OJQ dhe konsulentë në fushatën e Veliajt: fushatë me taksat tona

Nga Rezearta Çaushaj
OJQ dhe konsulentë në fushatën e Veliajt: fushatë me taksat tona

Në fillim të qershorit Erion Veliaj nisi fushatën zgjedhore për mandatin e tyrë në krye të Bashkisë Tiranë.

Një ditë para hapjes së fushatës, më 31 maj, Bashkia Tiranë organizoi. në bashkëpunim me Unicef Albania, një konferencë ndërkombëtare me temë Qytetet Miqësore për Fëmijët.

Është filozofia që Veliaj kërkon të përhapë si modelin e tij në punën si kryebashkiak. Nëse ndërton një qytet të mirë për fëmijët, ke ndërtuar një qytet të mirë për të gjithë” përsërit ai vazhdimisht gjatë takimeve zgjedhore.

Konferenca u zhvillua me mbështetjen e Veliajt dhe “miqve” të tij në UNICEF Albania dhe qëllimi vërtetë i saj duket se nuk ishin fëmijët, por forcimi i imazhit të një udhëheqësi modern e vizionar, i cili investon për brezat e ardhshëm.

Ajo që ra në sy, gjatë konferencës, ishte investimi minimal i UNICEF-it në të, edhe pse ishte organizatori kryesor i aktivitet.

Në vend të raporteve mbi kushtet dhe nevojat më urgjente të fëmijëve në qytetin e Tiranës, UNICEF publikoi disa video të shkurtra ku shfaqeshin fëmijë, të shtresave të ndryshme shoqëroro-ekonomike, teksa luanin në Parkun e Liqenit Artificial dhe në Sheshin Skënderbej.

Në video, fëmijëve u ishte kërkaur të jepnin mendim se për çfarë ka nevojë qyteti, pa u dhënë mundësi të thelloheshin shumë në to.

Shqetësimet e shprehura nga fëmijët lidheshin me mundësitë e tyre për të kaluar kohën e lirë, duke nënkuptuar se problemet e tjera si arsimimi, transporti, strehimi apo ndihma sociale i përkasin të shkuarës në Tiranë. Këto video u pretendua se përfaqësonin fëmijët e vegjël, fëmijët e komunitetit rom, ata në pamundësi ekonomike, madje edhe ata me aftësi të kufizuara.

Gjatë aktivitetit, nuk u bë asnjë koment për punën e Bashkisë për trajtimin e ndotjes, të mungesës së ujit të pijshëm, pavarësisiht rritjes së çmimit të tij, të infrastrukturës dhe sigurisë rrugore, zhdukjes së hapsirave të gjelbra, qendërzimin e Tiranës apo urbanizimin e Parkut të Liqenit Artificial. Asnjë koment nuk u bë as mbi lehtësirat që duhen krijuar nga bashkia për t’u kualifikuar si qytet miqësor ndaj fëmijëve.

Përkundrazi, në fjalën e tij, përfaqësuesi i UNICEF-it dizinformoi opinionin kur i quajti intervistat me fëmijë në videot e prezantuara si sondazhe që tregojnë se Tirana vlerësohet si qytet miqësor me fëmijët.

Një sërë aktivitetesh të UNICEF-it ngrejnë dyshimin se fushata e kësaj zyre për promovimin e qytetit miqësor ndaj fëmijëve është në, të vërtetë, në shërbim të karrierës politike të Erion Veliajt dhe me shumë gjasa e ideuar nga vetë ai.

Në faqen në Rrjet të UNICEF-it mund të vërehen gjurmë propagande pro-qeveritare. Shembull i kësaj është informacioni mbi zbatimin e Strategjisë së Shërbimit Social në Shqipëri, ku theksohet se një gjë e tillë nuk ka ekzistuar 4 vjet më parë.

Bashkia dhe drejtuesi i saj janë shembulli më i mirë i shfrytëzimit të fëmijëve për qëllime politike. Vogëlushët shfaqen rregullisht në çdo video, takim dhe të tij dhe, së fundmi, ata u përdorën masivisht në fushatën zgjedhore të Veliajt.

Këto dukuri, ndonëse të denoncuara edhe nga prindër, të cilëve u është cënuar privatësia e fëmijëve, ndonëse janë në shkelje të ligjit zgjedhor që ndalon përfshirjen e fëmijëve në fushata, nuk janë denoncuar kurrë nga UNICEF Albana, paçka se bëhet fjalë për një organizatë e mision mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Një tjetër mënyrë përmes së cilës Erion Veliaj po bën fushatë tinzare, duket se është shfrytëzimi i ekspertëve të njohur të politikave urbane, të cilët kanë përfituar kontrata konsulence prej tij ose qeverisë, por që mbështetjen pej Veliajt shfaen vetëm me autoritetin e ekspertit të pavarur.

I tillë ishte një nga të ftuarit kryesorë në Konferencën Ndërkombëtare për Qytetet Miqësore ndaj Fëmijëve, Gillermo Penalosa. Ai doli tërësisht nga roli i ekspertit të thirrur për të ligjëruar mbi modelet e ndërtimit të qyteteve miqësore ndaj fëmijëve, kur bëri një pohim të papritur dhe të panevojshëm publik për protestat e katër viteve më parë kundër ndërtimit të një kendi lojrash në Parkun e Liqenit Artificial të Tiranës.

Duke përdorur argumentat që përdori Veliaj në kohën e protestave, ekspertit urban pohoi:

4 vjet më parë, pamë protesta të pseudo-ekologjistëve, të cilët nuk donin një park për të gjithë. Sot? Një park i hatashëm, ku disa nga këta protestues çojnë fëmijët për të shijuar lojrat dhe natyrën. Në qytete, të dyja duhet të bashkëjetojnë.”

Në një mesazh në Twitter, pas aktivitetit, Penalosa shkruan:

“Nuk kishin dëgjuar për #Ciclovia, #OpenStreets, #HappyStreets në Tiranë. Tani? Është program i përmuajshëm (Pa makina, në kërkim të një emri më të mirë…) 4 vitet e ardhshme? Zgjerim në gjithë qytetin, çdo javë për të patur më shumë benefite shëndetësore dhe ambientale.”

Pyetja që shtrohet është se përse Zoti Penalosa, një ekspert i thirrur për të dhënë kontributin e tij në një debat mbi qytetin miqësor për fëmijët, po flet për 4 vitet e ardhëshme të Tiranës dhe jo, të themi, 10 vitet e ardhshme?

Mos ndoshta Zoti Penalosa është paguar në cilësinë e konsulentit nga ana e Bashkisë Tiranë, për të fshehur qëllimin e vërtetë për të cilin është kontraktuar: shfrytëzimi i emrit dhe kredencialeve të tij për t’i dhënë besueshmëri politikave të debatueshme të Kryetarit të Bashkisë Veliaj?

Në faqen në rrjet të organizatës 880Cities.org, themeluar nga Zoti Penalosa, gjendet një seksion më vete që reklamon ofrimin e shërbimeve të konsulencës së paguar, të cilat konsistojnë në përpilimin e politikave urbane, që i përshtaten nevojave të kategorive të ndryshme sociale, por edhe rrethanave e historisë së një qyteti.

Sipas vetë shkrimeve të tyre, përfshirja është fjala kyçe si projektohen dhe zbatohen politikat urbane. “Moria unike e shërbimeve tona, kombinuar me metodat tona të provuara të ndërtimit të qyteteve gjithëpërfshirëse, ju ndihmojnë të krijoni rrugë dhe hapësira publike dinamike”- shkruhet aty.

Përkundër kësaj, të gjitha projektet e Bashkisë Tiranë janë ndërtuar duke përjashtuar qytetarët dhe nevojat e tyre nga vendimmarrja.

Pyetjet drejtuar nga Exit.al, dy javë më parë lidhur me arsyet që shtynë Zotin Penalosa të mbështesë qytetin e Tiranës, nuk morën përgjigje, ashtu si kërkesa për intervistë nga Alice Taylor për faqen e saj The Balkanista.

Zoti Penalosa, nga ana tjetër nuk kishte patur problem të jepte intervistë për një televizion miqësor ndaj kryebashkiakut Veliaj, që na bën të dyshojmë se termat e kontratës së tij diktojnë që çdo shprehje publike të miratohet më parë nga Bashkia.

Redaksia e Exit.al ka drejtuar një kërkesë për informim pranë Bashkisë në lidhje me këtë rast, për të vërtetuar nëse paratë e taksapaguesve po përdoren për llogari të fushatës zgjedhore të kryetarit të bashkisë, por nuk ka marrë ende përgjigje nga Koordinatori i Informimit pranë Bashkisë Tiranë.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme