Qeveria shkarkon kryebashkiakun e Vaut të Dejës

Qeveria shkarkon kryebashkiakun e Vaut të Dejës

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj njoftoi sot shkarkimin e kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës, Zef Hila. Në një dalje për shtyp, Lleshaj akuzoi për “paramilitarizim kriminal” Partinë Demokratike që sipas tij “me akte të rënda dhe sulme ndaj institucioneve” po mundohen të prishin procesin zgjedhor.

Në konferencën për shtyp Lleshaj tha:

Për arsye të një serie shkeljesh të rënda të detyrës dhe të ligjit, të cilat kulmuan mbrëmë me sulmin ndaj KZAZ nr. 6, të realizuar nga punonjës të Bashkisë së Vaut të Dejës, Kryetari i saj (Zef Hila) do të shkarkohet sot nga detyra me propozim të Ministrit të Brendshëm.

Pasi u shpreh kështu, Ministri paralajmëroi se “jo vetëm Hila por kushdo që sulmon KZAZ-ët do ketë të njejtin fat”. Lleshaj këmbënguli se “incidenti i së enjtes nuk do të cënojë integritetin e zgjedhjeve të 30 qershorit”.

Mbrëmjen e së enjtes një grup personash mësynë ambientet e KZAZ-ës nr.6 në shkollën Ndre Mjeda në fshatin Bushat. Ata i vunë flakën materialeve zgjedhore si përpjekje për të liruar ambientet sipas kërkesës së Bashkisë. Kjo e fundit kishte bërë thirrje për lirimin e shkollës në zbatim të dekretit të Presidentit që ka caktuar një datë tjetër zgjedhjesh vendore.

Për këtë ngjarje, policia njoftoi mëngjesin e së enjtes se kishte arrestuar 14 persona dhe kishte shpallur në kërkim 9 të tjerë. Nga të arrestuarit ishte dhe Alfred Hila, vëllai i kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës.

Pak pas deklaratës së Lleshajt, Kryeministri Edi Rama paralajmëroi në Twitter se “çdo kryebashkiak përpiqet të pengojë zgjedhjet, bën mirë të lexojë Kodin Penal për krimet zgjedhore e të heqë dorë sa pa rënë në dorën e drejtësisë” ndërsa publikoi dhe firmosjen e shkarkimit.

2 komente

    Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

    Lajme te ngjashme