Instituti për Krimet e Komunizmit padit ish-komandatin e burgut famëkeq të Qafë-Barit

Instituti për Krimet e Komunizmit padit ish-komandatin e burgut famëkeq të Qafë-Barit Edmond Caja

Instituti i Studimeve të Krimeve të Komunizmit (ISKK) dhe kryetari i saj Agron Tufa kanë paditur për “krime kundër njerëzimit” komandantin e kamp-burgut të Qafë Barit në vitet 1982-1989, Edmond Caja dhe togën e tij të policëve.

Edmond Caja ka qenë drejtuesi i Policisë së Kamp-burgut 311, një prej burgjeve më famëkeqe të komunizmit, dhe po aty më pas është emëruar komandant deri në vitin 1989. Aktualisht ai jeton si një njeri i lirë në Gjermani.

Padia u bë sot, në përvjetorin e pushkatimit të dy heronjve të revoltës së Qafë Barit, Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli, si dhe të vdekurit ndër tortura, Sandër Sokolit. Sipas ISKK-së Edmond Caja dhe toga e policëve drejtuar prej tij, është përgjegjësja direkte për torturat çnjërëzore ndaj të ndjerit Tom Ndoja, si dhe ndaj plot ish-të burgosurve të tjerë.

Në bazë të padisë janë dëshmitë e  17 të ish-burgosurve politikë që kanë vuajtur dënimin në kampin-burg të Qafë Barit, ku bëhet e qartë se Edmond Caja kishte rol kryesor në terrorin e ushtruar në burgun e Qafë Barit.

Sipas padisë “të gjithë dëshmitarët sot në cilësinë e viktimës të mbijetuar nga burgu famëkeq politik i Qafë Barit (1982-1990), e paraqesin Komandantin e Togës së Policisë së këtij burgu, Edmond Cajën, si një dhunues sadist, që rrihte, torturonte, gjymtonte e dënonte ish të burgosurit e pambrojtur. Ai s’i përmbahej aspak ligjit, sepse rrahja dhe torturat atë e argëtonin.”

Dokumentet arkivore po ashtu kanë treguar për trajtim skllavëror, rrethana çnjerëzore dhe dhunë sistematike ndaj të burgosurve.

Janë të shumtë dëshmitarët për dhunën dhe torturat e ushtruat ndaj tyre nga Edmond Caja dhe toga e tij, por në padi kanë vënë emrin 17 prej tyre, të gatshëm për të dëshmuar në gjykatë.

Ish-burgu i Qafë-Barit ndodhet 19 kilometra larg Fushë-Arrëzit. Zyrtarisht regjimi komunist e njohu atë si Reparti i Riedukimit 311. Ai u hap në vitin 1982 fillimisht me 400 të burgosur politikë, të cilët shfrytëzoheshin për punë të rëndë në miniera. Ky repart qëndroi në punë deri në vitin 1990.

Për të lexuar më shumë për këtë ngjarje, klikoni këtu.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme