KPK shkarkon kryetaren e Gjykatës së Tiranës Hajri dhe atë të Apelit Shkodër Vjerdha

KPK shkarkon kryetaren e Gjykatës së Tiranës Hajri dhe atë të Apelit Shkodër Vjerdha

KPK shkarkoi sot nga detyra kryetaren e Gjykatës së Tiranës, Enkeledi Hajro dhe kryetarin e Gjykatës së Apelit Civil Shkodër, Fuat Vjerdha.

Gjatë seancës së zonjës Hajro, trupi gjykues, i përbërë nga Olsi Komici, Roland Ilia dhe Valbona Sanxhaktari, gjeti probleme në deklarimin e pasurisë. Komisioni gjeti mungesë burimesh financiare për disa vite, si edhe paqartësi në deklarimin e një kredie dhe deklaratave për shtesën e bërë në një pronë.

ILDKPI, po ashtu, në raportin për pasurinë, kishte theksuar se gjyqtarja kishte bërë deklarim të pasaktë të pasurisë.

Lidhur me pastërtinë e figurës, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) e konsideroi të përshtatshme për të vazhduar detyrën zonjën Hajro.
Edhe në lidhje me kriterin e profesionalizmit, KPK nuk gjeti probleme.

Ndërsa gjyqtarin Fuat Vjerdha KPK e shkarkoi për probleme me deklarimin e pasurisë dhe dyshime për përfitim të parave për shkak të detyrës.

Një javë më parë, gjatë seancës dëgjimore, KPK mori dy denocimeve nga qytetarët për gjyqtarin Vjerdha. Denoncimet ishin në lidhje me dy vendime, një mbi uljen e dënimit të një çifti të akuzuar për mashtrim në shuma të mëdha dhe tjetra për pafajësinë e dy zyrtarëve të akuzuar për shpërdorim detyre. KPK kërkoi sqarime për rritjen e parave cash të zotit Vjerdha mbas këtyre vendimarrjeve.

Gjyqtari Vjerdha u shpreh se vendimet e tij janë marrë bazuar në prova dhe ligje, ndërsa për rritjen e të ardhurave gjyqtari tha se ka patur mundësi të kursejë pasi ka jetuar me prindërit.

Gjyqtari Vjerdha është një nga dy gjyqtarët që votuan pjesërisht kundër vendimit për burgim të përjetshëm të Dritan Dajtit.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme