KQZ kundër bashkive: Mos ndërhyni në përgatitjet e procesit zgjedhor

KQZ kundër bashkive: Mos ndërhyni në përgatitjet e procesit zgjedhor KZAZ Shkodër

Sot KQZ i quajti kërkesat e disa prej bashkive për të liruar ambientet ku punojnë Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ), si tejkalim të kompetenca dhe i kërkoi bashkive të mos ndërhyjnë në përgatitjet e procesit zgjedhor.

Me anë të një deklarate për shtyp, zëdhënësja e KQZ, Drilona Hoxhaj tha se kërkesat e bashkive për heqjen e listave të zgjedhësve të afishuara në institucionet arsimore, si dhe lirimin e ambienteve që përdoren nga KZAZ-të janë kompetencë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe jo e bashkive:

“KQZ vlerëson se këto kërkesa janë në tejkalim të kompetencave, të drejtave dhe detyrave të njohura nga ligji 139, 2015 për vetëqeverisjen vendore. KQZ ripërsërit kërkesën për të shmangur veprimet që pengojnë administrimin e procesit zgjedhor datë 30 qershor 2019.”

Zonja Hoxha u shpreh se kushdo që cënon procesin zgjedhor do të ndëshkohet.

Klement Zguri, kryetari i  KQZ-së doli kundër kësaj deklarate dhe tha se ajo është qëndrimi i katër anëtarëve të KQZ-së që janë emëruar nga shumica socialiste.

Ndërkohë në Tropojë dhe Shkodër ka pasur përplasje mes qytetarëve, policisë bashkiake, policisë së shtetit dhe anëtarëve të KZAZ-së.

Si në Tropojë, ashtu dhe në Shkodër, dy kryebashkiakët, në zbatim të dekretit të Presidentit Meta, i kanë kërkuar KZAZ-ve të ndalojnë punën dhe të dorëzojnë materialet zgjedhore dhe hapësirat në përdorim. Por të dyja KZAZ-të e kanë kundërshtuar vendimin dhe kanë vijuar me punën.

Si pasojë, në Tropojë, një grup qytetarësh hynë sot në ambientet ku po punonte KZAZ-ja dhe kanë marrë materialet zgjedhore, të cilat më pas i kanë hedhur në rrugë.

Ndërsa në Shkodër, bashkia i kërkoi ndihmë policisë së shtetit për të liruar ambientet ku ishte vendosur KZAZ-ja. Por policia rrethoi zonën ku ndodhet KZAZ-ja dhe nuk lejoi që policia bashkiake të hynte brenda dhe të hiqte materialet zgjedhore e të lironte ambientet.

Aktualisht zona ku ndodhet KZAZ-ja në Shkodër po ruhet si nga policia e shtetit, ashtu dhe nga ajo bashkiake.

1 koment

    Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

    Lajme te ngjashme