Ne fëmijët e pranverës 1999 nuk e harrojmë luftën e Kosovës

Nga Erblin Vukaj
Ne fëmijët e pranverës 1999  nuk e harrojmë luftën e Kosovës

Një mbrëmje e ftohtë fundmarsi u ftoh më tepër në shtëpinë time nga ajo që po përcillej nga ekrani i televizorit. Telearbëria po transmetonte lajme rrëqethëse.

Ishte marsi i vitit 1999. Mësymja ajrore e NATO-s kundër regjimit gjakatar të Slobodan Milosheviçit kishte nxitur edhe më tepër aktivitetin e çetnikëve serbë në Kosovë. Frika ishte përhapur gjithandej dhe për këtë  qindra kosovarë kishin nisur të kalonin kufirin shqiptaro-shqiptar.

Nuk do t’i harroj kurrë lotët e nënës sime teksa shihte ato pamje. Isha vetëm 8 vjeç dhe shumë gjëra nuk i kuptoja. Nuk e kuptoja se ç’ishte lufta, s’e kuptoja çfarë ishte Jugosllavia, NATO-ja, OKB-ja, apo Rambujeja, por kuptoja se ata, të cilët po kalonin kufirin me plaçka e fëmijë nëpër duar dhe që ishin në rrezik, ishin shqiptarë dhe ishin të pafajshëm.

Pas asaj mbrëmjeje televizori në shtëpinë time do të qëndronte gjithmonë ndezur. Ata që në fillim ishin qindra, u bënë mijëra. Të nesërmen dhe ditët në vazhdim kudo flitej për luftën në Kosovë dhe për të shpërngulurit.

Flitej edhe mes ne fëmijëve. Fjala refugjat lakohej shpesh dhe na vinte prej televizorit. Unë s’e kuptoja, por mbaj mend se e kisha inat sepse e përjetoja si fjalë fyese.

Për shqiptarët e Kosovës po ngrihej një kamp mirëpritës në Tiranë, i njejtë si ai që qe ngritur në Kukës.

Familja ime dhe e fqinjëve të mi, si shumë të tjerë, nuk bënë dallim dhe hapën dyert e shtëpisë.

Nuk kaloi shumë dhe në lagje u bëmë aq fëmijë sa për t’u ndarë në tre-katër ekipe futbolli. S’luhej më me lagjet e tjera, por luhej brenda lagjes. Luhej Shqipëri-Kosovë, luhej ushtarësh, luhej UÇK-ësh dhe kështu luhej gjithandej…

Sot, kur e kujtoj atë periudhë, kuptoj se sa të traumatizuar ishin ata fëmijë. Të larguar nga shtëpitë e tyre me frikën se po i ndiqnin për t’i plaçkitur, për t’i dhunuar, për t’i vrarë. Atë që unë dhe bashkëmoshatarët e mi në Shqipëri kishim parë nga televizori, ata e kishin përjetuar vetë.

S’harrohen dot të qarat dhe mërzitë e fytyrave të tyre. S’harrohet kënga jehonë e atyre ditëve të Leonora Jakupit, A vritet pafajësia, luhatjet, trazitë e humoreve dhe ndjesitë që përjetonin nga telefonatat apo dhe kronikat e lajmeve. Shpesh prindërit e tyre i largonin nga dhoma kur jepej ndonjë lajm me pamje të rënda.

Fatmirësisht, jo të gjitha ditët ishin kështu… kishte edhe ditë të bukura.

Shpesh thuhet se gjuha mes shqitparëve është e vështirë për t’u marrë vesh. Sidoqoftë, për ne fëmijët e asaj kohe gjuha nuk ishte aspak me problem të tillë, përkundrazi. Të folurit mes nesh ishte goxha argëtim.

Kujtoj të qeshurat e tyre me fjalë që përdornim ne si uji i gazuar apo uji i thartuar, por dhe të qeshurat tona me fjalët që përdornin ata si makina apo kerri.

Mbaj mend që ishim në shkollë dhe me shumë prej bashkëmoshatarëve tanë nga Kosova ndamë edhe librat dhe orët e mësimit. Si fëmijë nuk e dinim se sa do të zgjaste kjo periudhë. Në fakt këtë gjë nuk e dinin as vetë prindërit tanë. Frika bënte të mendohej për shumë, ndërsa shpresa për pak.

Ditët u bënë muaj dhe në mëngjesin e një së shtune të gjithë u zgjuan të gozhduar përpara televizorit. Ishte 12 qershor… helikopterë të shumtë të KFOR-it po kalonin armatim në tokën e Kosovës. S’e kuptoja se çfarë do të thoshte KFOR. S’e kuptonin as moshatarët e mi… S’e kuptoja se çfarë do të thoshte kjo, s’e kuptonin as ata, por hareja, gëzimi dhe brohoritjet ishin të stërmëdha.

Mbaj mend time më, e cila, mes atij gëzimi, përlotej kujtimeve bashkë me të tjerët. Ajo kujtonte gjyshin dhe faktin se ai nuk pati aq jetë sa ta arrinte atë moment… Kosova po çlirohej!

Gëzimi mes fëmijëve ishte edhe më i madh, ata do të mund të ktheheshin në shtëpitë e tyre.

Kanë kaluar 20 vite… përtej situatave politike…

Një skuadër me moshë mesatare 24-vjeç përfaqëson sot Kosovën në futboll. Ata kanë dy vite që nuk njohin humbje.

Në sporte të tjera, Majlinda Kelmendi ka kohë që shkëlqen me medalje ari, ndërsa Rita Ora, Dua Lipa e plot yje të tjerë e mbajnë flamurin e Kosovës teksa korrin suksese në rang botëror.

Ata fëmijë, që lufta i detyroi të shpërnguleshin 20 vite më parë, sot shijojnë mundësitë për ta ndërtuar të ardhmen e tyre të lirë.

Por jam i sigurt që shumë më tepër se ne, që thjesht i mirëpritëm në nevojë, ata nuk e harrojnë luftën dhe sidomos atë periudhë mars-qershor 1999.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme