Faktet le të lehin, Rama shkon përpara!

Nga Ergys Mërtiri
Faktet le të lehin, Rama shkon përpara!

“Nëse faktet janë kundër meje, mjerë për faktet.” Kjo thënie i është atribuar Hegelit, ndonëse nuk ka ndonjë të dhënë të saktë që të jetë artikuluar shprehimisht prej tij. Megjithatë, në gojën e autorit të “fenomenologjisë së shpirtitka kuptim.

E zbritur në botën e vogël të politikës shqiptare, kjo mënyrë të menduari bëhet qesharake. Edi Rama, po krijon transendencën e tij në politikë ku faktet vijnë në ekzistencë, vetëm në saj të vetëdijes së tij për to.

Një maratonë skandalesh ka shpërthyer tashmë prej kohësh, të cilat ekspozojnë qeverinë në mënyrën më flagrante, me duar në presh. Qeveria është kapur në bashkëpunim me krimin e organizuar, jo vetëm duke ndarë të mirat e pushtetit dhe krimit, por duke vjedhur votat, në mënyrë që t’i garantojë jetëgjatësi kësaj ortakërie.

Sado i atrofizuar të jetë njeriu nga opiumi propagandistik i partisë, për të cilën sakrifikon bukën, ujin dhe dritat, e kupton që kjo punë qelbet kokë e këmbë. E megjithatë, qeveria vazhdon të shfaqet e patrazuar, sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Një fjalë e mençur thotë se, nëse të shpëton një pordhë, teksa je duke ecur përmes pazarit, mos e kthe kokën prapa! Ndryshe, të gjithë do ta kuptojnë kush e bëri.

Kështu, prej kohësh mbreti lakuriq marshon serbes para qytetarëve, pa lënë asnjë shenjë se ka diçka që nuk shkon.

Pas tij, një shpurë analistësh e gazetarësh oborrtarë, lëvdojnë plot pasion punën “e mrekullueshme” të rrobaqepësve të tij. Këta oborrtarë, njëkohësisht bashkëaksionerë të vegjël në ndërmarrjen e Rilindjes, mbushin çdo ditë hapësirat televizive duke analizuar, madje edhe “kritikuar”, vlerat estetike të “rrobave të reja të mbretit”. Marketingu mbi rrobat e munguara, është mjeshtëria nëpërmjet të cilës ata ia dalin të turbullojnë shikimin e publikut, duke i bërë ata të shohin atë që nuk ekziston.

Në fakt, më shumë se pabrekësia e mbretit është pafytyrësia e këtyre analistëve që hidhëson opinionin publik.

Në të vërtetë, rilindja është një organizatë e krijuar pikërisht për të fabrikuar përfytyrime dhe asgjësuar çdo realitet faktologjik. Ajo është një agjenci marketingu e krijuar pikërisht për të dubluar realitetin, ndaj dhe nuk e humb toruan përballë shpërthimeve të fakteve.

Sipas filozofisë së saj, faktet ndodhin vetëm në televizor dhe asgjë nuk ekziston nëse nuk shfaqet. Në këtë mënyrë, për sa kohë kontrollojmë mediat, kontrollojmë edhe faktet. Ato nuk mund ta pengojnë marshimin e qeverisë drejt sukseseve.

Deri tani, kjo qeveri ia ka dalë të shesë për punë të mëdha parazitizmin e saj, dhe të krijojë një realitet virtual suksesesh 3D, të realizuara në studiot e ERTV-së.

Ajo ka arritur të bindë publikun që, turmat e azilantëve që po ikin nga vendi, janë thjesht lëvizje e lirë e popullsisë, se betonizimi i Tiranës përkrah mbjelljes së disa pemëve është pjesë e zhvillimit dhe gjelbërimit të këtij qyteti, se rritja e taksave për shtresën e mesme, ndërsa ulet dividenti për biznesin e madh, është taksim i ndershëm progresiv që në tërësi përbën ulje taksash, se rritja e çmimit të energjisë është një nismë për uljen e saj, se mosndërtimi i asnjë rruge gjatë këtyre gjashtë viteve, në fakt është përmirësim i cilësisë dhe standardeve të investimeve në infrastrukturë, ndryshe nga paraardhësi që i la rrugët rrugëve. etj.

Ashtu si tek Orwell-i në 1984, rilindja ia ka dalë të na bindë se lufta është paqe, se liria është robëri, ndërsa injoranca fuqi.

Problemi i vetëm kësaj rradhe ishte se faktet po mbërrijnë deri në ekranin e televizorit. Skandalet tashmë po bëhen të pambulueshme, dhe sado që Rama është munduar t’i injorojë kjo nuk funksionon më.

Megjithatë ai po reziston.

Ai ka përdorur gjithçka, për të kaluar lumin nga skandali në skandal, duke u fshehur herë pas ligjeve, të cilat po vetë i shkel sipas qejfit, herë pas institucioneve, të cilat i përdor dhe përçudnon pa mëshirë (siç po bën sot me KQZ-në), herë pas ndërkombëtarëve (të cilët gjithashtu kanë ngecur bashkë me të, në të njëjtën llucë).

Por sidoqoftë, e vërteta tashmë po i shpërthen nga të katër anët, në një luftë për jetë a vdekje me faktet.

Megjithatë, e ka një zgjidhje, sipas poetit amerikan Carl Sandburg:

“Nëse faktet janë kundër teje, kapu pas ligjit! Nëse ligji është kundër teje, kapu pas fakteve! Nëse edhe ligji edhe faktet janë kundër teje, atëherë bjeri tryezës me grusht, dhe ulërit si dreq!”

3 komente

  1. a 27 Qershor, 2019 në 6:10 pm

    Wow! E lexova artikullin dhe …… asigjo.

    Per ato qe pertojne me e lexu jua permbledh une ne disa fjale:
    Edi Rama eshte i keq, blah blah blah. Analistet qe mbrojne Edi Ramen jane te keqinj, blah blah blah.
    Njonji ka thone kshu, blah blah blah. Tjetri ka thone ashtu, blah blah blah.

  2. Dinamoviti 28 Qershor, 2019 në 5:43 pm

    Qeke nje rrote kari ti qe ke komentu shkrimin e prof. Mertirit… kerkoj falje per të tjeret qe e lexojne komentin tim, por nuk më vinte nder mend ndonje epitet tjeter per këtë blah blah blah…

  3. a 30 Qershor, 2019 në 1:45 am

    Ububu dul spiuni dinamovit me mbrojt professorin.

    Kom ca te lajme per ty e per professorin.

    “faktet” te cilave i referohet professori, jane nxjere ne menyre te jashteligjshme nga nje prokuror qe nuk kaloi vetingun per korrupsion.
    Ceshtja eshte nen hetim. Ne boten demokratike (qe professori merr per reference) flet drejtesia. Nderkaq profesoret heshtin e nuk llapin, per me pak me “faktet” e servirura nga shqupi.
    PS i ka fitu zgjedhjet ne Dures edhe ne 2007, 2011, 2013 atehere kur Avdulajt dilnin me automatik ne krah te Olldashit dhe atij tjetrit qe do sillte eshtrat e I. Qemalit ne AL.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme