Doktor Fisheri – Kryeministër

Nga Ermal Mulosmani
Doktor Fisheri – Kryeministër

“Doktor Fisheri nga Gjeneva” është një novelë pak e njohur e romancierit të madh anglez, Graham Green. Novela është shkruar në vitet kur shkrimtari vetë jetoi në Gjenevë dhe ka të ngjarë të jetë inspiruar nga ngjarje reale.
Doktor Fisheri ishte një pasanik jashtëzakonisht  i madh zvicerian që jetonte në një vilë luksoze, buzë liqenit të famshëm, vetëm me vajzën e vet, Annën, një bukuroshe e dlirë dhe mishërim i mirësisë.

Ana ishte krejt e kundërta në gjithçka e Doktor Fisherit.  Me gjasë ishte kopja e së ëmës.

Gruaja e tij kishte jetuar në mbretërinë e ftohtësisë fisheriane deri sa një ditë njohu një shitës disqesh të apasionuar pas muzikës së Moxartit. Pasioni i përbashkët për muzikën bëri që ajo të vizitonte vazhdimisht shitësin moxartian e të dilte pak kohë nga kallkani ku e kishte mbyllur i shoqi pasanik e i pashpirt.

Sigurisht, Fisheri e zbulon që e shoqja po kalon kohë diku, dhe, me metodat e tij për manual psikologjik, arrin të kuptojë të vërtetën. Pas kësaj, ai, paguan pronarin për ta pushuar nga puna shitësin e gjorë.

Gruaja e shkretë, e shkatërruar nga burri mizantrop, bie në dëshpërim të thellë dhe pas një periudhe të shkurtër vdes!
Ajo vdes dhe e lë Doktor Fisherin në trishtim të madh. Sigurisht, ai nuk u dëshpërua për gruan që vdiq. Kurrsesi! Ishte hakmarrja e papërfunduar që la një maraz të patreguar brenda tij. Që nga ajo ditë ai ishte indiferent për gjithçka në këtë botë përveç një gjëje: përbuzjes së racës njerëzore.

Ai ishte indiferent edhe kur vajza i iku nga shtëpia, edhe kur ajo u fejua apo edhe martua, madje edhe kur ajo vdiq.

Sigurisht nuk i shkoi në varrim. Përndryshe nuk do ishte Doktor Fisheri.

Doktor Fisheri iu vu me mish e me shpirt eksperimenteve që ia mundësonin poshtërimin e njerëzve, në radhë të parë më të afërmve. Në një farë mase kjo (sipas tij) do të vinte në vend nderin e tij të nëpërkëmbur nga gruaja e vdekur. Ai zgjodhi me kujdes tipa pasanikë ose të famshëm në shoqërinë zviceriane, avokatë, artistë, biznesmenë, gjeneralë dhe i ftonte ata në gostitë “aristokrate” që shtronte në vilë.

Në këto gosti, ai vinte vazhdimisht trofe të shtrenjta si shpërblim për të ftuarit e tij.

Megjithëse edhe vetë pasanikë, të ftuarit i pëlqenin dhuratat e Doktorit. Sidomos në fillim kur sakrificat për to ishin krejt të vogla. Ia vlente barra qiranë. Por, me kalimin e kohës, gostive po u shtohej kleçka e për rrjedhim edhe dhuratat për to.

Fjala vjen, një ditë Doktori u vuri përpara bollgur të pazier e të ftohtë në këmbim të një çeku 50 mijë franga. Avokati i krimbur në para, diku nga gjysma e ngrënies, u çua me vrap dhe shkoi në banjo të villte. Por, u kthye prej andej i bindur se duhet ta çonte deri në fund misionin.

Aktori më i mirë në Zvicër, ai që kishte luajtur Hamletin pyeste gjithë ankth: “Nëse ha dy pjata a më dyfishohet çmimi”? Doktor Fisheri me qetësi pranoi. Të shihje “Hamletin zvicerian” sesi e boshatisi tasin e bollgurit të ftohtë që nuk e hanin dot as pulat.
Sigurisht që ngjarjet vazhdojnë e unë nuk kam ndër mend ta them se si mbaron libri. Edhe kaq sa shkrova u zgjata shumë.

E gjithë sjellja e Dr Fisherit më kujton sjelljen e Kryeministrit tonë  me “të afërmit” e tij. Nëse mendoni se Kryeministri është arrogant me kundërshtarët politikë do të ndryshoni mendim kur të shihni sjelljet e tij ndaj më të afërmve të vet, atyre që Ai i “gostit” me poste.

Ata i mbyt fare!

Ai fton në gostinë e pushtetit gjithfarë lakmitari. Dikush shkon në gosti për t’u qerasur me post shtetëror, dikush për një tender miliona eurosh e dikush për t’u dukur që jam miku i Tij. Darkat me kandidatë-Ministra ua kalojnë edhe metodave të famshme të Doktor Fisherit. Menyja ndryshon nga doktori në fakt. Ai nuk shtron bollgur të ftohtë por fyerje, përçmime, tallje, qësendisje.

Sa më i madh pretendimi i të ftuarit në gosti aq më e madhe fyerja. Ju kujtohet deklarata e tij për Kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe mbjelljen e pemëve “Në njërën nga ato pemë do të varet edhe vetë Erioni”! E bënte linçimin publik, pikërisht në ditët kur përflitej se Veliaj po vizatohej si rivali i ardhshëm. Për ta theksuar edhe më  shumë fyerjen, i kërkoi të nënshtrohej edhe më shumë, të gjente një formë nënshtrimi publik. I dha afat për ta bërë. Dhe Erioni, krijues, gjeti slloganin “Rama IK Përpara”.

Ishte njësoj si aktori i madh hamletian që deklaroi “Në rast se ha dy pjata me bollgur të ftohtë, a e meritoj dyfishin e çmimit?”

Kërkon si shpërblim qeshje, gajasje…pak a shumë siç bënte Stalini në fund të jetës me oborrtarët e tij.

Dje anëtarët e KQZ-së ishin urdhëruar që mos të pranonin Dekretin e Presidentit të Republikës. Të mblidheshin dhe të jepnin vlerësimin e tyre. Anipse askush nuk ua ka kërkuar. Kjo nuk ka rëndësi, e rëndësishme është që, duke e ulur nivelin e diskutimit të Presidentit me disa nëpunës partiakë, të ulte postin e Presidentit, ta poshtëronte publikisht. Të shihte nëpunësit e rangut të dytë sesi i bënin gjyqin Presidentit ndërkohë lartmadhëria e tij nënqeshte diku në zyrën e tij, ishte një veprim tipik fisherian!

Të detyrojë Ministra t’a shpallin Skëndërbe” të heqë Ministra “live” në mbledhje publike televizive, të emërojë të tjerë që haberin s’ia kanë është veprim tipik Fisherian. Mallëngjimi i Braçes nga emërimi dhe i Kumbaros nga hidhërimi janë tipike për t’u ilustruar.

Sa më i padinjitet dhe pakarakter kandidati aq më shumë do të përfitojë nga torta. Sa më figurë historike, sa më me identitet aq më larg gostive Kryeministrore.

Dhe këtu nuk kam ndërmend Majkon sigurisht .

Publikuar më parë tek Gazeta Express.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme