“Kryet Nalt”, shfaqet në Shkodër filmi për klerikun e persekutuar në diktaturë Hafiz Ali Kraja

“Kryet Nalt”, shfaqet në Shkodër filmi për klerikun e persekutuar në diktaturë Hafiz Ali Kraja Gjatë shfaqjes premierë të filmit-dokumentar "Kryet Nalt"

“Kryet nalt”, filmi-dokumentar për klerikun e shquar shkodran Hafiz Ali Kraja, u shfaq mbrëmë për herë të parë në kinemanë e Shkodrës. Filmi, një bashkëpunim i gazetares Luljeta Progni dhe Fondacionit Kujto.al, tregon qëndresën kundër persekutimit gjatë diktaturës të Hafiz Ali Krajës, një prej klerikëve më të mençur e medjehapur të Shqipërisë.

Hafiz Ali Kraja ishte patriot, dijetar dhe personalitet me kulturë të gjerë, që gëzonte respekt jo vetëm në qytetin e Shkodrës, e në rrethin e muslimanëve, por në të gjithë Shqipërinë dhe nga të gjithë besimet. Ai ishte i diplomuar në tre universitete dhe zotërues i gjashtë gjuhëve të huaja.

Kalvari i gjatë i persekutimeve për Krajën nisi që nga internimi prej fashistëve italianë, dhe vazhdoi me përndjekjen ndaj tij dhe familjes prej komunistëve. Ai dhe familja e tij vuajtën në kampet e punës e burgun e Burrelit për 18 vjet.

Gjatë shfaqjes së filmit, themeluesi i Fondacioni Kujto.al, Agron Shehaj, deklaroi se është detyrë e gjithë shoqërisë të bëjë sa më shumë që viktimat e regjimit komunist mos të harrohen.

“Mohuesi kryesor i krimeve të komunizmit është pikërisht shteti, dhe për të kuptuar këtë, mjafton të shohësh librat shkollorë që nuk kanë asnjë fjali për krimet e komunizmit”, u shpreh Zoti Shehaj.

Filmi-dokumentar “Kryet nalt” është i gjashti në një cikël dokumentaresh, mbështetur nga fondacioni Kujto.al, të cilët kanë për qëllim rritjen e kulturës dhe ndërgjegjësimit të shoqërinë shqiptare për të mos harruar dhe për të dënuar krimet e komunizmit.

Dokumentarin e plotë mund ta ndiqni këtu.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme