Qeveria i hap rrugë shembjes së teatrit, Aleanca: Do ta mbrojmë teatrin me trupat tanë

Qeveria i hap rrugë shembjes së teatrit, Aleanca: Do ta mbrojmë teatrin me trupat tanë

Qeveria ka vendosur t’i hapë rrugë prishjes së Teatrit Kombëtar dhe nisjes së ndërtimit të teatrit të ri dhe gjashtë kullave rreth tij, siç e parashikon “ligji special” për teatrin.

Më 3 qershor, u publikua në Fletoren Zyrtare Vendimi i Këshillit të Ministrave që autorizon ngritjen e komisionit për negocimin e kontratës me kompaninë private. Ky vendim është miratuar më 4 prill 2019 në Këshillin e Ministrave, por nuk është publikuar në faqen zyrtare të Kryeministrisë, siç është vepruar me vendimet e tjera të marrë atë ditë.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, e cila së bashku me qytetarë  e artistë, ka protestuar kundër shembjes së teatrit prej 18 muajsh, deklaroi sot se “do të mbrojë deri në fund teatrin, duke u përballur qoftë dhe fizikisht”.

Në një deklaratë për median, Aleanca shkruan se me këtë vendim, kryeministri Rama dhe kryebashkiaku Veliaj “i kanë shpallur luftë jo vetëm Teatrit Kombëtar dhe interesit publik, por Kushtetutës dhe sundimit të ligjit në Shqipëri.”

Ndër të tjera Aleanca shkruan:

“Me botimin dje në fletoren zyrtare të VKM-së për ngritjen e komisionit të negocimit sipas “ligjit special”, Edi Rama dhe Erion Veliaj i kanë shpallur luftën përfundimtare jo vetëm Teatrit Kombëtar dhe interesit publik, por Kushtetutës dhe sundimit të ligjit në Shqipëri.

Nuk mjafton fakti që “ligj special”, i miratuar në fund të vitit të shkuar mbas dy refuzimesh nga ana e Presidentit dhe pas kritikave nga ana e Komisionit Evropian, është tërësisht anti-Kushtetues.

Nuk mjafton fakti që në VKM-në e botuar dje qeveria ka përfshirë paturpësisht të drejtën të për të shpronësuar prona të tjera private ngjitur me Teatrin, në përftim të një kompanie tjetër private.

Nuk mjafton fakti që VKM-ja duhet të ishte botuar në fund të dhjetorit 2018, duke e bërë tashmë të pavlefshme ngritjen e komisionit.

Ngritja e këtij komisioni teksa vendi mbetet pa Gjykatë Kushtetuese dhe krijimi i saj mbetet një nga prioritetet kryesore edhe në komunikimet e të gjithë vëzhguesve të brendshëm e të huaj, tregon edhe njëherë dëshirën patologjike që kanë çifti Rama-Veliaj për të grabitur çdo aset publik në këtë vend, sidomos tani që nuk i kontrollon dot kush! Projekti për Teatrin e ri ka qenë e mbetet një përpjekje për të grabitur në çdo mënyrë truallin publik, dhe privat, e për t’ua falur atë klientëve të Edi Ramës dhe Erion Veliajt, duke shkelur çdo parim minimal të një shteti ligjor.

E megjithatë, ne nuk trembemi! Kemi qenë të bindur që kur e nisëm këtë betejë, thuajse 18 muaj më parë, se një ditë do na duhej të përballeshim qoftë fizikisht me qeverinë. Sot, jemi të bindur më shume se kurrë se kemi me vete të gjithë ata qytetarë që kanë kontribuar ditë për ditë në mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Sot, jemi shumë më shumë seç ishim kur filloi kjo histori, e prandaj jemi të vendosur ta mbrojmë Teatrin deri në fund.

Historia do e gjykojë këtë ngjarje si fundin e një tirani grabitqar, i verbër deri në limite në dëshirat e tij për të grabitur çdo gjë të shenjtë në këtë vend. Por historia do gjykojë edhe ata që heshtën, ulën kokë, dhe u bënë palë me veprimet apo mosveprimet e tyre. Nuk është e largët dita kur termi “artist” nuk do mund të përdoret më nga ata të cilët nuk ishin një ditë në mbrojtje të djepit të artit shqiptar. Nuk do mund kush të flasë për interesin publik nëse nuk shpenzoi të paktën një pasdite në protestën më të gjatë të këtyre 30 viteve.

Ngjarja e Teatrit sot është një moment përcaktues në historinë e Shqipërisë, ndërmjet atyre që këtë vend donin ta grabisnin dhe atyre që e mbrojtën.

Sot më shumë se kurrë jemi të bindur se ne dhe të gjithë miqtë që na kanë mbështetur jemi në anën e duhur të historisë!”

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme