Progres-Raporti keqinformon për reformën në drejtësi

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Progres-Raporti keqinformon për reformën në drejtësi

Javën e kaluar, Komisioni Evropian publikoi Raportin e Përparimit 2018 për Shqipërinë. Këto raporte janë në thelb një përmbledhje e të dhënave të ofruara nga qeveria shqiptare, të filtruara më pas përmes vështrimit optimist të Komisionit.

Pavarësisht nga deklarata e Kryeministrit Edi Rama se ky raport paraqet faktet e pakundërshtueshme për situatën në Shqipëri, e shkuara ka treguar se ky dokument thelbësisht politik i nënshtrohet një sërë ndryshimesh në Parlamentin Evropian përpara se të arrijë në Këshillin Evropian, ku merret edhe vendimi përfundimtar.

Ky vendim pritej fillimisht në qershor, por tani duket se gjasat janë më të mëdha që ai të merret në vjeshtë, pasi disa nga parlamentet e shteteve të BE-së nuk do të kenë mundësi ta vlerësojnë Raportin e Përparimit përpara pushimeve verore.

Ajo që është shqetësuese është se Raporti i Përparimit për vitin 2018 është produkt i asaj që në një artikull të mëparshëm e kam quajtur “reformizmi drejtësist”. Ky është një besim irracional në përparimin dhe suksesin e reformës në drejtësi, i cili e deformon realitetin në atë masë sa ky t’i përshtatet realitetit që dëshiron Komisioni Evropian. Ashtu si iluzionet fetare, edhe kjo ka rrezikshmëri të lartë kur zbatohet në sferën politike.

Le të shqyrtojmë së pari deklaratat e pasakta:

1. 14: “Të gjitha dosjet prioritare të vetingut u finalizuan në shkallën e parë dhe, gjithashtu, një pjesë e ankesave u përfunduan.”

Në të vërtetë, dosjet që kanë prioritet për të kaluar vetingun nuk janë hetuar ende. Dosja e kandidatëve të SPAK-ut dhe të Gjykatës Kushtetuese (të gjitha raste prioritare) u hapën vetëm këtë vit, ndërsa Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve (KPK) sapo ka filluar përpunimin e dosjeve të hapura në maj 2018.

2. 15 “Institucionet e vetingut kanë vazhduar me hetimet e tyre në bazë të tre shtyllave të parashikuara në ligj.”

Në të vërtetë, vetë raporti statistikor i KPK-së ka treguar se nuk i ka bazuar vendimet dhe hetimet e veta në të “tre shtyllat”.

3. 17 “Këshilli i ri i Emërimeve në Drejtësi [KED] ka vënë në lëvizje procesin për plotësimin e tetë vendeve të lira në Gjykatën Kushtetuese, si dhe vendin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.”

Në të vërtetë, Gjykata Kushtetuese aktualisht përbëhet nga 1 gjyqtar, mandati i të cilit ka përfunduar zyrtarisht. Prandaj nevojiten 9 gjykatës të rinj. KED ka filluar procedurën për vetëm 6 gjyqtarë, ata që janë miratuar nga Parlamenti dhe Presidenti. Kjo do të çojë në një Gjykatë Kushtetuese të shtrembëruar dhe lehtësisht të politizuar. Ndërkohë, KED është i paplotë, pasi i mungojnë dy anëtarë kyçë.

4. 17 “Përgjegjësitë e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm janë të kufizuara sipas ligjit.”

Kjo është ndoshta e pavërteta më e madhe nga të gjitha të tjerat. Ligji shqiptar nuk e njeh termin “Prokuror i Përgjithshme i Përkohshëm”, por vetëm postin e Zëvendës–Prokurorit të Përgjithshëm dhe Prokurorit të Përgjithshëm.

Prokurorja e Përkohshme e Përgjithshme Arta Marku ka pranuar publikisht se ajo vepron me kompetencat e plota që parashikon ligji për Prokurorin e Përgjithshëm.

Këto përgjegjësi dhe të drejta nuk janë në asnjë mënyrë “të kufizuara” dhe duhet ta ndalojnë atë që të rizgjidhet në një mandat të dytë si Prokurore e Përgjithshme.

5. f. 19 “Këto rezultate kanë qenë thelbësore për rivendosjen e besimit të publikut në gjyqësor.”

Në të vërtetë, sipas një studimi të Komitetit të Helsinkit, 63 për qind e shqiptarëve nuk beson se vetingu do të sjellë drejtësi, ndërsa një sondazh i BE-së tregoi se rreth 50 për qind e shqiptarëve ishin të painformuar ose nuk e mbështesnin reformën në drejtësi. Nuk ka të dhëna të tjera krahasuese, që të tregojnë rritje të besimit të publikut që nga fillimi i reformës.

6. f. 21 “Procesi [i formimit të SPAK-ut] po përparon sipas afateve të parashikuara ligjore.”

Në të vërtetë, procesi i formimit të SPAK-ut ka shkelur çdo afat kushtetues dhe ligjor, gjithashtu edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) është formuar në shkelje të afateve kushtetuese.

Tani le të shohim eufemizmat:

7. f. 14 “Rezultati i një vetingu të gjithanshëm dhe të plotë ka ndikuar në ritmin e krijimit të institucioneve të reja gjyqësore.”

Në të vërtetë, ritmi jo thjesht është “ndikuar”, por çdo afat kushtetues dhe ligjor për reformën në drejtësi është shkelur, me efekte jashtëzakonisht të dëmshme për funksionimin e gjyqësorit. Për më tepër, kjo nuk është shkaktuar nga “vetingu i plotë”, por nga një kornizë ligjore shumë optimiste, që nuk kishte lidhje me realitetin, nga një Gjykatë Kushtetuese që e kishte të gjithë të drejtën për t’i ushtruar funksionet e saj kushtetuese, dhe nga shkurtimet drastike që qeveria socialiste i bëri buxhetit për reformën në drejtësi – pasoja këto që vazhdojnë t’i dëmtojnë të gjitha institucionet e reja të drejtësisë.

8. f. 17 “Megjithatë, Shkolla [e Magjistraturës] vazhdon të varet shumë në mbështetjen e donatorëve dhe ka kapacitet të kufizuar në aspektet e ambienteve, personelit akademik dhe trajnerëve të kualifikuar e të specializuar. […] Shkolla e Magjistraturës nuk ka arritur të tërheqë kandidatë të mjaftueshëm, duke pasur vetëm 10 kandidatë që kaluan provimin e hyrjes për vitin akademik 2018/19. […] Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, të cilët u formuan para pak kohe, vendosën që numri i kandidatëve që do të pranohen në vitin akademik 2019/20 do të jetë 75. 53 kanditatët e parë janë përzgjedhur tashmë. “

Në të vërtetë, nëse vazhdon prirja e deritanishme, gjatë 8 viteve të vetingut do të duhet të zëvendësohen rreth 400 magjistratë. Kjo do të thotë që të paktën 50 studentë duhet të diplomohen nga Shkolla e Magjistraturës çdo vit, duke nisur që nga viti i kaluar. Por për vitin 2018/19 vetëm 10 studentë kanë kaluar provimin fillestar, dhe për vitin 2019/20 rezultatet e testimit nuk janë përfshirë në raport. (Nuk është e qartë nëse 53 studentë janë vetëm “të përzgjedhur” apo e kanë kaluar edhe provimin pranues.) Për më tepër, këta studentë nuk kanë mjaftueshëm profesorë të kualifikuar, nuk kanë godinë dhe ambientet e duhura, dhe nuk kanë as fonde të mjaftueshme.

Ky është një problem që sa vjen e përkeqësohet, dhe do të ketë pasoja që do të përhapen gjerësisht. Suksesi i reformës në drejtësi varet nga këta të diplomuar. Për më tepër, punësimi i 50 për qind të magjistratëve të sistemit nga një gjeneratë e vetme mund të rezultojë me probleme në të paktën dy drejtime: në përafrimin e sistemit gjyqësor me zhvillimet shoqërore në 50 vitet e ardhshme, pasi do të ketë një shpërndarje të shtrembëruar sipas moshës, si dhe në probleme të mëdha punësimi në sistemin e drejtësisë në 30-40 vitet e ardhshme, kur kjo gjeneratë e tërë të dalë në pension.

9. f. 20 “[…] duhet theksuar se tetë nga nëntë gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe 15 nga 18 gjykatës të Gjykatës së Lartë janë shkarkuar nga vetingu ose kanë dhënë dorëheqjen. Kjo përfaqëson një numër të konsiderueshëm të rasteve që përfshijnë zyrtarë të lartë të nivelit shtetëror.”

Në të vërtetë, kjo është një përpjekje për t’i paraqitur rezultatet e vetingut si suksese në luftën kundër korrupsionit. Vetingu nuk është një procedurë penale, por administrative, dhe vetëm një prej atyre “zyrtarëve të nivelit të lartë” aktualisht është dënuar për fshehjen e pasurisë së tij. Për këtë arsye, është jo e sinqertë nga ana e Komisionit Evropian që të gjithë magjistratët e shkarkuar t’i përfshijë nën emrin “lufta kundër korrupsionit”.

Mospërmendje gazmore: Raporti i Përparimit harron të përmendë të vetmen çështje të nivelit të lartë, faktikisht një prej pak sukseseve që mund të përmendej: çështjen kundër ish-krahut të djathtë të kryeministrit Rama, ish-ministrit Saimir Tahiri, nën akuzë për korrupsion dhe trafik lëndësh narkotike në bashkëpunim me një organizatë kriminale.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme