtja dhe fryma e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, del qartë se Presidenti i Republikës, si kryetar i shtetit edhe pse i ndarë nga organet kryesore që realizojnë pushtetet, kryen disa funksione që kanë natyrën e këtyre pushteteve. Eshtë kjo arsyeja që Presidenti i Republikës në ushtrimin e funksioneve të tij, krahas akteve që janë rezultat dhe shprehje e drejtimit politik, nxjerr akte individuale me karakter administrativ.

Ky përcaktim është përforcuar përsëri nga e njëjta gjykatë me vendimin Nr. 33 e vitit 2003:

“Nga përmbajtja dhe fryma e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, del se veprimtaria e Presidentit të Republikës si kryetar shteti, ka elementë të tre pushteteve; legjislativ, ekzekutiv e gjyqësor. Për këtë arsye Ai ka kompetencë të nxjerrë si akte që janë shprehje e drejtimit politik, ashtu edhe akte (dekrete) individuale që për nga natyra e tyre, afrojnë më shumë me veprimtarinë ekzekutive urdhërdhënëse të administratës shtetërore.”

Këto vendime të Gjykatës Kushtetuese, interpetimet e së cilës kanë fuqinë e ligjit, qartësojnë se një sërë aktesh të nxjerra nga Presidenti janë akte administrative dhe prandaj ligjshmëria e tyre shqyrtohet nga Gjykata Administrative, e cila ka kompetencën për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve që lidhen me aktet administrative të ekzekutivit.

A është dekreti i çfuqizimit të një date zgjedhjeje akt administrativ apo akt me karakter legjislativ—kjo mbetet çështje ende e debatueshme.

Pretendimi që po qarkullohet nga shumiac socialiste në lidhje natyrën e dekretit është se Gjykata Kushtetuese është shprehur se ai është akt adminsitrativ.

Shembulli që sillet është një vendim i vitit 2017 i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me ligjshmërinë e vendimit të Presidentit për të ndryshuar datën e zgjedhjeve.

Me vendimin Nr. 150 datë 16.06.2017, Gjykata është shprehur në lidhje me ndryshimin e datës së zgjedhjeve. Partia Forca Rinia kërkoi atëhere që dekreti i Presidentit për shtyrjen me një jave të zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2017 të shfuqizohej, duke qenë se ai binte ndesh me Kodin Zgjedhor.

Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese u shpreh:

“[K]olegji konstaton se akti ndaj të cilit është ushtruar ankim, dekreti i Presidentit të Republikës, i cili është një akt administrativ individual, pasi ka për objekt vetëm caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë. […] Konkretisht, kërkuesja ka paraqitur pretendime se dekreti i Presidentit të Republikës bie ndesh me Kodin Zgjedhor. Përputhja apo jo e dekretit të Presidentit të Republikës me dispozitat e Kodit Zgjedhor nuk është në juridiksionin e kësaj Gjykate, por në juridiksionin e gjykatave administrative.”

Kërkesa e ankimuesit nuk ka venë në dyshim kushtetueshmërinë e dekretit të Presidentit për shtyrjen e datës së zgjedhjeve, por faktin nëse kjo kompetencë kushtetuese e Presidentit është bërë në përputhje me përcaktimet e Kodit Zgjedhor.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë se përputhshmëria me Kodin Zgjedhor duhet të shqyrtohet nga gjykatat administrative.

Dekreti i të shtunës i presidentit ka krijuar një situatë juridike të ndryshme nga ajo objekt i shqyrtimit të vitit 2017, në fakt një situatë të pahasur më parë.

Presidenti ka anulluar një dekret të tijin për përcaktimin e datës së zgjedhjeve, pa caktuar një datë të re për zgjedhjet, duke krijuar një boshllëk.

Çështja në këtë rast është a ja njeh Presidentit këtë kompetencë Kushtetuta. Pra, a është në përputhje me Kushtetutën një veprim i tillë, i cili mund të cënojë të drejta kushtetuese, pa rënë ndesh me ndonjë ligj përfshi Kodin Zgjedhor?

Nëse po, gjykimi i saj duhet të bëhet nga Gjykata Kushtetuese.

Por sidoqë të jetē, në rastin e vitit 2017, juridiksionin e gjykimit të kësaj çështje i takon ta gjykojë Gjykata Kushtetuese.

Por gjendja e tanishme ndërlikohet nga fakti se Gjykata Kushtetuese ka pushuar së ekzistuari dhe do të duhen muaj para se ajo te fillojë të rifunksionojë dhe gjykojë.

Edhe nëse Gjykata Kushtetuese do te vendoste se çështja është nën juridiksionin e gjykatave administrative, ngērçi nuk do zgjidhej dot nga pikëpamja praktike. Pas shqyrtimit në dy shkallët e para administrative, Me gjasa, çështja do do të kalonte për shqyrtim në Gjykatën e Lartë dhe do të mbetej atje për një kohë të gjatë.

Gjykata e Lartë, gjithashtu, ka pushuar së ekzistuari—madje perspektiva e rivënies të saj në funksionim është edhe më e largët se ajo e Gjykatës Kushtetuese.

Duket se, në fund të fundit, ngërçi ku ndodhemi është rezultat i pasojave te paparashikuara të Reformës në Drejtësi, të cilat kanë çuar në shuarjen efektive të shkallës së lartë të gjyqësorit.

The post Dekreti i Presidentit: shuarja e shkallës së lartë të gjyqësorit e bën të pasfidueshëm appeared first on

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme